Nga Eltona Lakuriqi, poete
Ndalemi në punimin tonë mbi këtë vëllim me poezi të përkthyera nga origjinali i tyre në italishte tek autoret: Dacia Maraini, Antonia Pozzi, Daria Menicanti, Maria Luisa Spaziani dhe Patrizia Cavalli.
Jemi në kuadrin e një tradite të gjatë të botimit të poezisë së huaj dhe asaj italiane në shqipe dhe të poezisë shqipe në italishte (kujtojmë vetëm “Antologia della lirica albanese” të Ernest Koliqit të vitit 1963 të botuar në Milano).
Kusht për përkthimin cilësor, dhe sidomos për përkthimin cilësor të poezisë është njohja e gjuhës origjinale (në këtë rast tëitalishtes), e gjuhës pritëse (në këtë rast të shqipes), e autorit, e veprës së autorit, e periudhës historike dhe letrare në të cilën ai ka shkruar dhe në të cilën është përceptuar dhe perceptohet vepra e tij dhe të letërsisë së vendit të autorit. Lidhjet e letërsisë shqipe me atë italiane janë të hershme. Librat e parë në shqipe janë botuar nëItali. Autorët e parë shqiptarë ishin shkolluar në Itali. Vetë vepra tëletërsisë së vjetër shqiptare janë dygjuhëshe.
Traditë e vazhduar deri më sot nga letërsia arbëreshe, autorët e sëcilës janë të gjithë dygjuhësh.
Tradita arbëreshe në Itali sot shoqërohet nga dukuria e pranisë sëautorëve shqiptarë që janë dygjuhësh, meqë janë shkrimtarë që i përkasin brezit të parë ose të dytë të imigracionit shqiptar në Itali.
Pra, në këtë kuadër duhet parë edhe ky botim: dmth, letërsia e vjetër shqipe dhe lidhjet e saj me italishten, letërsia arbëreshe nëItali, letërsia e imigracionit shqiptar të pas viteve ’90 të shekullit të kaluar në Itali, letërsia shqipe e përkthyer në italishte dhe letërsia italiane e përkthyer në shqipe.
Mënyra e paraqitjes së poezive të këtij teksti është mënyra më e mirë e paraqitjes së poezisë në përkthim: kemi origjinalin nëitalishte dhe përkthimin në gjuhën shqipe.
Meqë është pothuajse e pamundur që në gjuhën pritëse, në rastin tonë në shqipe, të kemi gjithë vlerën e poezisë, origjinali nëitalishte në botimet cilësore dhe të plota do të quhej njëdomosdoshmëri.
Dacia Maraini (lindur në vitin 1936) është shkrimtare e brezit tëviteve ’30 të shekullit XX.
Dacia Maraini është e njohur për lexuesin shqiptar: në vitin 2002 është përkthyer në shqipe romani i saj “La lunga vita di Marianna Ucria” (Jeta e gjatë e Mariana Ucria-s); në vitin 2002 romani “L’età del malessere” (Moshë e trazuar); në vitin 2003 romani “Pushimet”.
Përkthimet e romaneve nuk janë botimet e para në shqipe tëautores. Që në vitin 1997 (nr. 1) në “Aleph” është botuar “Njëklandestin në bord”; në vitin 2000 (19 mars) në “Rilindja demokratike”, është botuar “Vjollca, çupëza shqiptare”; në“Albania” (4 gusht 2001), është botuar “Më pëlqen të dashurohem: Ish e dashura e Alberto Moravisë, shkrimtarjaitaliane flet për letërsinë bashkëkohore dhe për dashuritë e saj”. Ajo ka lidhje me Shqipërinë siç del edhe nga shkrimet e botuara në “Panorama”, 4 nëntor 2002, “Vendi i shqiponjave në sytë e Marainit : [Jeta kulturore, poezia, arkitektura e kinematografia e një populli që ka si model Italinë]” dhe në “Gazeta shqiptare”, (5 shkurt 2003), “Maraini : Bota shqiptare aspak e huaj për mua : Intervistë. Shkrimtarja flet pas vizitës në Tiranë”.
Edhe shkrimtarja Maria Luisa Spaziani (7.12.1922-30.6.2014) ka lidhje me Shqipërinë dhe letrat shqipe sepse:
1.Në vitin 2006 është botuar libri i saj me poezi “Kapërcimi i oazeve”, (Tiranë, Ideart);
2.ajo ka marrë një çmim letrar në Shqipëri: “Edhe t’i vrisnin gjithë poetët, do na duhej eteri : [intervistë me poeten italiane, fituese e çmimit Poeteka në edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të poezisë, Durrës]”, (në “Shekulli”, 3 maj 2006);
3.ajo ka pasur lidhje personale me Shqipërinë dhe shqiptarët:“Kam patur rastin të njoh mbretin Zog: intervistë me poeten e madhe italiane Maria Luisa Spaziani, rrëfenja nga jeta dhe lidhjet e saj të çuditshme me Shqipërinë”, në “Tema”, 13 janar 2007.
Kujtojmë edhe dy intervista të saj të botuara në shtypin shqiptar:
1. “Nuk e dua nobelin për dollarët, por për njohjen : [intervistë me shkrimtaren]”, (në “Standart”, 30 prill 2006), dhe
2. “Paraja ka natyrë shpirtërore apo materiale? : [intervistë me poeten]”, (në “Albania”, 28 janar 2007).
Dacia Maraini dhe Maria Luisa Spaziani, përveç lidhjeve me letrat shqipe i bashkon edhe një gjë tjetër: të dyja kanë qenë të lidhura me dy shkrimtarë të mëdhenj italianë: Dacia Maraini me Alberto Moravia-n dhe Maria Luisa Spaziani ka pasur lidhje miqësie dhe intelektuale me Eugenio Montale-n.
Janë pesë autore femra; janë autore që shkruajnë në italishte për poezinë në poezi.
-Si del poezia te të pesë autoret?
Në rastin e poezisë së Dacia Maraini-t kemi praninë e motivit biblik në pendën e autores italiane të brezit të viteve ’30. Motiv i ndërthurur me figurën e shkrimtarit (poetes) si edhe të lexuesit dhe të pritjes.
Maria Luisa Spaziani në poezinë e saj të përkthyer këtu flet për poezitë dhe për dhimbjen. Poezitë e saj janë zhdukur dhe ajo nuk shkruan dot më për dhimbjen. Dhe u bën thirrje fjalëve që vetë ato të bëjnë një vepër.
Për Antonia Pozzi-n poezia është rrëfimi i autores, është poezi qëe vëzhgon atë, është poezi që i dhuron veten e saj vetëm atij qëkërkon vetveten. Dhe autorja i lutet poezisë që ta bëjë atë, autoren, të denjë për poezinë.
Daria Menicanti, poetja e dashurisë dhe e vdekjes, me thjeshtësinëe vargut të saj që përshkruan shkrimin më kot mëton të jetë e huaj, të mbetet jashtë shkrimit. Ajo është aty në çdo shkronjë.
Patrizia Cavalli në poezinë e saj për poezinë, në poezinë e saj mbi poezinë, gjen vetëm dashurinë. Ajo e prish dhe e rindërton poezinë: simbolet dhe mitet nuk janë më të rëndësishme se dashuria e saj. Kur simbolet dhe mitet mungojnë në poezi, dashuria bën që kjo poezi të mos jetë e zbrazët.
Janë pesë poezi të shkurtra. Autoret duke shkruar për një temë të rëndësishme, për poezinë në poezi, e kanë respektuar vargun duke e lënë të lirë. Prandaj në mbyllje, kujtojmë vetëm një rimë që na duket se jep vetëm njërin nga shpirtërat e poezisë:
Poesia che ti doni soltanto / a chi con occhi di pianto / si cerca…
Përgëzoj autoren dhe i uroj seksese të mëtejshme.
Eltona Lakuriqi, Tiranë, qershor 2018.