Konflikti, varfëria dhe diskriminimi po kërcënojnë fëmijërinë në të gjithë botën. Sipas Raportit të dytë “Fundi i fëmijërisë” të publikuar nga organizata Save the Children, më shumë se gjysma e fëmijëve në mbarë botën, 1.2 miliardë në total, janë nën kërcënim nga këta faktorë.
Ndërsa situata u përmirësua në 95 nga 175 vende në raport, ndër to edhe për Shqipërinë, ndonëse e fundit e rajonit të Ballkanit, rreziku i një fundi të hershëm të fëmijërisë është ende i pranishëm në pjesën më të madhe të botës. Sipas raportit, Singapori dhe Sllovenia janë vendet më pak të kërcënuara, së bashku me pjesën më të madhe të Evropës Veri-perëndimore. Vendet më të kërcënuara janë të gjitha në Afrikë, me Nigerinë që renditet në fund të listës së raportit.
Në Ballkan, e para renditet Bosnja dhe Hercegovina, me kushtet më të mira për fëmijët, në vendin e 39-të të raportit, ndjekur më pas nga Serbia e 46-a, Mali i Zi i 53-ti dhe Maqedonia e 66-ta.