Ballina Enciklopedi Gjigandi energjitik i Fierzës

Gjigandi energjitik i Fierzës

Nga Sadri Isufi

HC FIERZË: Gjigandi energjitik i ndërtuar me shumë sukses nga inxhinjerët e talentuar shqiptarë,mes tyre edhe shumë tropojanë.

Hidrocentrali Fierzë është vepra energjitike më e madhe në Shqipëri dhe ndër më të mëdhenjtë në Ballkan dhe Europë. Është hidrocentrali i sipërm i kaskadës së lumit Drin. Për nga fuqia e instaluar, pozicioni dhe vëllimi i rezervuarit, Fierza luan rol kyç për shfrytëzimin, rregullimin dhe sigurinë e gjithë kaskadës.

Punimet për ndërtimin e tij filluan në vitin 1971. Në 1978-ën filloi punën turbina e parë. Me kapacitet të plotë hidrocentrali u vendos në punë në vitin 1980.
Aktualisht, kapaciteti i HEC-it të Fierzës është 500 MW, me një nivel prodhimi afro 1.7 miliardë kilovat orë energji elektrike.
Për ndërtimin e kësaj vepre kanë punuar rreth 14,000 punëtorë, rreth 160 inxhinierë dhe qindra teknikë e specialistë ndertimi.
Të gjitha objektet dhe nënobjektet e kësaj vepre janë projektuar nga inxhinierë shqiptarë dhe janë zbatuar nga ndërtuesit shqiptarë.
Gjatë 10 viteve të ndërtimit të kësaj vepre,morën pjesë inxhinierët më të njohur të asaj kohe si Emin Mysliu, Ismail Ahmeti, Kiço Negovani, Leandro Zoto, Vasillaq Spaho, Enver Preza, Muhedin Muço, Jani Peta, Astrit Hana, Edmond Pinguli (Cangonji), Genc Ajazi, Besnik Bekteshi, Maksim Mitrojorgji, Shaban Bitri, Xhorxhi Mita, Rrapush Zyka , Ramiz Plaku, Fiqiret Dibra, Pëllumb Vladi, Jashar Poçi, Sabaudin Xhafaj, Gustav Nahvatal, Hiqmet Bramo, Bekim Kerçini, Xhemal Pema, Burhan Novaku, Nemira Gjeka , Kujtim Bejtja, Kujtim Damnori, Mevlan Balliu, Vullnet Sejdini,Vasil Laska, Burhan Turkeshi, Gezim Sala, Mehmet Haderi, Petrit Kovaçi, Shkelzen Omuri, Bashkim Caca , Xhavit Djepaxhia, Gjergji Note, Sotiraq Selenica, Ylli Mezini, Andrea Panazaqi , Musa Heta, etj.

Pjesë e kësaj liste janë rreth 150-160 inxhinjerë, mes të cilëve nuk mund të mos permënden brezi i atyre inxhinjerëve tropojanë të viteve 70,të cilët menjëherë pas diplomimit filluan punën në zbatim duke kontribuar në veprën më të madhe të ndertuar në Shqiperi , si Musa Goçi, Prëk Gjoka, Ismail Gega, Azem Shiqerukaj, Martin Geci, Alush Buçpapaj, Kolë Braha, Agim Sulaj, Ali Metaliaj, Sadri Isufi apo edhe teknikët Kolë Hamza, Gani Goçi, etj. Kontributi i këtyre ka qënë i madh por edhe i vlerësuar e i suksesëshëm, pasi jo vetëm që punuan për një kohë të gjatë nga 2 deri në 7 vite në vepër, por pjesa më e madhe e tyre për disa vite kanë patur detyra të Kryespecialistit në Degën Teknike të kësaj Ndermarrjes Nacionale, më të madhes në shkallë kombëtare. Gjithashtu shumica e tyre kanë qënë pjesë e stafit pedagogjik të Shkollës së Mesme të Ndertimit në Dushaj.
Një kontribut të veçantë kanë dhënë në vitin 1979 në ndertimin e disa shtëpive në fshatin Selimaj, të dëmtuara nga termeti i 15 prillit të atij viti.
Pjesa më e madhe e tyre edhe sot,megjithë moshën e madhe, vazhdojnë të punojnë në profesionin e tyre, disa nuk jetojnë më si Musa Goçi, Kolë Braha, Ismail Gega, Agim Sulaj e Kolë Hamza, për të cilët lutem që shpirti i tyre të pushojë në Parajsë. Nuk mund të mos evidentohet ky grup jo i vogël që përbëjnë rreth 5-6 % të stafit të inxhinjerëve dhe aq më tepër se mundësoi një përfaqësim jo vetëm sasior por edhe dinjitoz të rrethit Tropojë në ndertimin e HCentralit.

Këto shifra reale, hedhin poshtë tërësisht citimin e autorit të librit “Fierza e Dritës” se:”Numri i kuadrove (tropojanë) që kanë punuar në disa sektorë kryesorë të vepres dhe që janë shënuar më siper,është shumë i vogel në krahasim me të gjithë personelin inxhinjero-teknik”. Janë shkruar shumë kujtime e botuar disa libra nga autorë të shumtë mes të cilëve edhe nga tropojanë që kanë punuar dhe jetuar në atë kohë së bashku me ne në Fierzë,të cilët në librat e tyre kanë gjetur vend (dhe shumë mire kanë bërë) të evidentojnë çdo shofer nga Devolli apo Saranda,çdo minator nga Dibra e Kukësi, çdo karpantjer nga Dukagjini e Lushnja etj, por në asnjë rrjesht të qindra faqeve, të permënden emrat e këtyre specialisëve kontribues afatgjatë dhe në objektet më të rëndësishme si Salla e Makinerive,Vepra e Marrjes,Tunelet e Turbinave,Nënstacioni Elektrik,Hidromontimi,Makineria e Rëndë apo Dega Teknike. Personalisht nuk marr përsipër të jap argumentime,aludime apo hipoteza të mundëshme,megjithë bindjen time të konsoliduar për këtë; veç për një gjë jam i sigurtë :Nuk është thjesht harresë.
Shpjegimi mbetet në vullnetin e atyre që kanë marrë persipër të marrin rolin e shkrimtarit,historianit,komentuesit etj dhe që për shkaqet që vetem ata i dijnë; kanë bërë këtë anashkalim apo devijim nga e vërteta e njohur publikisht,e dokumentuar rigorozisht dhe e verifikueshme lehtësisht.