Vështrim mbi përmasat e krimeve të gjenocidit nga ish regjimi komunist jugosllav kundër qenies shqiptare dhe shtimit natyror të popullsisë shqiptare në Maqedoni
Nga Abdulla Mehmeti
Krimet e ish regjimit komunist jugosllav mbi qenien shqiptare (kryesisht mbi femrat shqiptare nëpër repartet gjinekologjike dhe institucionet për përkujdesjen shëndetësore të grave shtatzëna dhe të foshnjave), si ngulfatja, zhdukja, helmimi, paaftësimi fizik dhe mendor me paramendim (më shpesh përmes vaksinimit), shitja e fëmijëve të sapolindur, si dhe krimet tjera të ngjashme, si ndalimi me ligj i lindjes së fëmijës së tretë, përbëjnë format më të rënda të krimeve të gjenocidit, të cilat edhe sot kanë mbetur të pandëshkuara në Maqedoni.
Për përmasat e krimeve nga ish regjimi komunist jugosllav mbi shqiptarët në Maqedoni, opinioni vendës ende ka pak njohuri, ose ka vetëm dyshime të bazuara, të cilat duhet të hulumtohen, studiohen, hetohen, vërtetohen, dëshmohen, sigurisht edhe të ndëshkohen në të ardhmen.
Në bazë të analizave për dinamikën e shtimit natyror të popullsisë shqiptare në ish Jugosllavi, sidomos në ish Republikën Socialiste të Maqedonisë dhe republikat tjera ish jugosllave, nuk ka dyshim që Maqedonia ka shërbyer atëkohë si poligon i eksperimenteve mbi shqiptarët, për t’u zbatuar më vonë edhe në Kosovë, Mal të Zi, Serbi (Luginë të Preshevës, Sanxhak dhe më gjerë), sidomos nga viti 1970 deri më 1990.
Metodat e sofistikuara që janë përdorur në koordinim mes shërbimeve sekrete të shtetit (UDB, KOS…) dhe rrjetit të bashkëpunëtorëve të tyre në organet drejtuese dhe personelin e disa institucioneve shëndetësore, nga mjekë kriminelë dhe personel tjetër ndihmës. Por, as sot nuk është lehtë të zbardhen të gjitha krimet në kuadër të këtij projekti armiqësor mbi shqiptarët. Do të duhet një periudhë më e gjatë kohore dhe rrethana politike më të relaksuara, që gazetarët hulumtues, ekspertët e fushave përkatëse dhe studiuesit, t’i zbardhin këto krime të tmerrshme të kryera nga pushteti okupator i asaj kohe mbi shqiptarët.
Një gjë për të cilën duhet të jenë të bindur shqiptarët, e që do të jetë befasi e madhe për opinionin vendës dhe të huaj, do të bëhet e ditur vetëm pas hulumtimeve mbi këto krime, nga do të shihen përmasat e krimeve të një GJENOCIDI të tmerrshëm mbi shqiptarët.
Sa për fillim, secili lexues i këtij shkrimi mund të mendojë dhe hulumtojë për raste të tilla në familjen e tij ose të afërmit: sa fëmijë janë humbur, ose janë shpallur të „vdekur” nëpër spitale, sa janë mbytur, helmuar ose janë zhdukur sapo kanë lindur, sa janë masakruar që në barkun e nënave të tyre, sa gra janë sterilizuar dhe paaftësuar nëpër repartet gjenekologjike dhe kanë mbetur përgjithmonë pa fëmijë, sa fëmijë janë vjedhur, ndërruar, shitur dhe kontrabanduar nga personeli i spitaleve, me porosi dhe ndihmën e shërbimeve sekrete të shtetit, sidomos në qytetet me shumicë shqiptare, Shkup, Tetovë, Kumanovë, Gostivar, Strugë, Ohër, Manastir, Prespë, Dibër, Kërçovë, Veles (Quprili), etj., megjithëse, këtë për fillim as regjisorët e më të shquar të filmave horor nuk mund ta kuptojnë lehtë, para se të dalin rezultatet e para nga hulumtimi i këtyre rasteve.
Para disa vitesh një avokat i njohur tetovar, i cili kishte bërë përpjekje për mbledhjen e dëshmive për këto krime të ish regjimit komunist, sapo është vërejtur nga organet e sigurimit të shtetit, dyshohet të jetë helmuar… Individë të tjerë nuk as që kanë mundur ta bisedojnë këtë çështje nga frika, prandaj, askush deri më sot nuk e ka ngritur zërin, duke ditur se bëhet fjalë për krime të rënda, përmasat e të cilave janë aq tmerruese sa e tejkalojnë çdo logjikë të shëndoshë të mendjes së njeriut.
Sipas përmasave të këtyre krimeve nga ish regjimi komunist jugosllav, të kryera sidomos në Republikën ish jugosllave të Maqedonisë (ndoshta edhe gjatë periudhës së tranzicionit të ashtuquajtur „demokratik“), nuk bëhet fjalë për krime të zakonshme, të cilat janë shfaqur edhe në vende të tjera të botës, siç jepen disa shembuj në vazhdim të këtij shkrimi, por, këto janë krime të rënda kundër njerëzimit, krime të cilat sipas konventave ndërkombëtare kualifikohen si krime të rënda GJENOCIDI.
Sipas Konventës për Ndalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, e cila është ratifikuar nga Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuar, më 9 dhjetor 1948, e hyrë në fuqi më 12 janar 1951, përmban një definicion të pranuar ndërkombëtarisht, i cili u përfshi në legjislacionin kombëtar të shumë vendeve, si dhe u pranua nga Statuti i Romës i Gjyqit Penal Ndërkombëtar, traktati që themeloi Gjyqin Kriminal Ndërkombëtar. Konventa (në nenin 2) definon gjenocidin si „cilëndo nga veprat në vazhdim, të kryera me qëllim të shkatërrimit të plotë ose të pjesërishëm të një grupi etnik, racor, ose religjioz: si: (a) Vrasja e anëtarëve të grupit; (b) Lëndimi serioz trupor apo mental i anëtarëve të grupit; (c) Shkaktimi i qëllimshëm i kushteve jetësore të llogaritura të sjellin shkatërrim të pjesshëm apo të plotë fizik;(d) Marrja e masave për ndalimin (kufizimin) e lindjeve brenda grupit; (e) Transferimi me dhunë i fëmijëve nga një grup në tjetrin.
Jo më pak se këto forma të krimeve të gjenocidit të kryera nga ish regjimi komunist mbi shqiptarët në Maqedoni, në mënyrë të fshehtë dhe me metoda tepër të sofistikuara, përbëjnë edhe masat ligjore të ndërmarra nga ai regjim për ndalimin e lindjes së fëmijës së TRETË, nga prindërit me përkatësi etnike shqiptare, masa të cilat janë zbatuar një periudhë të gjatë mbi shqiptarët në Maqedonisë, madje në kundërshtim edhe me Kushtetutën e RSFJ të vitit 1974 (neni 191)* dhe me konventat ndërkombëtare**, por që edhe sot e kësaj dite kanë mbetur të pandërshkuara nga pushteti aktual, si trashëgimtar i atij regjimi jodemokratik, johuman dhe kriminal, së paku përmes një kërkimfalje, një deklarate zyrtare, apo në një formë tjetër institucionale, përmes së cilës pushteti aktual i këtij shteti do të distancohej nga e kaluara komuniste dhe krimet e atij regjimi. Për këtë, pushtetin aktual në Maqedoni, sidomos faktorin politik shqiptar, e obligojnë edhe dy Rezolutat e Këshillit të Evropës për dënimin e krimeve nga regjimet komuniste***.
* * *
Disa shembuj nga format e këtyre krimeve në vendet tjera:
RASTI I KOSOVËS
Maqedonasit dhe serbët kanë vjedhur foshnje nga Prishtina, përmes spitalit të Shkupit. Gazetarja e RTV Dukagjinit, përmes një storie për „foshnjat e zhdukura“ gjatë viteve ’70, që është transmetuar të mërkurën, ka shkaktuar debat në opinionin publik për këtë temë shumë të ndjeshme.
Gazetarja Albina Haliti, në bazë të investigimit ka treguar se shumica e këtyre rasteve kanë ndodhur, kur foshnjat janë dërguar në drejtim të Beogradit ose Shkupit me pretendimin për t’u shëruar.
Ajo rrëfen një rast kur një person është kthyer në Kosovë nga Serbia pasi ai pretendon se ka zbuluar identitetin e tij të vërtet. “Ka një rast kur një femër në mënyrë të rastësishme pretendon që ka zbuluar se ajo i përket një familjes shqiptare. Rrëmbyesi ka qenë një mjek, ai në momentin kur ka treguar se ky fëmijë është i një shqiptari ka qenë i dehur”, tregon gazetarja. Ajo thotë se i gjithë ky zbulim ndodhi nga një rastësi, kur mjeku që ka marrë vajzën ishte i dehur.
“E gjitha ka ndodhur për shkak se vajza nuk i është bindur mjekut serb, dhe ai në moment nervoze dhe dehje, në mënyrë ofenduese i ka thënë asaj se nuk kupton sepse është gjak shqiptari. Në atë moment kanë qenë prezent edhe disa shqiptarë, të cilët më pas kanë marrë iniciativën deri në zbulim të rastit”, tregon më tej gazetarja Albina Haliti.*
RASTI I SPANJËS
Rreth 30 000 fëmijë u janë vjedhur prindërve të tyre dhe janë shitur, gjatë 50 viteve të fundit. Fëmijët janë shitur përmes një rrjeti të fshehtë, i përbërë nga mjekë, motra medicinale, priftërinjë dhe kallugjere, të cilët këtë veprimtari e kanë filluar gjatë diktaturës së Fraknkos dhe e kanë vazhduar deri në fillim të viteve të ’90-ta.
Qindra familje fëmijët e të cilave kanë „humbur“ nga spitalet, tani janë në betejë gjyqësore me pushtetin. Disa nëna para organeve të drejtësisë, gjykatave të vendit, kanë deklaruar para gjyqit se fëmijët e tyre kanë vdekur disa orë pas lindjes.
Nënave, të cilat në të shumtën e rasteve kanë qenë në moshë shumë të reja dhe të pamartuara (pa kurorë) nuk u është dhënë leje nga personeli i spitalit që t’i shohin foshnjat e tyre të vdekura, as të marrin pjesë në varrimin e tyre.
Në të vërtetë, këta fëmijë u janë shitur çifteve të pasura bashkëshortore që nuk kanë pasur fëmijë të vetë. Ka shumë raste në të cilat as prindërit e ri të fëmijëve nuk e kanë ditur se fëmijët e tyre të adoptuar janë të vjedhur, meqë u është thënë se nënat e tyre kanë hequr dorë vullnetarisht dhe ata janë fëmijë të braktisur.*
RASTI I BULLGARISË
Prokuroria speciale e Bullgarisë filloi një hetim të gjerë kundër 29 qytetrëve bullgarë, kryesisht nga qyteti Kameno, meqë policia greke zbuloi një rrjet të ri krimi për shitjen e foshnjeve në Greqi. Në fillim të këtij viti për kontrabandë me foshnja janë dënuar dy persona.
Në prokurorinë speciale thonë se tregtia me foshnja dëshmohet shumë vështirë, kurse deri te ndjekja nga organet vjen vetëm nëse viktimës në fund nuk i jepen paratë e premtuara.
„Shkaku qëndron në atë se, kjo vepër penale kryhet në një rreth tepër të ngushtë njerëzish, të cilët nuk dëshirojnë që shitja e fëmijëve të përhapet jashtë rrethit familjar“, ka thënë për televizionin e Sofjes BTV, ndihmësprokurori publik i qytetit të Burgasit, Dimitar Georgiev.
Sipas të dhënave të sektorit civil, foshnjet shiten për një shumë prej 5.000 euro, nga të cilat 3.000 euro marrin kontrabanduesit.
Sekretarja e Komisionit për luftë kundër kontrabandës me njerëz në Kameno, Rosica Janeva, për gazetarët ka deklaruar se nënat foshnjat e të cilava shiten kryesisht janë me përkatësi rome, të cilat kështu mbijetojnë dhe me këto mjete i ushqejnë familjet e tyre.
Ajo ka deklaruar se gratë shtatzëna dërgohen në Greqi, që atje të lindin, ku pranohen nga prindër grekë si fëmijë të tyre, ndërsa në gjith këtë lojë janë të përfshirë edhe avokatë dhe mjekë.*
* * *
SHËNIM: Rastet tjera në botë do të jenë pjesë e një studimi më të plotë për këtë çështje.
(23. 06.2018)