Sa njerëz të talentuar mbesin në hije, sa të tjerë të llamarintë na bëjnë hije!

Nga Mehmet ELEZI

Të shtunën (pardje, 23 qershor), isha i ftuar në Berat, për një takim me lexuesit. Duke i falënderuar përzemërsisht organizuesit (biblioteka “Vehxhi Buharaja”, bashkia, me mbeshtetjen e z.i Fadil Nasufi, deputet i Beratit), dhe pjesëmarrësit, tri gjëra më bënë përshtypje:
1. Cilësia e auditorit. Sallën e mbushën vetëm ata që dëshironin me ardhë.
2. Cilësia e diskutimeve. Jo vetëm i z. Çlirim Mukli, autor dhe përkthyes, me kulturë, me vëzhgime dhe shije të hollë.
3. Asnjë lëvdatë folklorike, nga ato që ta prishin shijen, aq të shpeshta nëpër fb.
Pati edhe fjalë që s’u shqiptuan. Mësuese matematike në gjimnazin e qytetit, një zonjë e re nuk e çeli gojën. Quhet Kozeta Boçi. Në fund më dha një letër, vetëm një faqe shkruar, pa thënë asgjë. As emrin s’e kishte shenuar në fund. Ishte diskutimi që nuk e mbajti, për përmbledhjen time me poezi “Ulurimë ujku”.
Po e botoj këtu, bashkë me dhimbjen e njohur: sa njerëz të talentuar mbesin në hije, sa të tjerë të llamarintë na bëjnë hije!
Bibliotekës i dhurova një tërësi (“komplet”) të botimeve të mia.

FJALËT QË NUK I THA ATY ZONJA KOZETA BOÇI

Libri me poezi “Ulurimë ujku” vjen si një libër shenimesh udhëtimi. Në qëndresat e shkurtra apo të gjata, përveç bagazhit dhe pasaportës (autori) duket sikur ka mbajtur me vete një bllok dhe një laps, me të cilin vizaton këndet e gjera të botës, pasqyruar në unin e tij të trazuar. Vrapi është i gjatë, i pandalshëm, si i një ujku, të cilin mendoj se autori e ka përzgjedhur si shenjë të unit të vet.

Te dera e shtëpisë sime lumi
Dyll i verdhë po lutet
Dritë klandestine e fshehur nën valë
E nën një hije ujku

(“Eklips”).

Apo te “Vajza e aeroportit”, ku nënvetëdija dëgjohet në ulurimën e ujkonjës:

Prej s’di se ku u shfaq dhe s’di se ku po shkonte
Vetëtimë e thyer nëpër degë
Një ulurimë ujkonje e ndoqi pas
Ndërsa flokët e saj mbushën me pyll krejt një qytet
Unë e pashë veten të shtrirë në vig.

U jep trajtë emocioneve, ku me pak vija të qarta, që konturojnë gjithçka, ku me segmente që i bien skiç peisazhit dhe ndriçojnë këndet e fshehta.

Gjarpërinjtë hynë nën gurë, arushat nëpër shpella
Rrush i bardhë veshë-veshë nëpër degë u var mjegulla
Zjarresh hapet era e gështenjave të pjekura
E shiu u ftoh, u mblodh e u fsheh nëpër kërmij

(“Tri vizatime vjeshte”)

Peisazhi, elementet e natyrës, reja, era që zhvendoset me shpejtësi, janë prekje me botën e me veten në një lëvizje që nuk ndalet, por do të takojë gjithçka. “Do të shkoj në takim me erën, lajmëron diku, sepse ajo rroket me të gjithë/ edhe me mjekrën e lëmyshkut në gurët e varreve të vjetër”. Nëse ndeshet me një kujtesë të kahmotshme si pylli, e ka vështirë të qëndrojë me unin e trazuar para qetësisë dhe qëndresës së tij.

Miku im pyll
Ani pse s’ke me pyetë (për mua)
Një pyetje më pak a një pyetje më shumë është krejt njëlloj
Përderisa nuk mund t’u shpëtosh dot një milion pyetjeve të tjera pa përgjigje
Për Botën.

(“Miku im pyll”)

Një pjesë e qenies lëviz me këmbë të gjata, i bie qark botës pa u ndalur, një pjesë tjetër mblidhet e tërhequr me ulurimën shurdhuese të ujkut brenda vetes, për gjithçka që lëviz rrotull e largohet me shpejtësi. Dy pjesët e unit e kanë vështirë të arrijnë ekuilibrin në lëvizje. Sa më shpejt vrapon njëra në hapësirë, aq më tepër struket tjetra brenda botës që vërtitet nën vrapin prej ujku, i cili më shumë nuhat e dëgjon, se sa sheh.

Një tren shkundi puplat e blegëroi si dele
Unë rrija rrudhur, në shi lagur, te stacioni
Kë po pres? Taksitë binin si kometa
Kë po pres? Ndoshta erdhi e nuk më njohu!

(“Ndoshta erdhi e nuk më njohu”)

Skicat në bllokun e udhëtimeve janë mëngjëze, ura, ndërtesa, kripë e rrjeta peshkatarësh, sheshe si sheshi i sekserëve:

Java këtu mund të mbyllet në syrin e larë të së hënës
Dhe Dita e Jetës në një qese plastmasi mund të ngulfatet, të kopë e të vdesë
Ose – a nuk është njësoj? – në një çantë diplomatësh.

(“Sheshi i sekserëve”)

Me intuitën e diplomatit, brenda spikamës së ndërtesave ndien lëvizjen e minjve, parave, historinë që merr frymë brenda arkitekturës së qyteteve të botës dhe hijet e qytetarëve të tyre:

Ç’është, pyesin dhe bursat, sh-sh-sh, shenjë bëjnë vjedhësit.
Atij një frangë i duhet, një panine për të blerë
Shurdhane Europa, me vesh të prerë!

(“Van Gogu”)

Autori është njeriu me këmbë të gjata e me ulurimë prej ujku, i lindur në një ujdhesë ku ka ngecje dhe lëvizje njëherësh. Ujdhesë

Me qytete të rrahura pa i lënë me qa
Ndonëse janë pagëzuar në të njëjtën ditë
Me Romën.

(“Shqipëri”)

Dy të kundërtat e tij rrinë bashkë në poezi. Bashkë rri bota e qyteteve të ndriçuara dhe metropoleve Vjenë, Paris, Bernë, Moskë…, me vendin e tij të vogël, me Korçën, Shpellën e Gadimës ose ish-Kino Partizanin. Në mes të dyjava ulurima shuhet.

Dorë për dorë si unë dhe heshtja rrotull që më pi ngadalë
Si lulja dhe trupi që dêjet nën rrënjët e saj, dorë për dorë.

(“Dorë për dorë”).