Nga dr. Islam LAUKA – Prishtinë
Këto ditë, Kuvendi i Kosovës miratoi dy rezoluta: një për heqjen e roaming-ut me Shqipërinë dhe tjetrën për heqjen e kontrolleve të dyfishta në kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë. Të dyja janë të nevojshme dhe të mirëseardhura. Të dyja u shërbejnë lëvizjes së lirë, komunikimit pa pengesa, pra integrimeve të mëtejshme ndërshqiptare. Si të tilla, ato janë në pajtim, jo në kundërshtim me integrimet europiane të të dy vendeve tona. Sepse të dyja rezolutat janë frymëzuar nga vlerat dhe praktikat e Bashkimit Europian.
Në këtë kontekst, janë krejtësisht pa vend kritikat se, gjoja, ato qenkërkan kundër liberalizimit të vizave dhe procesit të integrimit europian të Kosovës. Ato vlera dhe praktika që, prej dhjetëra vjetësh, janë dëshmuar si të dobishme midis vendeve europiane, përse qenkërkan të dëmshme në marrëdhëniet midis vëllezërve, siç janë shqiptarët?
Duke qenë se legjislativi kosovar e bëri punën e vet, i mbetet ekzekutivit të Prishtinës dhe të Tiranës që të marrin masat e nevojshme tekniko-organizative për sendërtimin e këtyre rezolutave në jetë. Sa më shpejt, aq më mirë.