Ballina ED/OP Vëllazëria kombëtare përballë vëllazërive ideologjike

Vëllazëria kombëtare përballë vëllazërive ideologjike

Nga Skënder Buçpapaj

Rilindja jonë Kombëtare, iluministët e saj, Naim Frashëri, Jeronim de Rada, Zef Skiroi, Anton Zako Cajupi, Gavril Dara i Riu, Ndre Mjeda, Asdreni, Fishta, Konica e tjerë ua ndriçuan rrugën shqiptarëve pikërisht duke i dhënë jetë vëllazërisë shqiptare.Ka mjaftuar lajmi për 600 mijë refugjatët sirianë, që Evropa mund t’i sillte në Shqipëri, me kulmue një fushatë e re shfrimesh nga disa (jo pak) shqiptarë kundër shqiptarëve të tjerë, pra kundër vëllezërve të tyre të gjakut, gjuhës dhe shpirtit.

Është kjo një nga fushatat e panumërta të këtyre gati 30 viteve të fundit nga pozita ideologjike me të cilën vëllazëria kombëtare shqiptare përballet krejt padrejtësisht. Ato egërsohen në përpjesëtim të drejtë me kulmimet e nostalgjive për kthime në të kaluarën e lënë pas në fundet e shekullit XX, kthime që, në rrokullimën e tyre, nuk do të kishin të ndalur deri në periudhat tona pagane.

Rilindja jonë Kombëtare, iluministët e saj, Naim Frashëri, Jeronim de Rada, Zef Skiroi, Anton Zako Cajupi, Gavril Dara i Riu, Ndre Mjeda, Asdreni, Fishta, Konica e tjerë ua ndriçuan rrugën shqiptarëve pikërisht duke i dhënë jetë vëllazërisë shqiptare.

Pashko Vasa e formulonte tejet qartë e tejet shqip filozofinë e vëllazërisë kombëtare shqiptare me moton “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Me këtë, rilindasi i madh nuk kuptonte zëvendësimin e feve ekzistuese me një fe të re, ai kuptonte se shqiptarët i bashkon pikërisht shqiptaria, i bashkon identiteti shqiptar, i bashkon gjuha, gjaku, shpirti. Shqiptarët e bashkuar nga shqiptaria nuk i ndajnë dot ideologjitë e ndryshme fetare që ata kanë përqafuar përgjatë së kaluarës së tyre. Shqiptarët e vëllazëruar nga gjaku shqiptar, nga gjuha shqipe, nga shpirti shqiptar nuk ndahen dot, nuk përçahen dot, nuk dobësohen, nuk rrënohen dot nga vëllazëritë e mëdha fetare as nga faktorët që do të donin t’i përdornin ato kundër vëllazërisë kombëtare shqiptare. Shqiptarët në harmoni ndërfetare janë të pathyeshëm përballë çdo sfide, ngado e sido që të vijë ajo përgjatë historisë.

Nga 8 nëntori 1941 shqiptarët, për fatin e tyre të keq, pa vullnetin e tyre hynë në vëllazërinë ideologjike ateiste. Deri më 1948, kjo i bënte vëllezër me serbët. Prej atëherë e deri më 1961, i bënte vëllezër me rusët. Prej atëherë e deri më 1978, i bënte vëllezër me kinezët. Nëpërmjet dashurisë për vëllezërit ideologjikë dhe nëpërmjet luftës së klasave ndërmjet vëllezërve të vërtetë, vëllazëria ateiste synonte t’i zhvllazëronte shqiptarët ndaj njëri-tjetrit, synonte ta zhbënte vëllazërinë kombëtare shqiptare.

Ateizmi, i bërë sundues, pra feja e shtetit me Kushtetutën e Republikës Popullore Socialiste më 1976, krijoi institucionin më të përbindshëm të predikimit të ideve. Predikatorët e tij do të përbënin klerin më të sofistikuar ndonjëherë në historinë e njerëzimit, që nga koha e Sokratit, të cilin e dënonte me pirje helmi pikërisht feja e shtetit. Nën petke të ndryshme e shumë herë fare pa petka, nën financime të ndryshme, këta sot e vazhdojnë propagandën e tyre me të gjitha format dhe mjetet.

Asnjë nga librat e shenjtë, për asnjë arsye, nuk ia kundërvë fenë atdheut. Askund në shkrimet e shenjta, askund në thëniet e profetëve apo të dijetarëve të mëdhenj të fesë nuk iu kërkohet besimtarëve t’i bëjnë dalje vëllezërit e tyre të gjakut, të gjuhës, të shpirtit për shkak se ata janë besimtarë ose mosbesimtarë në Zotin, për shkak se ata ushtrojnë një praktikë të ndryshme nga të tjerët.

Të gjitha kombet sot në botë, jo vetëm shqiptarët, kanë besimtarë dhe mosbesimtarë, kanë ushtrues të praktikave të ndryshme të fesë. Shqiptarët nuk janë të vetmit në botë me disa përkatësi fetare. Shqiptarët janë të vetmit në botë me harmoni shembullore ndërfetare. Kjo veçanësi unike, e pashoqe ruhet vetëm duke vënë vëllazërinë kombëtare mbi çfarëdo vëllazërie ideologjike.

Duke qenë një komb i vogël, më duhet ta ritheksoj edhe kësaj here, mundësitë tona për të kontribuar janë modeste. Si të tilla, ato na i njeh mjaftueshëm edhe vetë Zoti. Ndërsa mundësitë tonë për t’i kontribuar çështjes shqiptare, vetëm ashtu edhe çështjes evropiane, janë të pakufizuara. Si të tilla, ato na i bekon e na i madhëron vetë Zoti.

E sjell dhe risjell thënien e Pashko Vasës, të birit të Mhill (Hilë) Gjokë Vasës dhe Drande Gjergjes, “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, sepse ajo është një filozofi e vërtetë, tejet vizionare, aspak boshe, aspak parullë dite. Pashko Vasa do ta shkruante poemën “O moj Shqypni” në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe qeveria e përkohshme e saj, e kryesuar nga Ymer Prizreni, do ta bënte hymn shtetëror të Shqipërisë së asaj kohe. Askush nga rilindasit tanë nuk mund ta kuptonte më mirë se ai dëmin e pamasë që mund t’ia shkaktojnë ndasitë feare, përçarjet fetare, përplasjet fetare një vendi të vogël, një kombi të vogël siç është Shqipëria, siç janë shqiptarët. Dhe fati deshi që ai nga 10 korriku 1883 deri në fund të jetës (26 qershor 1892) ishte vezir i Libanit. Libani as sot e kësaj dite nuk e ka marrë veten për shkak të përplasjeve fetare.

Lajmi për 600 mijë refugjatët sirianë (besimtarë dhe mosbesimtarë) u hodh në tregun e përbindshëm mediatik shqiptar pikërisht nga ajo guzhinë që, nga njëra anë e përgënjeshtronte, nga ana tjetër e ushqente lajmin me elemente të reja, për ta mbajtur popullin shqiptar, brenda e jashtë kufijve, në atdhe apo diasporë, të mbërthyer në një ankth që i shërben vetëm jetëgjatësisë së regjimit sundues në Shqipëri dhe makinerisë propagandistike të mirëushqyer dhe të tejfinancuar të saj.