PAZARI I SHTATOREVE

Qyteti im bën kokrrën e qejfit gjashtë ditë të javës
Dhe të shtatën turret në punë: bash të dielën.
Peshqit barkbardhë të gjumit i rrotullohen nëpër sy
Ndërsa sfidon ligjin e shenjtë të Biblës.

Ndërsa sfidon ligjin e shenjtë të Biblës
Punon, vlon e zien me dihamë të dielën 24 orë
Me djepe e karroca fëmijësh në duar, me shiringa, me tabute, vigj, lëpunga:
Blen e shet, lind e vdes, te Pazari i Shtatoreve.

Te Pazari i Shtatoreve: me çeqe, me lekë në dorë, me euro, me dollarë, me poundë,
Ose me sende çkado: shtatoret shkëmbehen në natyrë
Me mallra si për shembull: një arkë me eshtra stërgjyshërish, një pako mbathjesh fëshfëritëse
Një qese me një copë shpirt të tkurrur, një ulurimë ujku, një gur prej qoshes së shtëpisë.

Shtatore mermeri dymijegjashtëqindvjeçare, shtatore ajri
Shtatore rëre nga dita e fundit në plazh, shtatore graniti
Të shkoqura me tonelata dinamiti prej shkëmbit kersh i gjallë, shtatore akulli
Shtatore të gdhendura në ahat nëntëqind vjeç të bjeshkës, shkulur e prurë në pazar me gjithë rrënjë.

Gjithfarë blerësish ua këqyrin dhëmbët shtatoreve njësoj siç bëjnë me kuajt arixhinjtë
E ato qajnë në heshtje me lot të rrumbullakët shtatoresh
Kryhet shitblerja e shtatoret dënesin kalakryquar në karroca, në kamionë rënë grumbull përmbys
Nëpër taksi dasme, në makina të zeza vdekjesh, në avionë.

Kah mesnata Pazari mbyllet për t’u rihapur ditën tjetër: 99 shtatore
Lihen kokëfortësisht në pritje ballë për ballë me një trup të gjallë cipricullak: me një grua,
Mbeten pa shitur, s’mund të ketë më ulje çmimi:
Për më pak se njëqind shtatore s’mund të jepet një kurvë.

(Mehmet Elezi, nga përmbledhja me poezi “Ulurimë ujku”)