(Diaspora mund të ruaj unitetin e vet vetëm nëse reziston politikat partiake që zhvillohen në atdhe dhe vendlindje)
Në një shkrim autorial që kam publikuar në vitin 2009 ,kam bërë thirrje atëhërë, për depolitizimin e diasporës.
( http://www.malesia.org/…/depolitizimi-i-diaspores-cfare-ro…/)
Kur kam shkruar artikullin në fjalë kam pasur parasysh diasporën shqiptare në përgjithësi, me theks të veçantë diasporën shqiptare të SHBA-ve me prejardhje nga trojet e veta etnike nën Mal të Zi, pasi që faktori politik në vendlindje i kësaj pjese të diasporës është një ndër më të komplikuarit në hapësirën shqiptare.
Unë jam kundër politizimit të diasporës në kuptimin e mosngjyrosjes së saj me njollat e partive politike në vendlindje. Kam potencuar gjithënjë se diaspora duhet të udhëheqë gjithmonë një strategji me karakter afatgjatë kombëtar dhe në asnjë mënyrë të bëhet vegël e politikave ditore partiake në vendlindje e atdhe.
Gjithashtu,është vërtetuar tani se politizimi i diasporës ndikon
në mënyrë negative dhe ashpërson marrëdhëniet në mes pjesëtarëve të diasporës, posaçërisht kërcnon kompaktsinë dhe unitetin e saj.
Kur shoqatat apo organizatat e komunitetit përkrahin ndonjë parti të caktuar politike në vendlindje dhe atdhe, kjo bart në vehte rrezikun e mospajtimeve me pasoja përçarëse ,në rend të parë për vetë anëtarët e organizatave por njëherit edhe për pjesëtarët e komunitetin në përgjithësi.Gjithashtu,kur organizatat e diasporës shqiptare dalin haptas në përkrahje të ndonjë kandidati apo ndonjë partie të caktuar politike gjatë fushatave të ndryshme parazgjedhore në atdhe apo në vendlindje, faktikisht dashur apo padashur krijohen polarizime , tensione dhe përçarje të panevojshme në mesin e vet anëtarëve të organizatave,duke pasur parasysh preferencat dhe opinionet e ndryshme politike brenda vetë anëtarëve të këtyre organizatave.Njëkohësisht duhet përmendur edhe një fakt tjetër të pamohueshëm se ndasitë dhe përçarjet ndërmjet partive politike shqiptare në vendlidje reflektohen edhe në diasporë. Kjo vjen në shprehje posaçërisht gjatë fushatave parazgjedhore me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve, qofshin ata parlamentare apo lokale (vendore).
Është në rregull nëse organizatat apo shoqatat e komunitetit në diasporë bëjnë thirrje për unifikimin e faktorit politik shqiptar dhe daljen në zgjedhje me listën e tyre të përbashkët gjatë fushatave parazgjedhore,por njëkohësisht duke mos shfaqur preferenca për ndonjë subjekt të caktuar politik,por duke mbajtur një qendrim të paanshëm në këtë aspekt. Megjithate edhe ky veprim është dëshmuar si një praktikë tepër zhgënjyese për organizatat në diasporë të cilat vazhdimisht kanë bërë apel tek zgjedhësit që të votohen partitë shqiptare , parti këto të cilat pasi që mbledhin votat e shqiptarëve , këto vota pastaj ata i dërgojnë në koshin e partisë së pushtetit qendror (PDS-së)!.
Pas gjithë asaj çfarë u cek më lart, diaspora në asnjë mënyrë nuk duhet të hesht apo të jetë pasive për çështjet që kanë të bëjnë me bashkatdhetarët dhe me bashkëvendasit tanë në atdhe dhe vendlindje. Duhet të ngrihet zëri ndaj padrejtësive që bëhen shqiptarëve, jo vetëm nē Mal tē Zi por në të gjtha trevat tjera shqiptare jashtë Shqipërisë dhe Kosovës.
Historikisht, roli i diasporēs shqiptare sidomos asaj në SHBA ka qenë lobizmi dhe ndërgjegjësimi i çështjes kombëtare shqiptare dhe ky rol duhet gjithënjë të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi që çështja kombëtare shqiptare nuk ka përfunduar dhe ka ende punë për të bërë në këtë drejtim. Pra, diaspora shqiptare duhet të vazhdojnë të merret me çështjen kombëtare shqiptare por jo dhe me politikat e partive në atdhe .
Egziston një dallim i qartë i marrjes me politikë dhe angazhimin për çështjen e të drejtave kombëtare. Sqarimi më i thjeshtë i kësai do të ishte se marrja me politikë e diasporës ndodh atëherë kur individët apo organizatat nga diaspora me rastin e zgjedhjeve përkrahin ndonjë parti të caktuar politike apo ndonjë kandidat politik në vendlindje ose promovojnë programet e partive të caktuara politike në mërgatë. Kurse marrja me çështjet që preokupojnë bashkëvendasit dhe bashkëkombasit tanë dhe angazhimi për përmirësimin e pozitës së tyre shoqërore dhe kombëtare, ngritja e zërit ndaj pabarazisë, diskriminimit etj. si dhe ndërgjegjësimi dhe lobizmi pranë qendrave vendim-marrëse në botën përendimore, nuk është ” marrje me politikë” por duhet të kuptohet si shqetësim dhe brengosje e diasporës për atdheun e vet dhe kjo duhet të jetë motivi i veprimit të saj.
Një ndër mesazhet më kuptimplotë për diasporën na vjen nga akademik Agim Vinca,me rastin e vizitës së tij në SHBA në fund të vitit 2011,me ç’rast ai iu drejtu komunitetit shqiptar me këtë porosi :
” Ndiqni ngjyrat e flamurit kombëtar e jo të flamujve partiakë. Partitë vijnë e shkojnë, kombi mbetet.Partitë dhe liderët e tyre duan paratë tuaja dhe votën tuaj. Ju duhet të organizoheni në baza kulturore e kombëtare dhe kurrsesi mbi baza politike.Flamuri kombëtar, simbol i unitetit dhe i shpirtit liridashës të popullit tonë , duhet të jetë udhëtrefyesi ynë”.
Xheladin Zeneli
13 Qershor 2018