Ballina Kulturë PRANVERË NË SHPIRT NGA “PRANVERA DURRSAKE”…

PRANVERË NË SHPIRT NGA “PRANVERA DURRSAKE”…

Nga Azem BALIAJ

Sot në Dyrrahiumin dhjetra shekullor, bashkë me mikun tim, shkrimtarin Salvator Gjeçi morëm pjesë (në emër të Klubit të letrave “Ndoc Gjetja”- Lezhë) në një veprimtari brilante të krijuesve durrsakë.

Së pari u vlersua dhe nderua i mirënjohuri i letrave shqipe por, njëherësh dhe përkthyesi i përkushtuar Iljaz Bobaj, i cili kishte përkthyer në gjuhën greke një përmbledhje me poezi nga krijimtaria poetike e mikut tonë, kryetarit të shkrimtarëve të Durrësit, Nikolla Spathari me titullin sinjifikativ “Do mbetet për gjithnjë Homeri”…

Folën për librin dhe dy autorët (poetin edhe përkthyesin) miq krijues të cilët i bënë analiza cilësore.

Moderatori i veprimtarisë, poeti i mirënjohur, liriku Agim Bajrami ftoi me mjeshtëri e xhentilencë poetë nga mbarë trojet shqiptare të recitonin poezitë e tyre.

 Juria, me kryetar Artistin e Popullit, shkrimtarin e regjisorin e njohur Gjergj Vlashi shpalli fitues poetin e ri Albi Lushi…

Më vonë, të gjithë sëbashku, si në një “dasëm” shqipesh, festuam mrekullisht!

Takuam miq të shumtë, disa, si Adem Zapllusha, Istref Haxhillari, Agim Bajrami, Trëndafile Molla, Bujar Balliu, Vilhelma Vranari-Haxhiaj na dhuruan librat e tyre më të rinj. Takuam të mirënjohuren e humorit Aishe Stari, botuesin Mujo Buçpapaj, Krijues të shumtë…Agim Berisha, Mimoza Rexhvelaj, Rudina Papajani, Anila Toto, botuesin e “Metaforës” Shaqir Galica, Ligor Shyti, Fatmir Musai, Lola Shehi, Hamdi Hysuka, Basir Bushkashi, Shqipe Hasani e plot emra të tjerë që për momentin (më vonojnë të “mbyll” shënimin)…Kërcyem, kënduam, recituam, bëmë humor pa fund…

Së fundi do nënvizoja thjeshtësinë dhe dashamirësinë e mikut të hershëm, këngëtarit Naim Kërçuku, i cili u “shkri” me ne të gjithë.

Falenderime të gjithëve, jetë të gjatë e rini të përjetshme 78 vjeçarit Nikolla Spathari, i cili bashkë me Agim Bajramin, Vladimir Muçën dhe Naim Kërçukun na “çliruan” magjishëm” në “dasmen” e përbashkët letraro-artistike!