“Janë shumë pak njerëz si ti, Sokrat…Lum, kush te njeh dhe uroj të jesh në shkallët më të larta të mjekësisë, sepse e meriton!. ..”
1.
Pothuajse, secilit nga ne i paraqitet rasti që të vizitohet në qendrat shëndetësore të lagjeve ose në poliklinikën qendrore shtetërore. Nuk do të flasim këtu për problematikat ose për mungesat dhe, jo rrallë, për papërgjegjshmërinë e korrupsionin e bluzave të bardha. Por, është fakt se, krahas anëve negative që paraqiten, takojmë e njohim edhe punonjës të përkushtuar në profesionin e tyre dhe në shërbim të pacientëve në nevojë.
2.
Ja, koha ecën me shpejtësi dhe përherë na duhet të ndeshemi me sëmundje, që nuk i dëshirojmë. Pa e zgjatur, shënoj këtu se, në tetor të vitit të kaluar u paraqita në Urgjencën e QSUT “Nënë Tereza”, për një shqetësim nervor. Ndër të tjera, më bënë një skaner e më thanë se “e lexuan” dhe nuk kishte gjë me rëndësi, prandaj duhej të kthehesha në shtëpi. Mirëpo, e vërteta nuk ishte pikërisht ashtu?! Më pas, unë pata rëndim të gjendjes shëndetësore, me gjithë kurat që bëja.
3.
Si çdo pacient tjetër, gjatë asaj kohe të shkurtër, në atë spital, më ra në sy figura e mjekut neurolog Sokrat Xhaxho. Çdo ditë, ai vinte nëpër dhomat e të sëmurëve, i shoqëruar me kolegët e tij më të rinj dhe interesohej për gjendjen shëndetësore të pacientëve, për mjekimin, ushqimin etj. Me atë buzëqeshjen, që i ravijëzon fytyrën, me fjalë të buta e optimiste, na jepte shpresa për një përmirësim të shpejtë. Pra, nuk ndihej zëri i tij i lartë në pavion, me bashkëpunëtorët, siç e kemi vërejtur jo rrrallë. Se ai zbatonte parimin: “Fjala e mirë, e ëmbël, të shëron, bashkë me ilaçet”. Po ai nuk mungonte të na këshillonte edhe për rregjimin, që duhej të mbanim pas daljes nga spitali etj. Synimi jo vetëm i Dr.Sokratit, por dhe i kolegëve të tjerë aty, është që t’u shërbehet edhe më mirë pacientëve, në të ardhmen.
Padyshim, secilit pacient i shkonte ndërmend pyetja: “Vallë, ky mjek i përkushtuar, gjithnjë buzagas e aq i qetë, a kishte problem familjare? Sigurisht që po, ashtu si ne të tjerët. Por ai i ka venë vetes qëllim që dijet e dij dhe forcat fizike, t’i vejë në shërbim të në sëmurëve, të cilaë kanë aq besim te ai.
4.
Nuk po mbylli këto radhë nderimi e respekti për mjekun neurolog, Dr. Sokrat Xhaxho, siç është praktikë e shkrimit të një gazetari. E kam fjalën për çmimin e vlerësimin e punës dhe përkushtimit të tij të pakursyer për të sëmurët. Nuk kam dijeni, në se i kanë dhënë ndonjë “Mirënjohje” ose dekoratë për punët e mira, që ai bën dhe gjurmët e pashlyera, që lë në jetën e të sëmurëve. Po, kush dëshiron ta hapë Internetin dhe do të shohë në Fb disa mesazhe dashamirëse, nga pacientë e bashkëpunëtorë të tij. Ata flasin me zemër të hapur, të lirë e pa interesa, si pacientë e familjarë të tyre dhe punonjës të një profili.
Duke kërkuar mirëkuptimin e lexuesit për zgjatjen pak të këtij shkrimi-portret, më pëlqen ta mbylli me fjalët, të cilat ka shkruar një mike e tij:
“Janë shumë pak njerëz si ti, Sokrat…Lum, kush të njeh dhe uroj të jesh në shkallët më të larta të mjekësisë, sepse e meriton!. ..”.
Tiranë,12 qershor 2018