Shqipëria ka çmimin më të lartë të energjisë elektrike në vendet e Ballkanit Perëndimor pas Malit të Zi, sipas të dhënave që publikoi sot Eurostat. Në raport me fuqinë blerëse, vendi ynë renditet e 21-ti në Europë për çmimin e lartë të energjisë, duke lënë pas edhe vende të tjera të zhvilluara, si Franca, Holanda, Suedia etj.
Eurostat vlerësoi se çmimi mesatar për 100 kwh energji në gjysmën e 2017-s në Shqipëri ishte 8.6 euro; në Serbi, 7 euro; në Maqedoni 8.1 euro; në Kosovë, 6.5 euro dhe në Malin e Zi, 10 euro.
Por çmimi i energji dyfishohet në Shqipëri në raport me fuqinë blerëse, duke shkuar në 18.9 euro.
Çmimet e energjisë elektrike në Bashkimin Europian u ulën mesatarisht -0.2% mes gjysmës së dytë të vitit 2016 dhe gjysmës së dytë të vitit 2017, për të qëndruar në një nivel mesatar 20.5 euro për 100 kwh.
Në të gjithë shtetet anëtare të BE-së, çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë në gjysmën e dytë të vitit 2017 shkonin nga nën 10 euro në 100 kwh në Bullgari, në më shumë se 30 euro për 100 Kwh në Danimarkë dhe Gjermani. Ndërsa çmimet e gazit të amvisërisë ranë me 0.5% mesatarisht
Rritja më e madhe e çmimeve të energjisë elektrike u vu re në Qipro dhe rënia më e madhe në Itali. Në vendet anëtare të BE-së, në Qipro u regjistrua rritja më e madhe e çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë. Në gjysmën e dytë të vitit 2017, çmimet u rritën me 12.6% në Qipro, ndjekur nga Rumania (+ 7.2%), Malta (+ 7.1%), Estonia (+ 6.5%), Mbretëria e Bashkuar (+ 5.3%), Bullgaria dhe Belgjika (+ 4.8%) dhe Polonia (+ 4.5%).
Në të kundërt, uljet më të mëdha janë vërejtur në Itali me (-11.1%), Kroaci (-7.5%), Sllovaki (-6.2%) dhe Greqi (-6.0%).
Çmimet mesatare të energjisë elektrike në gjysmën e dytë të vitit 2017 ishin më të ulëta në Bullgari (9.8 euro për 100 kwh), Lituani (11.1) dhe Hungari (11.3) dhe më e larta në Gjermani (30.5 euro), Danimarkë (30.1 euro ) dhe Belgjikë (€ 28.8). Çmimi mesatar i energjisë elektrike në BE ishte 20.5 euro për 100 kwh.
Ndërsa duke krahasuar çmimet në raport me fuqinë blerëse, çmimet më të ulëta të energjisë elektrike shtëpiake u gjetën në Finlandë 13.0 PPS për 100 kwh, Luksemburg (13.4) dhe Holandë (14.0) dhe më të larta në Gjermani (28.8), Portugali (28.0), Belgjikë (26.4), Rumani (26.0) dhe Poloni (25.4).
Më shumë se gjysma e çmimit të energjisë elektrike përbëhet nga taksat dhe tarifat në Danimarkë, Gjermani dhe Portugali.