Barqe të bardhë peshqish të vrarë

Tregim nga ILIR KADIA

Qëkur e emëruan komandant burgu ai e harroi gjuetinë e peshkut me dinamit.Kishte aq shumë punë! Dite e natë më të burgosurit.Vetë jam i burgosur jo ata, i thosh gruas tek i fërkonte barkun për ta ndjellë në seks në errësirë.Por ajo s’kish nevojë hiç për ferkim.Ishte gati para se ai të fikte dritën.Si bark i bardhë peshku i vrarë më je moj putanë,i pëshpëriste ai tek shfrynte tre ditë radhazi shërbimi mbi të.Ti shiko se mos të arratiset ndonjë nga burgosurit,atë bëj.Se na mori lumi po të larguan nga kjo detyrë.Me çfarë do i rrisim fëmijët pastaj.Me leshin tim të lagur?! Pa leri peshqit… Ajo dashas e ngacmonte atje ku atij i dhimbte më shumë. Një arratisje e ndonjë të burgosuri për ata do të ishte fundi i botës. Të tentonte të arratisej ishte gjysma e të keqes por të zhdukej përfundimisht ishte hataja.
Dhe hataja ishte duke ndodhur një ditë vere.Ai ishte duke dëgjuar lajmet e fundit në radio kur një breshërimë e zgjatur automatiku grisi errësirën e natës. Doli menjëherë në oborrin e burgut.Ushtari i kullës veriore kish qëlluar.Ai bënte shenjë me të bërtitura se ata ishin hedhur nga telat e gardhit që ngrihej vrik mbi lumë. Sa ata,sa ishin? Dy dhe u hodhën, ranë.Unë qëllova.Njërin e vrava, e di, tjetri u zhduk.Nuk di, nuk di… Ai ishte rrethuar nga policët dhe ushtarët e burgut. Ata deshën urdhër.Nxori pistoletën nga këllëfi e bëri shenjë ta ndiqnin.Doli ashtu si kish thënë ushtari i kullës.Në zallin e lumit poshtë burgut një trup i pajetë kishte rënë si kukull e madhe lecke.Po nëse ishin dy tjetri dukej se e njihte mirë lumin dhe do të kish qënë notar i zoti se kish bërë një fluturim prej zogu tre katër metra nga telat e kish rënë në mes të pellgut. Që andej do të kish vazhduar nëpër lumë për të humbur gjurmët dhe kush e di ku dilte para urës së madhe tre kilometra më tej në rrugën nacionale.Aty ndonjë shofer i makinave të qymyrit po ta merrte, atë e merrte lumi.Deshte të dinte kush ishte ai që mungonte dhe i thanë se ishte bashkëfshatari i tij, Qemal Shkoza.Ah ti Qemal dashke të ma futesh.Por unë të trajtova si mik kur më erdhe në burg.Të dhashë qelinë më të mirë.Atë që shihte nga fshati.Ti shihje shtëpinë tënde mëngjes, drekë e darke, unë dija dhe mbyllja një sy.Gruan tënde ta futa të parën kur kishte takimin e radhës.Miq s’i më parë s’mund të ishim se unë kam fëmijë për të rritur por aq sa munda të mora me të mirë.Ti të ma bësh këtë mor Qemal?! Dhe e ke bërë dashas se ti e di shumë mire se çfarë do të thotë që të më mungojë një nga inventari i të burgosurve mua. Po s’do të le të ikësh.Peshk barkbardhë të jesh bërë do të të ze!Do të më shohësh.
-Ikni ju! Krifeni lumin deri tek ura e madhe.Unë do të rri këtu tek pellgu ku është zhytur.Do ta ruaj kur të dalë.
Policët dhe ushtarët e panë siç shihet një i lajthitur.
-E mirë le të rrijë vetëm njëri nga ushtarët. Ju të tjerët nxitoni.
Ai u ul në zall dhe i nguli sytë pellgut. Me Qemal Shkozën kur ishin fëmijë ketu gjuanin peshk. Në fillim me kosha, pastaj kur u rriten me dinamit. Të dy e dinin sekretin e këtij pellgu.Poshtë rrënjëve të vjetra të pemëva të prera, kur u ndërtua burgu 30 vjet më parë, kishte ca dhomëza që u futeshe me zhyt dhe të linin të merrje pak frymë,aq sa për të mbajtur deri në dhjetë minuta.Ata të dy i kishin trembur sa herë shokët kur futeshin në këto dhomëza dhe dilnin pas minutave të tëra si lugetër.Njehere ai ish futur vetëm dhe këmba i kish mbetur lidhur në një rrënjë të vjetër shelgu. Po të mos kish qënë Qemali ajo punë e pat. Mirëpo Qemali llogariti kohën dhe kur u teprua u zhyt e vajti e nxori mikun e tij të zverdhur limon. Ai e dinte që e kish patur mik te mirë Qemalin por nuk kish si ta ndihmonte kur ai tre muaj më parë ra në burg se foli kundër regjimit. Shau keq Partinë kur e shoqja i tha se s’kish mese t’ja jepte atë copë bukë misri që kish mbetur nga darka…
Ai priti gjithë natën aty ulur në zall. Lumi sikur kish shterrur.Dielli lindi i nxehtë saç që me rezen e parë. I dogji qafën.Mendja i shkoi tek e shoqja. Kur ta merrte vesh që atij i mungonte në inventar një i burgosur ajo do ta shante atë nga nëna.Ai e dinte si shante ajo.Më keq se burrat në klubin e fshatit. Befas u çua më këmbë e zu të xhvishet.Hoqi në fillim koburen, pastaj këpucët e renda te ushtarit. Uji i freskët i pellgut i çoi mornica.Mori frymë thellë dhe u zhyt.Në me pak se tridhjetë sekonda doli.Shko,i tha ushtarit duke i shkelur syrin.Ushtari ia mbathi me te katra.Ai nxori paqetën “Partizani” nga xhepi i gjimnastorkes dhe ndezi një cigare më kembë.Ushtari erdhi saora.Dihaste si peshku në llum.Ai mori të dy kallëpet e dinamitit dhe bashkë me shkrepsen i futi në nje qese plastike.Shkoi me to në dorë deri në mes të pellgut.Pastaj qesen shtrënguar dhembësh u zhyt.Qemal Shkozën e gjeti lidhur këmba keq në rrenjët e të njejtit shelg.Rryma e lehtë e ujit herë ja zhyste herë ja nxirrte sytë nga siperfaqja e ujit të dhomëzave.Një tufë me peshq barqebardhe të mëdhenj nje pëllëmbë i çukisnin buzët dhe llapat e veshëve.Ai nxori shkrepsen nga qesja,e vu varur mbi rrenjet e thata të shelgut dhe ndezi fitilin.Kish nje minutë kohë për të dalë.I trembi peshqit nga syte e Qemalit dhe bëri te dalë serish me zhyt. Kur i dha shtymën e fundit trupit, duke i venë kembë mbi gjoks shokut të fëmijërisë, ju bë sikur këmba ju ngjit mbi trupin e tij dhe ngeci dhe ai në rrënjet e shelgut.E hengra, mendoi, ika. O nënë,o nënë! Fitili i dinamitit një cigare. E mendoi veten bashkë me Qemalin me bark të çarë mbi zall.Inventari në rregull shoku Minister!-i thosh fjalët e fundit Ministrit të Brendshëm me sy nga e shoqja…I dha dhe një të shtyrë tjeter Qemalit dhe në sekondë e pa veten mbi ujë.Dielli i nxehtë sikur e ftohu akull.Doli në breg.Dinamiti gjëmoi mbyturazi.Lëvizi tokë e ujë bashkë.Llumi i baltës se llagëmit doli mbi siperfaqen e ujit i gjakosur. Trupi i Qemal Shkozës pluskoi fërtele mbi ujë Ai i tha ushtarit të nxirrte në zall trupin e të burgosurit ndërsa vete mori gjimnastorkën, e bëri qese e zu të mbledhë për gruan peshqbarqebadhë lumi të vrarë që ajo do ja fustë në gojë si karamele ndërsa ai me sytë mbyllur do priste gjithë qejf sharjen e saj gjatë seksit: Je një bir kurve ti!
—-

Besoj të jetë i pari tregim i vëllimit të ri.Eshtë bazuar në një ngjarje të vërtetë.Kur nuk e gjetën dot nga kërkimet në lumë një të burgosur të arratisur nga Burgu i Bençës e nxorrën… me dinamit.