Ballina Personazh Murat Basha shkon drejt pushkatimit tue këndue Hymnin Kombëtar

Murat Basha shkon drejt pushkatimit tue këndue Hymnin Kombëtar

Nga Murat Basha (i riu, nipi i tij)

7 Qershor 1945.
Pushkatohet Murat Basha vet i trembëdhjetë.Sot mund të njiheni me fjalën e z. Xhemal Alimehmeti, i cili ka qenë në dhomë me Murat Bashën dhe të tjerë deri në momentin që i morën për t’i ekzekutuar:”Ishim 14-15 vetë në dhomë, Murat Basha i qetë, po bisedonte me z. Xhemal Kusin kishte hallin e familjes dhe veçanërisht të djalit madh Akilit… une shifsha i çudit, si rri kaq i qetë, sepse i kishin lajmëru që në orën 10.00 do i merrshin me i pushkatu… Erdhën policët dhe ushtarët e togës pushkatimit, i nxorrën në korridor dhe i lidhën dorë për dore 2 nga 2. Murati thirri Fagun(Mustafa Vrapin)që ishte më i riu vetëm 19 vjeç dhe i tha: -”Hajde lidhemi bashkë”.. Mbasi i lidhën 2 nga 2 i lidhën dhe me nji tel me gjemba të gjithë bashkë nga fillimi në fund…Në këtë moment ndigjohet zani i Murat Bashës.”Na e bani hallall burra”…”Rroftë Shqipnia. Rroftë Mbreti”. Të gjithë u përlotëm, por disa edhe qanin me dënesë, të gjithë dolëm te dritaret e dhomave, duke pa…. Dolën në oborr, aty ndodhi diçka e tmerrshme. Nëna e Fagut (Mustafa Vrapit) ishte në oborr, kishte ardhë me taku djalin, kur e pa që po e çojshin me e pushkatu, filloi me ulërit me të madhe dhe thoshte:”Mos ma vrisni djalin….” Një ushtar ju afru dhe e goditi me kondak të pushkës, ajo ra pa ndjenja. Fagu kur pa nanën u ligshtu, atëherë Murat Basha i futi krahun dhe i thotë; ”Fag mbahu se je burrë, mos u dorëzo, ti je më i fortë se komunistat, Ne nuk ligshohemi nga plumbi dhe vdekja…
”Ndodhi e pabesueshmja Murat Basha filloi me këndue Hymnin Kombëtar, mbas dy tre sekondash edhe shokët e tij….e pasoi gjithë Burgu,ishte sa tragjike edhe madhështore, të shifshe ata burra që po shkonin drejt vdekjes duke këndu…..I çun drejt bregut lumit. Mbas pak u ndigjun krismat e armëve…. Nga ajo ditë, në burgun e Tiranës, kush shkonte me u pushkatu, këndonte Hymnin Kombëtar dhe kjo traditë mbeti prej Murat Bashës…

z.Xhemal Alimehmeti i përlotur nuk mundet me fol më.Falemnderit z. Xhemal Alimehmeti, për kujtimet që na solle, ti burrë i ndershëm dhe patriot.I lehtë të qoftë dheu dhe dritë të pastë shpirti.Këto fjalë z.Xhemal Alimehmeti i ka shkrujtë në gazeta të ndryshme,apo thënë në T.V, por edhe në Muzeun Kombëtar, në përvjetorin e Murat Bashës me rastin e rivarrimit të eshtrave të tij më 07.06.2008.