Analiza e politikës së Jashtme të krahasuar: kuptimi, historiku, objektivat, natyra dhe kuptimi i saj

Nga Alban BËRBATI – Pejë, Kosovë

Si nënfushë e marrëdhënievë ndërkombëtare, analiza e politikës së jashtme (APJ) ka veçorinë se fokusohet në aktorë specifikë dhe në raste studimore konkrete. Me “politikë të jashtme kuptojmë marrëdhëniet e një vendi ose aktori sovran me aktorë të tjerë, të jashtëm”.. Valerie Hudson jep një përkufizim shumë të gjerë, sipas të cilit, ‘Politika e jashtme është ajo strategji apo qasje e zgjedhur nga qeveria kombëtare për të arritur objektivat në lidhje me aktorë të jashtëm. Kjo përfshin dhe vendimin për të mos bërë gjë’.

Sipas Walter Carlsnaes, “Politika e Jashtme përfshin të gjitha ato veprime të cilat të shprehura në formë objektivash, apo direktivash eksplicite dhe të ndjekura nga përfaqësues qeveritarë, të cilët veprojnë në emër të aktorëve sovranë, adresojnë kushte të veçanta, aktorë të veçantë dhe objektiva të veçanta të cilët ata synojnë t’i ndikojnë dhe të cilët shtrihen përtej shperës së tyre të legjimitetit’.

Një tjetër përkufizim shumë më i gjerë i ‘politikës së jashtme’ është ai i Christopher Hill, sipas të cilit, ‘politika e jashtme është e të gjithë marrëdhënieve të jashtme (external relations) të një aktori të pavarur-kryesisht e një shteti – në marrëdhënie ndërkombëtare.

Këto përkufizime janë shumë të gjëra dhe përfshijnë shumë aspekte. Prandaj dhe nënfusha e analizës së politikës së jashtme është një fushë e gjerë, e cila përfshinë analizën e aktorëve, proceseve të formulimit dhe implementimit të vendimeve të politikës së jashtme, shkaqet dhe efektet e këtyre proceseve. Kjo mund të bëhet qoftë për raste studimore individuale, qoftë në rrafsh krahasimor mes dy a më shumë rastesh studimore.

Pavarësisht shkollave dhe qasjeve të ndryshme brenda fushës së APJ, mund të themi se bërja e politikës së jashtme përfshin disa faza ose hapa:

Vlerësimi i Ambientit të Brendshëm dhe të Jashtëm të vendimarrjes.

Me ambient të brendshëm kuptojmë aspekte të politikës së brendshme, ekonominë, modelin institucional, regjimin e një vendi etj.

Përcaktimi i prioriteteve dhe objektivave: Një shtet ka disa/shumë prioritete dhe objektiva të politikës së jashtme. Shtetit dhe vendimarrësve u duhet të vendosin në çdo moment specifik dhe në çdo kontekst specifik ndërkombëtar të vendosin se cilat janë synimet/objektivat kryesore.

Përcaktimi i opsioneve të politikëbërjes: Në varësi të objektivave, shteti duhet të përcaktojë dhe cilat opsione janë ideale për secilën situatë dhe cilat opsione janë të mundshme.

Vendimarrja formale: Pas përcaktimit të opsioneve optimale dhe atyre të mundshme, vjen momenti i  vendimarrjes. Përgjatë procesit kompleks të politikës së vendimarrjes në politikën e jashtme, ka shumë hallka dhe aktorë të cilët janë pjesmarrës. Megjithatë, aktorët të cilët janë përgjegjës për vendimarrjen janë disa: kryetari i shtetit, kryetari i qeverisë, ministri i jashtëm etj.

Implementimi i Opsionit të zgjedhur të PJ: Implementimi i politikës së jashtme bëhet nga specialistët dhe ekspertët e ministrisë së jashtme, këshilltarët, burokracia etj. Po ashtu, departamente të politikës së jashtme dhe sigurisë brenda ministrive të ndryshme, si dhe komisione (si psh komisioni parlamentar i politikës së jashtme, integrimit etj)

1.1

Pikësëpari do të argumentoj se analiza e politikës së jashtme duhet të marrë në konsideratë katër ndarje të rëndësishme konceptuale:

  1. Aktori-Struktura. 2. E brendshme- Jashtme. 3. Ngjarje-Proces. 4. Makro-Mikro

Kur flasim për aktorë-strukturë kemi parasysh: Kush është aktori kryesor i politikës së jashtme? Është shteti apo organizata ndërkombetare? Është një aktor si BE aktor i PJ? Si strukturë mund të shërbejnë institucionet? Apo dhe vetë sistemi ndërkombëtar?

Kur flasim për politikë të jashtme, a marrim në konsideratë nivelin e brendshëm siç janë sistemi politik, niveli ekonomik, liderat politikë etj?

Ndërsa për sa i përket ndarjes së tretë, duhet të dallojmë mes procesit të planifikimit të një veprimi të politikës së jashtme, implementimit, identifikimit të ‘armiqve’ dhe miqve’ etj nga njëra anë dhe një ngjarjeje specifike të politikës së jashtme të një vendi. A përbëjnë zgjedhjet politike një moment të PJ apo shpallja e programit qeverisës dhe orientimeve të PJ të një qeverie?

Për sa i përket ndarjes së katërt, Analiza e Politikës së Jashtme (APJ) merret jo me krejt sistemin ndërkombëtar por me veprime të aktorëve nën-shtetërore, specialistëve të politikës së jashtme etj. Prandaj Politika e jashtme nuk është Politikë ndërkombëtare.

Nëndisiplina e politikës së jashtme është një nënfushë e marrëdhënieve ndërkombëtare e cila ndodhet në pikëtakimin e disa disiplinave, si shkencat politike, psikologjia sociale, sociologjia e organizatave etj. Megjithëse ndikimi më i madh mund të thuhet me plot gojën se vjen nga shkencat politike. Kjo ngjashmëri ka pasur të bëjë me modelet e ndryshme që analistët e politikës së jashtme kanë huazuar nga këto disiplina të tjera  për të analizuar politikën e aktorëve të ndryshëm ndaj aktorëve të tjerë/të jashtëm.

Pra, përcaktimi i kufijve të nëndisiplines së politikës së jashtme është i pandashëm nga përcaktimi i nivelit të analizës dhe i metodologjisë që përdorim për të analizuar politikën e jashtme.

A është politika e jashtme si çdo politikë tjetër publike apo është politikë e një lloji të veçantë, duke pasur parasysh se përfshin marrëdhëniet e një shteti me “të tjerët”, me shtetet e tjera ose thjesht me ‘aktorë të jashtëm’. Përcaktimi se kush është aktori  jashtëm, një shtet apo një organizatë, një bashkësi shtetesh  apo bizneset  transnacionale bazohet gjithnjë në qasje/perspektiva të ndryshme teorike. Po ashtu, dhe përcaktimi se në cilin nivel të analizës përqëndrohemi-pra nëse përqëndrohemi te administratat, tek liderat, tek opinioni publik apo tek kultura politike dhe faktorët e brendshëm strukturorë si ekonomia etj- është i pandarë nga një perspektivë e caktuar teorike. Problematika e marrëdhënies mes aktorit dhe strukturës është thelbësore dhe për nënfushën e analizës së politikës së jashtme sepse çdo vendim që marrin në lidhje me nivelin tonë të analizës shpreh një preferencë tonën për strukturën ose agjentin/aktorin. Psh, nëse mendojmë se vendimi i SHBA-së për goditjen nga ajri të NATOS mbi ish–Jugosllavi në 1999 u bazua mbi kalkulimet ose/dhe personaliteti i Presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Bill Klinton, atëherë ne kemi adoptuar një qasje e cila bazohet te aktorët dhe jo te struktura. Duke u nisur nga kjo,ekzistojnë disa perspektiva të analizës së politikës së jashtme që nisën nga struktura dhe disa të tjerë që bazohen te aktori.

Marrëdhënia e Aktorit dhe Strukturës është një problematikë që në fakt i përket më shumë disiplinës se sociologjisë. Megjithatë, kjo është bërë problematikë e disiplinës së marrëdhënieve ndërkombëtare duke filluar kryesisht që me rënien e regjimeve komuniste, ndryshimin në shkencat sociale që kjo rënie solli dhe ngritjen e qasjeve kritike e konstruktiviste në Marrëdhënie Ndërkombëtare (Ka vend këtu për t’u përmendur artikulli i shum cituar i Alexander Wendt ‘Anarchy is What States make out of it’ (1992).

Në shumë vende  dhe universitete, Politika e jashtme studiohet si një dhe e pandarë me Sigurinë si Politikë e Jashtme dhe e Sigurisë (Foreign and Security Policy). Ky bashkim  vjen si pasojë e faktit se të dyja si politika e jashtme dhe siguria janë bazuar tradicionalisht në objektivën bazë, dmth ‘interesin kombëtar’-po të adoptojmë një qasje realiste apo/dhe neorealiste. Ashtu si siguria, dhe politika e jashtme merret me çështje të luftës dhe paqes. Ky bashkim -pra i sigurisë me politikën e jashtme-nuk është tronditur dhe nga kritikat liberale dhe konstruktiviste të realizimit në fillim të viteve 90. Qasjet liberale dhe konstruktiviste-siç do t’i diskutojmë dhe në javët e para të këtij kursi-kanë kontribuar në zgjerimin e objektit të analizës si të sigurisë ashtu dhe të politikës së jashtme.

II.Evolimi i fushës së APJ dhe shkolla e Analizës së Politikës së Jashtme të Krahasuar (APJK)

Analiza e politikave të jashtme të disa vendeve në rrafsh krahasimor është relativisht e re dhe daton vetëm nga mesi i viteve 60. Në të vërtetë që në fillesat e saj, nënfusha e APJK, lindi si kundërpërgjigje dhe kritikë ndaj studimeve tradicionale të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe kryesisht qasjeve realiste. Ndërsa këto qasje fokusoheshin kryesisht te aktorë shtete në formë holistike dhe universale- duke i parë këto shtete si kuti të mbyllura- studiuesit e APJK Në vitet ’60 filluan të ngulmonin në nevojën e ‘hapjes’ së shteteve pë të pare brenda tyre, për të identifikuar ato nivele analize më mikro dhe aktorë specifikë të cilët ndërveprojnë me aspekte të një konteksti të caktuar kulturor, ekonomik dhe politik për të prodhuar x vendime të politikës së jashtme të shtetit. Së dyti, paradigma realiste klasike parashikon që motivi kryesor i sjelljes së shteteve është ‘fuqia’: të gjithë shtetet synojnë dhe përpiqen njësoj të maksimizojnë fuqinë, sepse vetëm kështu mund të mbijetojmë në një botë anarkie pa autoritet mbi-shtetëror. Kështu, shtetet u përngjasojnë ‘topave të bilardos’, të cilët operojnë dhe lëvizin njësoj në lojë. Studiuesit e shkollës së APKJ thane së në fakt, shtetet vetë janë abstraksione dhe vendimet e tyre i marrin në fakt njerëz konkretë, brenda konteksteve të caktuara. Së treti, fjalori i realistëve përfshinte vetëm koncepte si ‘interesi kombëtar’, fuqia ushtarake, vetë-mjaftushmëri e shteteve, etj. Analistët e APJK argumentuan se ky fjalor nuk përfshinte faktorë si fuqia ekonomike, faktorë kulturorë, psikologjikë, etj të cilët ndikojnë vendimarrësit.

2.1 ‘Mjedisit’ i Vendimarrjes dhe ‘Ngjarja’ e Politikës së Jashtme

Fillesat e APKJ gjinden në punimet e Richard Snyderit mbi ‘ambjentin’ ose mjedisin e vendimarrjes. Kështu, në mesin e viteve 50, Snyder et. Al. argumentuan se vendimarrja e politikës së jashtme varet nga a) vendimarrës individual specifikë, dhe b) konteksti në të cilin ata operojnë.

Sipas Snyder et al (1954):<< Ne vazhdojmë ta mbajmë shtetin-komb si nivelin bazë të analizës sonë, por nuk mund ta pranojmë shtetin si një abstraksion metafizik. Në të kundërt, ne e vëmë theksin te vendimarrësit që operojnë në emër të këtij shteti. Vendimarrësit konsiderohen se operojnë në një kontekst të dyfishtë: të jashtëm dhe të brendshëm të cilët ndërthuren  në veprimet e vendimarrësve>>.

Por autori  që u mundua ta ‘shkencërizonte’  dhe ta sistematizonte analizën e politikës së jashtme është James N. Rosenau e kritikoi fushën për mungesën e teorisë dhe të metodologjisë shkencore : <<Thjesht të identifikojmë faktorët e rëndësishëm nuk do të thotë t’i masësh influencën e vërtetë; të identifikosh procese të cilat ndikojnë sjelljen e jashtme të aktorëve nuk do të thotë të shpjegosh si dhe pse këto procese kanë rëndësi në disa rrethana por jo në disa tjera”.

Rosenau ngulmoi qe efektet e disa faktorëve në politikën e jashtme të shteteve duhet të testohen nëpërmjët hipotezave shkencore të tipit ‘ nëse…atëherë…’.Kështu, ai u mundua të dilte përtej historive të përgjithshme diplomatike të cilat kishin qënë norma deri më atëherë.

Rosenau u mundua ta bënte këtë nëpërmjet konceptit të ‘parateorive’. Sipas  Rosenaut, Parateorite i ngjajnë blloqeve të ndërtimit, ose tullave kryesore. Krahasimi i këtyre elementëve ndodh para se të futen në punë për ndërtime objektesh të ndryshme, psh shtëpi, shkolla, baraka etj.

Sipas Rosenaut, koncepti i para-teorive të politikës së jashtme ka disa avantazhe si psh: a. lidh dhe teorizon ndërveprimin mes politikës së brendshme dhe asaj të jashtme. b. fokusohet në studime rastesh të veçanta, pra ‘case studies’ empirike duke u munduar të shpjegojë kushtet specifike të secilit vend dhe c.lejon për një analizë të politikës së jashtme të shtruar me kohë, në të shkuarën si dhe në të ardhmen (pra ka forcë parashikuese).

Megjithatë, krijimi i perspektivave teorike bazohet mbi ca presupozime tonat që nuk janë teorikisht të formuara, janë para-teorike.

Variablat kryesore (ose blloqet parateorike) të politikës së jashtme sipas Rosenaut, janë pesë:

1.individët, 2. Rolet, 3.faktorët qeveritarë, 4.faktorët shoqërorë, 5.faktorët sistematikë.

Po t’i marrim në shqyrtim një nga një, mund të themi së në rastin e politikës së jashtme të SHBA-së ndaj Kosovës në 1999, mund të marrim parasysh karakterin e Presidentit Klinton dhe jetën e tij personale; për sa i përket roleve në periudhën e Luftës së Irakut, mund të marrim parasysh rolet e aktorëve kryesorë, pra pozicionimin e tyre institucional dhe në marrëdhënie me të tjerët; për sa i përket variablit të tretë, marrim parasysh strukturën e brendshme të sistemit politik të një vendi; për sa i përket faktorëve shoqërorë këto mund të jenë faktorë që kanë të bëjnë me përbërjen etnike të një shoqërie, politikën politike etj; ndërsa me faktorët sistematikë kuptojmë ato aspekte jo-njerzore të ambjentit të jashtëm të një shoqërie.

Rosenau dhe kolegët e tij pranonin se politika e jashtme nuk mund të studiohej në tërësi: por sjellja e politikës së jashtme po. Në vend të “votës”- si variable të varur në studimet politike bihevioriste amerikane-APJK propozoi ngjarjen e politikës së jashtme. Ngjarjet mund të krahasoheshin nëpër  dimensionet e sjelljes, si nëse shfaqen pasoja positive ose negative, ose cilat instrumente të diplomacisë (diplomatike, ushtarake, ekonomike etj), janë përdorur në përpjekjen e ndikimit ose cili nivel anazhimi burimesh ishte i qartë. Sjellje aq të ndryshme si psh një luftë, një traktat apo dhe një vizitë shteti, tashmë mund të krahasoheshin dhe grumbulloheshin në mënyrë domethënëse teorikisht.

Nga mesi i viteve 50 deri në mesin e viteve 60 shumë studiues të politikës së jashtme filluan të grumbullonin të dhëna pafund në lidhje më ‘ngjarje’ të politikës së jashtme të vendeve  të ndryshme  dhe ti krahasonin ata sipas aksit të pesë variablave të mësipërm. Këta  studiues të cilët u munduan të ‘kuantifikonin’ faktorët’ faktorët më të rëndësishëm të politikës së jashtme, dhe të studionin në rrafsh krahasimor disa politika të jashtme njëherësh u vetëquajtën dhe ‘brezi i parë i APJ’.

Kritika ndaj APJK

Por në mesin e viteve 60, shumë studiues filluan të kishin Kritika ndaj studimeve të Rosenau-t dhe kolegëve të tij. Këto Kritika bazoheshin në disa argumente:

Duke u bazuar vetëm në pesë nocionet para-teorike, nënfusha e APJK veçohej dhe dallohej krejtësisht nga teoritë e mëdha të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kështu, në vend që të arrihej një zbatim në nivel mikro i këtyre teorive, ata shpërfilleshin fare.

Metodologjia sasiore dhe e njësuar e studiuesve të APJK vendoset kufizime të panevojshme mbi fushën e studimit, duke shpërfilluar kështu shumë metoda e qasje të tjera analize, kryesisht qasjet cilësore dhe të thelluara.

Fokusi i Rosenaut dhe APJK ishte kryesisht produkti i politikës së jashtme, pra ngjarja, ose vendimet e politikës  së jashtme. Ndërkohë kritizerët e brezit të pare vunë në dukje se në fakt procesi i vendimarrjes është po aq i rëndësishëm sa dhe vetë vendimi ose produkti i politikës së jashtme.

Modeli i pesë nocioneve para-teorike nuk ishte i aftë të reorizonte çështjen e ‘ndryshimit’ në politikën e jashtme: kur bëhej i mundur ndryshimi i kursit të politikës së jashtme të një vendi?

Teoricienët që u morën kryesisht më çështjen e ‘ndryshimit’ janë K.J Holsti, Kjell Goldmann dhe Charkes Hermann.

Në librin e tij: “Pse shtetet ri-pozicionohen: Ristrukturimi i Politikës së Jashtme në periudhën pas luftës” Holsti merret me problemin e ri-pozicionimit, pra të një ndryshimi të madh në kursin e PJ të shteteve. Në librin e tij, ri-strukturimi konceptohet si një proces i cili ndodh shpesh, nuk është gradual dhe përfshin disa sektorë të PJ njëherësh. Si indikatorë të ‘ri-strukturimit’, Holsti përmend ndër të tjera: nivelin e përfshirjes së jashtme të shtetit; politikat që kanë lidhje me depërtimin e shteteve të tjera; drejtimi i përfshirjes së shtetit jashtë kufijve të tij; angazhimet ushtarake dhe diplomatike. Duke u bazuar në këto karakteristika, Holsti propozon 4 tipe ideale të politikës së jashtme tështeteve: izolimi, varësia, vetëmjaftueshmëria ose pavarësia e plotë, dhe diversifikimi ose pavarësia e plotë, dhe diversifikimi ose mos-angazhimi (me asnjë aleancë ose partner në veçanti).

Në punimin e tij ‘Ndryshimi dhe stabiliteti në politikën e jashtme: Problemi dhe mundësitë e Detentës’ (1988), Kjell Goldmann fokusohet te koncepti i ‘stabilizatorëve’ të ndryshimit.

Kështu, Kjell thotë se që një shtet të ndryshojë radikalisht politikën e tij të jashtme, duhet ndodhë diçka e rëndësishme, pra një ngjarje (si psh 11 shatori për politikën e jashtme amerikane). Por thjesht ndodhja e ngjarjes nuk garanton ndryshim. Në çdo vend, në kontekstin  e brendshëm të tij, ndodhen disa faktorë ‘stabilizues’ që e ngadalsojnë ose e theksojnë efektin e kësaj ngjarjeje. Goldmann sugjeron rreth 13 faktorë stabilizues, që janë që nga faktorët politikë, administrative,konjiktivë etj.

Në librin ‘Ndryshim Kursi: Kur Qeveritë vendosin të ri-orientojnë politikat e jashtme’ (1990), Charles Hermann identifikon katër nivele ndryshimi kursi:

1.Ndryshime adjustative (pra ndryshime të vogla në interpretim të një politike);

2.Ndryshim në program (këtu qeveritë ndryshojnë si metoda ashtu dhe mënyrat e politikës së jashtme);

3. Ndryshim në identifikim problemesh dhe synimesh/objektivash (këtu ndryshohen vetë objektivat e politikës së jashtme).;

4. Ndryshim i orientimit ndërkombëtar: këtë e shohim kur kemi anëtarësimin e një shteti neutral në një organizatë ushtarake për shembull, ose anëtarësimin e vendeve ish komuniste në NATO dhe BE.

Studiuesit të cilët merren me procesin e vendimarrjes dhe me aktorë të tjerë përveç shoqërisë kombëtare si (si Rosenau) apo shtetin si Snyder et, al, dhe të cilët synojnë jo vetëm studime sasiore por dhe cilësore, janë quajtur brezi i dytë i analizës së politikës së jashtme.