Zyrtarët në Shqipëri po fillojnë një rivlerësim të gjendjes së personave me aftësi të kufizuara për të lehtësuar kushtet e jetesës dhe integrimin e tyre në shoqëri.
Pranvera Dika, një vajzë e re me mungesa tetraplegjike, thotë se “mungon gjerësisht infrastruktura e kryeqytetit për persona para dhe tetraplegjikë, po ashtu rrugët me gropa dhe transporti urban”, por ajo thotë se ka hasur “pengesa edhe për shkollim dhe studime, ndërsa pagesa që merr nga shteti është vetëm 100 dollarë për kujdestaren e vet”.
Nga ana tjetër, Eukliti ka arritur të përfundojë studimet e larta për psikologji, por tani e ka të vështirë të gjejë punë. Ai nuk ankohet për pagesat e ulëta apo për vështirësi të tjera nëpër rrugët e Tiranës, por ëndërron për një punë që ta fitojë jetesën vet. Kujdestarja e tij është njëkohësisht nëna e tij; ajo thotë se pagesat e ndihmës sociale për djalin janë tejet minimale.
Reforma e rivlerësimit të aftësisë së kufizuar sapo ka nisur me aktet e para ligjore.
Zëvendës-ministrja e shëndetësisë dhe cështjeve sociale, Bardhylka Kospiri është pjesë e këtij komuniteti jo të vogël.
Ajo thotë se “deri dje të rriturit dhe fëmijët vlerësoheshin nga një komision mjekësor, ndërsa rivlerësimi do të bëhet në komisione shumëpalëshe të veçanta dhe me kritere të veçanta.
Zonja Kospiri thotë se “kjo reformë nuk është thjesht një vlerësim mjekësor, por është vlerësim psiko-social tërësor për shëndetin dhe cilësitë e tyre për t’u shërbyer më mirë dhe për t’u integruar në shoqëri me punë dhe veprimtari”.
Të gjithë u mblodhën në një konferencë të Fondacionit të Personave me Aftësi të kufizuara, ku u shpalosën vlerësime për gjendjen e të vegjëlve, fëmijëve me aftësi të kufizuara, të cilët janë mbi 14 mijë e 500 vetë, edhe ata në kushte të vëshira jetese.
Organizata “Save the children” bashkëpunon ngushtë me këtë Fondacion, ku drejtuesja ekzekutive e tij Blerina Cani, thotë se 1 në 10 fëmijë shqiptarë has vështirësi në funksionet kryesore të jetës.
“Qëllimi ynë është që gjatë hartimit të ligjeve dhe praktikave në dobi të personave me aftësi të kufizuara, të mos harrohen dhe të mbahen gjithnjë parasysh të drejtat e fëmijëve, sepse nevojat e tyre janë shumë të veçanta, dhe madje me ata duhet nisur puna” – tha zonja Cani.
Qeveria sapo ka miratuar ngritjen e Fondit Social, i cili do të përdoret nga pushteti vendor, pasi të plotësohet nga një bashkëpunim më i gjerë i donatorëve vendas e të huaj.
Së shpejti pritet të miratohet paketa bazë e shërbimeve komunitare, duke tejkaluar shërbimet rezidenciale.
Numri i mësuesve ndihmës për fëmijët me aftësi ndryshe në shkolla u rrit nga 90 në 300 mësues dhe brenda këtij viti pritet të shkojë në 600 mësues ndihmës të trajnuar.
Shqipëria ka gjithsej afro 169 mijë persona me aftësi të kufizuara, nga të cilët mbi 67 mijë janë përfitues direkt pa qenë kontribues në skemën e sigurimeve shoqërore dhe pjesa tjetër janë njerëz të aksidentuar në punë.
(Kronikë nga “Zëri i Amerikës”)