Pas bisedimeve të nivelit të lartë me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un në Singapor, Presidenti Donald Trump bisedoi me bashkëpunëtoren e Zërit të Amerikës Greta Van Susteren rreth asaj që u diskutua dhe pritshmërive për të ardhmen:
Van Susteren: Çfarë ju befasoi tek Kim Jong Un-i?
Trump: “Ai vërtet ka një personalitet të madh. Ai është një djalë i këndshëm, është shumë i zgjuar, është një negociator i madh. Ai e do popullin e tij, jo se unë jam i befasuar nga kjo, por ai e do popullin e tij. Dhe unë mendoj se kemi fillimin e një marrëveshjeje të jashtëzakonshme. Do të çnuklearizojmë Korenë e Veriut. Kjo do të fillojë menjëherë dhe shumë gjëra të tjera po ndodhin, duke përfshirë edhe gjetjen e eshtrave (të të zhdukurve). Ju e kuptoni, ju keni qenë mjaft e angazhuar në çështjet e Koresë së Veriut, por kthimi i eshtrave, Greta, është diçka mjaft e rëndësishme për aq shumë njerëz. Ata më kanë telefonuar, më kanë shkruar letra, “Ju lutem mund ta bëni këtë?” Dhe ai është pajtuar ta bëjë, mijëra njerëz, që vdiqën në luftë – kështu që kjo është një punë e madhe”.
Van Susteren: Pra, ju shtruat sot çështjen e të drejtave të njeriut në tryezë dhe si reagoi ai?
Trump: “Shumë mirë. Dua të them, patjetër që ne folëm për çnuclearization gjatë 90 për qind të kohës, por folëm edhe për shumë gjëra të tjera, duke përfshirë të drejtat e njeriut të cilat u përmendën, kthimi i eshtrave ishte një faktor i madh dhe në fakt ne e përfshimë këtë edhe në dokument, ishin në gjendje ta fusnim këtë në dokument. Ne arritëm të realizojmë shumë gjëra të mira në atë dokument, që ishte shumë më tepër sesa ajo që dikush mendonte se do të ndodhte.”
Van Susteren: Më jepni disa hollësi nga ajo që ndodhi në prapaskenë. A i bëtë atij ndonjë ultimatum, a ju bëri ai një ultimatum? Çfarë ndodhi në bisedimet mes jush?
Trump: “Jo, nuk pati ultimatum. Në të vërtetë ne jemi duke biseduar prej tre muajsh dhe kjo po bëhet përmes përfaqësuesve tanë të ndryshëm duke përfshirë Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, i cili ka bërë një punë vërtet fantastike. Pra, ne vazhdojmë të bisedojmë prej një periudhe mjaft të gjatë kohe dhe, kur u takuam sot, ne qysh në fillim vendosëm raporte të mira me njëri-tjetrin. Ju e kuptoni, për mua kjo është ora e 25-të e ditës. Kam 25 orë që nuk kam fjetur; kjo ka qenë një negociatë e gjatë dhe jam shumë krenar për këtë. Po fillon një proces. Ju e kuptoni se kjo mund të kishte përfunduar në një luftë, që mund të kishte rezultuar në shumë miliona njerëz; ju e njihni shumë mirë Korenë e Veriut, Seuli ka 28 milionë njerëz, që mund të kishte përfunduar me miliona nerëz të vdekur, por ne do ta përfundojmë me një marrëveshje.”
Van Susteren: Po për trupat tona? A do të qëndrojnë ato në Korenë e Jugut?
Trump: “Po, do të qëndrojnë. Ne as që e diskutuam këtë, kjo nuk u diskutua. Ne do të dalim nga manovrat luftarake që kushtojnë aq shumë para. Së pari, unë mendoj se ato janë shumë provokative prandaj dua që kjo të arrihet. Mendoj se ata janë shumë të gëzuar për këtë sepse është tepër provokative. Gjithashtu kushtonte jashtëzakonisht shumë. Ne nuk do ta bëjmë këtë për aq kohë sa të negociojmë në mirëbesim.”
Van Susteren: Çfarë e solli Kim-in në tryezë këtë herë pas një vringëllimi shpatash prej shumë dekadash?
Trump: “Në të vërtetë nuk mendoj se ka pasur shumë vringëllime shpatash përpara meje. Në thelb ka patur një qendrim heshtjeje, nuk donin të flisnin dhe kjo ishte e papranueshme. Mendoj se retorika e fillimit pati shumë rëndësi. Sinqerisht, ndonëse unë vetë e urreja këtë gjë, ndonëse disa njerëz mendonin se po bëja diçka të gabuar, besoj se pa këtë, nuk do të kishim arritur dot këtu. Mendoj gjithashtu se ai me të vërtetë dëshiron të arrijë një marrëveshje, ai dëshiron të bëjë diçka.”
Van Susteren: Por përse?
Trump: “Sepse ai e di se ne i marrim gjërat seriozisht. Mendoj se ai e kishte ndjerë këtë më parë. Mendoj se në të kaluarën, kur ishin njerëz të tjerë, kjo nuk funksionoi. Por ai e kupton se ne duam të bëjmë punë serioze, duhet të bëjmë punë serioze dhe do të bëjmë punë serioze. Dhe pikërisht kështu po veprojmë tani. Ju e kuptoni, jo shumë kohë më parë, ne qysh në fillim nisëm të flasim me një gjuhë të fortë për Korenë e Veriut. Por sot ne kemi nënshkruar një dokument, i cili është shumë e shumë më i rëndësishëm dhe më i plotë se sa mendonin njerëzit. Askush nuk mendonte se kjo do të ishte e mundur.”
Van Susteren: Çfarë besoni se ai mendoi për ju pasi u largua?
Trump: “Mendoj se ai më pëlqeu mua dhe unë e pëlqej atë. Unë e kuptoj të kaluarën. Që ai është një njeri i ashpër, këtë nuk ka nevojë të ma thotë askush. Atij i duhet të jetë i ashpër ose ka qenë njeri i ashpër. Por ne kaluam shumë mirë me njëri-tjetrin. Ai është i zgjuar, e do popullin e tij, e do vendin e tij. Ai dëshiron shumë gjëra të mira dhe kjo është arsyeja pse ai e bën këtë.”
Van Susteren: Por ai e ka ngordhur urie popullin. Është treguar brutal ndaj tij. Ende e do ai popullin e tij?
Trump: “Shikoni, ai bën atë që është parë të bëjë, nëse i hidhni një vështrim. Por, më duhet të gjykoj nga e dita e sotme dhe e djeshme dhe nga disa javë më parë, sepse në fakt gjërat po fillojnë tani. E përsëris, pa retorikën dhe pa sanksionet – sanksionet ishin shumë të rëndësishme dhe do të mbeten në fuqi deri sa ta shohim të arsyeshme – kjo nuk do të kishte ndodhur. Ne e shohim këtë pak a shumë tani, por sanksionet do të mbeten derisa ne me të vërtetë të fillojmë çmontimin ose t’i kemi çmontuar armët bërthamore”.
Van Susteren: Meqenëse po flasim përmes Zërit të Amerikës, kjo intervistë do të dëgjohet në Korenë e Veriut nga qytetarët e Koresë së Veriut. Çfarë doni t’u thoni drejtpërsëdrejti qytetarëve të tyre?
Trump: “Mendoj se përpara jush keni një njeri që ushqen një ndjenjë të madhe për ta. Ai dëshiron t’u bëjë atyre mirë dhe ne kaluam mjaft mirë me njëri-tjetrin. Patëm një puqje mjaft të mirë karakteri dhe ju e kuptoni sesa rëndësi i vë unë puqjes së karakterit. Është shumë e rëndësishme. Dua të them, unë njoh njerëz ku nuk ka puqje karakteri, ku sado të bësh ajo thjesht nuk ekziston. Ne patëm të drejtë që në fillim, kam folur për këtë dhe mendoj se gjëra të mëdha do të ndodhin për Korenë e Veriut”.
Van Susteren: Zoti Presidenti, më vjen mirë që u takuam. Kaq larg nga Uashingtoni.
Trump: “Është e vërtetë. Kishim kohë pa u parë. Tani më duhet të shkoj, që të mund të fle dhe të pushoj pak.”
Van Susteren: Ashtu është. Ju uroj rrugë të mbarë.
Trump: “Faleminderit Greta, ishte një nder i madh.”