1.
Muri i Berlinit, simbol i Luftës së Ftohtë e i ndamjes së hekurt të kombit gjerman në dy shtete me regjime të kundërta, u përtok’ në vjeshtë 1989 dhe Gjermania ia mbrrini të lartohet një e vetme: RFGJ. Ky shembëllim i madh i hapi udhë një epoke të re: Rendit të Ri Botëror.
I fundmi i Jugosllavisë Avnjoiste, diktatori antishqiptar Sllobodan Millosheviç, tue keqpërdor në ekstrem mitin e Betejës së Fushë-Kosovës në 600 vjetorin e saj, ia hoqi autonominë KSA të Kosovës, kreu një pushtim të gjithanshëm politik-ushtarak-ekonomik-kulturor të saj, çka i çoi shqiptarët etnik energjikisht e masivisht në demonstrata e protesta, në krijimin e partive të reja politike shqiptare, në Shpalljen e “Kosovës Republikë në kuadër të Federatës Jugosllave (2 korrik 1990) e të Kushtetutës së Kaçanikut (7 shtator 1990). Pra, nga Kosova nisi shpërbërja e RSFJ.
Në hemisferën tjetër të Globit, në bregun e përtejmë të Atlantikut, shqiptarët atdhetarë të Amerikës, tue ecë në traditën historike shqiptaro-amerikane të Rilindjes Kombëtare Shqiptare të para e pas Pavarësisë të 1912-tës, u ndie edhe një herë si dikur, ndoshta ma shumë se kurrë, refreni epope e epokal:
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë…
Në krahësi e korsi kombëtare sikurse Federata Panshqiptare “Vatra”, bash në fillvit 1989 themelohet Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL) me president ish kongresmenin amerikan (1984-1989) me origjinë arbëreshe, Joseph Dioguardi, e cila e elitoi Çështjen Kombëtare Shqiptare deri në Kongresin e Senatin Amerikan, tek Presidentët e Amerikës.
Kësokohe, emblema kombëtare shqiptare në Amerikë si Bruno Selimaj i Nokshiqit të Plavë-Gucisë, sëbashku me Jim (Xhim) Xhemën e Luginës së Preshevës, Hajdar (Harry) Bajraktari – themelues i të parës gazetë shqiptaro-amerikane “Illyria” në Nju Jork, prof. Sami Repishti, Rrustem Geci, Sejdi Bitici (Bytyçi), Salih Neza, Rexhë Xhakli, Din Derti, Shaqir Gashi e Osman Osmani, ndërmorën një lobing të pazakontë kombëtar, demokratik, politik. Këta ishin 11 veta elitarë, si një skuadër kombëtare shqiptare në Amerikë.
Sigurisht, të prirë nga ish-kongresmeni Diogardi i AACL e i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan, patjetër dhe me ndërmjetësimin aktiv e suksetiv të kongresmenit amerikan Tom Lantos, hebre, mik i madh i shqiptarëve, atëherit kryesues i Komisionit për Politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan, arritën të organizonin “Seancë Dëgjimi – Hearing” në Kongresin Amerikan kundër politikës shoviniste të Beogradit.
Kjo ishte një ngjarje e madhe historike për atë kohë të vështirë. Erdhën 20 intelektualë nga ma të përzgjedhurit në Kosovë. Iu printe dr. Ibrahim Rugova. Këtyre jo vetëm iu dëgjue zani në Kongres po dhe u vendosën ma mirë e ma fort urat e lidhjes së Kosovës me Amerikën. Edhe prej asaj dite e deri më sot. Edhe nesër.
2.
Diplomati i lartë amerikan, ambasadori Robert Gelbard, i dërguari i SHBA për Ish-Jugosllavinë, që kryente edhe mision ndërmjetësues për Kosovën, në një takim zyrtar publik në Prishtinë, në konferencë për shtyp, pikërisht më 23 shkurt 1998, e (keq)cilësoi UÇK-në si një “organizatë terroriste” (!).
Deklarata e tij e pathemeltë, elastike, e njëkahshme, me nguti të pakuptueshme, e mori dhènë kahmos, krijoi huti gjithandej, ngjalli polemika gjithkah, solli problematika gjithkund… Kësokohe, cilin shtet fqinjë apo territor të ndokujt tjetër e sulmoi UÇK?! Asnjë, askënd. Ishte në tokën e vet etnike. Kësokohe, në cilin rast apo aksion UÇK kreu sulme ndaj popullsisë së pafajshme e të paarmatosur? Askush, asnjëherë. Përkundrazi: paramilitarët, policia e ushtria serbe ishin terroriste kundër territoreve shqiptare, shovenë barbarë kundër popullsisë etnike shqiptare. Disa ditë ma pas vjen lufta e Adem Jasharit në Prekaz (4-5 mars 1998). UÇK merr udhë, vrull, zjarr, plagë, fitore.
Deklarata e ambasadorit amerikan Gelbard i shqetësoj shqipet edhe në Amerikë.
Prapë, Bruno Selimaj, njeri modest që kurrë nuk merr rolin e protoganistit, sëbashku me Dino Asanaj, Ekrem Bardha, Ilir Zherka, Dino Erbeli, pas një interesimi qytetar e kombëtar, më 13 mars 1998 takohen mbi dy orë me ambasadorin Gelbard në Departamentin Amerikan të Shtetit. Në kaq kohë folën të gjithë. Debate të forta. Kundërshti të mëdha. Apele të ndërsjellta deri në kërkesa e kushtëzime, etj.
Deklaratës së tij, akuzave të tij ndaj UÇK-së, grupi i veprimtarëve shqiptarë iu përball me fakte e argumenta të themelta, të ditës, në retrospektivë e perspektivë. Ata i pohuan ambasadorit Gelbard se informimet e tij për UÇK ishin të njëanshme dhe si pasojë edhe qëndrimet e tij ishin të tilla. Ata thanë se UÇK në Kosovë do të kryente veprimtarinë politiko-luftarake në bazë të Konventës së Gjenevës, etj. dhe do të gëzonte mbështetjen e plotë të diasporës në Amerikë.
Ambasadori amerikan Gelbard iu bani thirrje me hjek dorë nga angazhimet e tyne ndaj UÇK-së, nga Lufta në Kosovë. Ai e argumentonte se UÇK nuk ishte e organizuar, se lufta e tyre nuk do të sillte lirinë e Kosovës, etj. Ndoshta këto ishin bindjet e tij, po kishte brenda saj edhe diçka diplomatike: ai donte t’ua dinte këtyre pesë atdhetarëve shqiptarë përmasat e angazhimit në Luftën e Kosovës dhe, njëherash, nëpërmjet tyne të testonte edhe diasporën në Amerikë.
Në përmbyllje, të pestë, si grup, i rideklaruan në unison ambasadorit Gelbard, se nuk do të pushonin asnjë ditë të ndihmuari popullin e Kosovës deri në çlirimin e tij nga okupimi i serbëve të Beogradit. Këta, angazhimet e tyre për UÇK-në e Kosovën, i lidhnonin parimisht edhe me të drejtën e çdo qytetari amerikan që të ndihmojnë popujt të cilët luftojnë për liri.
Ambasadori amerikan në Shkup (Maqedoni), Kristofer Hill, që ka shërbyer si diplomat kariere devotshmërisht e lartësisht edhe në Tiranën zyrtare, gjatë një turi diplomatik në Kosovë, më 29 maj 1998, u takue me luftëtarë të UÇK-së, të cilët ishin civil, pa uniforma ushtarake. Bashkëbisedoi me ta.
Kur në Bruksel po mblidhej Këshilli i Ministrave të BE për të diskutue mbi gjendjen e re politiko-luftarake në Kosovë, më 8 qershor 1998 rivjen në Kosovë ambasadori amerikan Krist Hill, i cili rrugëton në Rrafshin e Dukagjinit luftarak. Viziton Gjakovën, Deçanin, Junikun… Sheh nga afër me sytë e vet djegjet e shkatërrimet e shtëpijave të shqiptarëve nga serbët si dhe shpërnguljet e mëdha e të pandaluna të popullatës shqiptare nga trojet e veta. Ambasadori Hill vinte pas ikjes së ambasadorit Gelbard në një detyrë tjetër. Përfaqësuesi i SHBA për Ish-Jugosllavinë e ndërmjetësues për Kosovën, ambasadori Hill, dukej se gjatë vizitës së tij të fundit në maj dhe qershor 1998 ishte mjaft i kthjellt në gjendjen reale në zonat e luftës në Kosovë ndaj mbetej i mendimit se pa riorganizimin e faktorit politik shqiptar në pajtim me rrethanat e reja, nuk do të ketë negociata të suksesshme me Beogradin.
Ambasadori amerikan Riçard Hollbruk, i deleguari i Presidenti Klinton e i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin, një ditë pas takimeve me Millosheviçin në Beograd e Rugovën në Prishtinë, më 24 qershor 1998, sëbashku me ambasadorin Hill, vizituan Rrafshin e Dukagjinit. Ata shoqëroheshin nga dr. Fehmi Agani, Veton Surroi, Blerim Shala e dhjetra gazetarë vendas e të huaj.
Në një kullë epike në Junik, në oden malësore të saj, ambasadorët amerikanë Riçard Hollbruk e Krist Hill takohen me luftëtarë të UÇK-së, kuvendojnë me ta. Aty, bahet një foto historike, Hollbruk me luftëtarin poet Hajdin Abazi (Lum Haxhiu), foto e cila bani xhiron e botës në mediat ma prestigjioze të planetit. Ishte hera e parë që zyrtarisht, një diplomat i lartë amerikan, takohem me njerëz që mbanin uniformën e UÇK-së.
Të nesërmen, më 25 qershor 1998, Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, James Rubin, deklaroi në Departamentin Amerikan të Shtetit se së shpejti mund të ndodhë një takim i udhëheqjes politike të UÇK-së me Millosheviçin…
Dy ditë ma vonë ndodh e papritura tjetër. Ndoshta e paparishikueshme, e besueshme. Ambasadori amerikan Gerbald, sipas gazetës “Neë York Times”, më 26 qershor 1998, takohet në Zvicër me dy përfaqësues politik të UÇK-së në Perëndim, me Bardhyl Mahmutin e Ramadan Avdiun. Diplomacia Amerikane është Diplomaci elitare.
Njana mbas tjetres i rendova tana këto fakte të realitetit politiko-ushtarak të Kosovës, në lidhje me qëndrimet diplomatike amerikane për UÇK. Deshta për me shique e kuptue kjart e bindshëm se vizioni, mendimet e qëndrimet edhe të këtyre pesë shqiptarëve kombëtarë të diasporës shqiptare në Amerikë: Bruno Selimaj, Ekrem Bardha, Dino Asanaj, Ilir Zherka e Dino Erbeli, në takimin e debatet me ambasadorin Gelbard ishin të drejta, bartnin të vërteta, të dëshmuara në kohë, në historinë shqiptare.
Ramiz LUSHAJ