Nga Anton PLLUMAJ
Një djep i lënë bri kroit ku mbushin ujë Gjonoviqët.
Foshnja në djep është një vajzë pesëditëshe…
Në katundin Selcë të Kelmëndit, në drejtim të famullisë, ngrihej përmbi një sukë të rrumbullakët, kulla e një dere të njohur për trimëri, bujari e zgjuarësi ku i kërkohej fjala në logun e kuvendit. Aty jetonte ç’prej kohësh që nuk mbahet mend fisi i Mirash Ucit, i permendur edhe në “Lahutën e Malcis” nga At’ Gjergj Fishta. Mplakja e fisit qe një plagë e rëndë për të gjallët e të vdekurit. Ishte gjallë vetëm Voku me të shoqën, Hanën. Vetmia ua kishte tretur çehren e shpresës për shtimin e “vathës”. Vokun në fillim e lanë vëllezërit. I mori lufta kundra jeniçerëve osmanë dhe me hordhitë shovene të fqinjëve veriorë. Kola 37 vjeç dhe Pjetri vetëm 30 vjeç. Vëllezërit e Vokut, ndoqën pas babanë e tyre, Mirash Ucin, i cili edhe ky u fytafyt me djajtë e stepave. Diku rreth të 55-ve u këput edhe jeta e babait të Vokut. Varra më e rëndë për Vokun e Mirash Ucit qe vdekja e papritur e djalit të vetëm, kur ky ishte jo fort më i rritur se pesë vjeçar. Për një hop Voku u trondit së tepërmi, por nuk e dha veten. Dhe erdhi një mbrëmje e butë kur Hana e gëzoi me një lajm të mirë. “Jam shtatzanë”, – i tha, – e i lutëm orës së malit të jetë djalë. Voku fërkoi mjekrën e një prush i kuqërremtë ia veshi tiparet. Kjo do të thotë se ti, Hanë, do të na bësh një kokërr djali… Hajt, na përgatit një meze të mirë, se ma prushite dërrasën e krahërorit me këtë ugur të mbarë!”
Për një kohë të gjatë asaj vjeshte, Voku u end me trimat e Malësisë nëpër ato shtigje ku shfaqej pushtuesi dinak e i pabesë. Kryente detyrën e komandantit të seljanëve.
Natën kur e hodhi shtegun në kullën dybojëshe, diçka e zezë ia preu udhën para mbërritjes në kapërcyellin e oborrit. Vrapoi tek grazhdi i deleve, se i thanë se atje është Hana. Shtangu sa mbërriti aty. Gruaja e shihte në bebëza të syve me një vështrim lotues. “Është vajzë, por një kërthi aq i lezetshëm sa nuk ta merr mendja, Vok! Sot e ka ditën e pestë të jetës së vet”. Hana nuk u përmbajt pa i thënë se “Ora e Bjeshkëve nuk na ka shitue, por besoj se na ka gëzue, Vok!”
E bija e trimit Vok Mirash Ucit u lind një buzëmbrëmje tetori të vitit 1684.
Voku nuk fjeti atë natë. Priti të flinte Hana, e kjo kur u përgjum, rrëmbeu djepin e shtegtoi nëpër natë. Dhe iku sikur ta ndiqnin xhindët.
Garen e daljes më herët te kroi e fitoi atij mëngjesi Mrikë Sokoli. Ishte kunata e Vokut, motra e gruas. Kur mbrriti afër burimit gruaja u step. Dëgjoi britmat e çjerra të një fëmije të porsalindur. Ajo hetoi se një dorë e zezë mëkatnore, e kishte lënë në mëshirë të fatit këtë vajzë të lindur, siç duket me përdhunë. E tronditur si rrallë herë në jetën e vet, Mrikë Sokoli e merr djepin nën sqetull, gjithë madhështi e solemnitet, shpejton hapat drejt konakut. Mrika zgjoi me ngut të gjithë pjesëtarët e familjes dhe u tregoi përpara tyre për ndodhinë e hidhur. “Nuk ka pse ta dijë mileti se kush është kjo ferishte. Ne do ti percjellim se është një vajzë dajet, të cilën nuk kanë mundësi ta mbajnë si fëmijën e vet. Do ta rrisim këtu dhe pik. Na mbeti në dorë e do ta thërrasim Norë!”
Historia vazhdonë…
Vajza në histori do të njihet si Nora e Kelmëndit!