Ballina Aktualitet “Qyqëlleku” i qeveritarëve tanë karshi politikës ndërkombëtare

“Qyqëlleku” i qeveritarëve tanë karshi politikës ndërkombëtare

-Intervistë me msc. Adem Lushaj, drejtor i “Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur” me seli në Deçan, mësimdhënës dhe gazetar në komunën e Deçanit, dhënë Portalit “Limit.al” –

Limit.al:

-Kush është Adem Lushaj?

Adem Lushaj:

-Fillimisht, dëshiroj të përshëndes stafin e mediumit tuaj, e në veçanti mikun tim të çmuar, z. Ramiz Lushaj, me të cilin kemi mbiemër të njëjtë, por në fakt nuk kemi asgjë të përbashkët në aspektin familjar. Pra, jemi mirënjohës për mundësinë dhe hapësirën mediale që na ofroni, për prezantim të angazhimeve tona profesionale, e mbi gjitha për angazhimet si pjesë e shoqërisë civile.

I lindur me 01.12.1965 në Shaptej, komuna e Deçanit, në një familje me gjendje jo të mirë materiale. Duke qenë fëmiu i dytë (pas motrës), në mesin e 11 fëmijëve që ishim, më ra barra e përgjegjësisë familjare. Pas përfundimit të shkollës fillore në Irzniq të Deçanit, kemi vazhduar në gjimnazin “Vëllezërit Frashri” të Deçanit, drejtimin Matematikor. Më pas, kemi përfunduar studimet në të njëjtin drejtim (Matematikë), në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Bajram Curri” të Gjakovës, në periudhën 1985-1987. Me të përfunduar studimet në afat rekord, duke hy në historinë e kësaj shkolle, kemi regjistruar Fakultetin e Matematikës në Universitetin e Prishtinës. Mirëpo, për shkak të ndryshimeve politike dhe gjendjes materiale, kishim ndërprerë këto studime. Pas përfundimit të luftës (1998/99) kemi përfunduar studimet në drejtimin Matematikë-Informatikë, duke marrë titullin Bachelor i Matematikës. Në vitin 2013, pas kryerjes me sukses të provimeve në Kolegjin e Biznesit në Prishtinë, përfundojmë studimet master, duke marrë titullin “master shkencor në ekonomi”. Në mungesë të kushteve për vazhdim të doktoraturës (në vitin 2018), përfundojmë edhe studimet e dyta master, duke marrë titullin e dytë shkencor “master në menaxhim të mjedisit”,studime të kryera në Universitetin “Haxhi Zeka” të Pejës.

Që nga viti 1987, jemi duke punuar si mësimdhënës i Lëndës së Matematikës, së pari në Gramaqel, pastaj edhe në Irzniq, Gllogjan dhe tashmë në Rastavicë të Deçanit. Për një kohë ishim drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, dega në Deçan, e që nga viti 2000, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur” me seli në Deçan. Po ashtu, që nga viti 2008, jemi gazetar i gazetës nacionale Bota Sot dhe Botapress, ku një periudhë edhe si gazetar i “Koha Ditore”. Kohë pas kohe shkruajmë edhe në Radio Kosova e Lirë, në Filolet, e së fundmi, duke falënderuar mikun tim (Ramiz Lushaj), shkrimet tona publikohen edhe në Nacional dhe në Limit.al.

Limit.al:

-Zotëri Lushaj! Shoqëria civile është faktor me rëndësi për zhvillimet demokratike, sidomos në vendet në zhvillim. Ku është shoqëria civile në Kosovë, e sidomos në Deçan?

Adem Lushaj:

Pas përfundimit të luftës (1998/99), fillimisht ishim pa institucione, e më pas edhe me institucione të brishta dhe pa përvojë demokratike. Bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), mori mbi supe të ndihmojw në krijimin e institucioneve, ku rëndësi të veçantë i kushtoi edhe shoqërisë civile. Ndër organizatat e para me bazë në Deçan, ishte “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur”, e cila doli të jetë promotor i shumë zhvillimeve demokratike, jo vetëm në komunën e Deçanit. Kjo shoqatë, për 18 vite barti përgjegjësi të shumë aktiviteteve politike e jo politike, ngase fitoi përkrahjen dhe besimin qytetar, partiak dhe institucional. Si drejtues i kësaj shoqate, shprehim mirënjohje për të gjithë ata që në mënyrë direkte apo indirekte, ishin pjesë e projekteve tona, të realizuara në shumë qytete të Kosovës.

Limit.al:

Deçani, jo rrallë herë është në qendër të vëmendjes për zhvillime të ndryshme, e të cilat ishin përballw me reagime qytetare. Disa herë kemi parë reagimet edhe të shoqërisë civile, posaçërisht të tuajat për këto zhvillime. Për çka bëhet fjalë më konkretisht?

 Adem Lushaj:

Komuna e Deçanit shtrihet në pjesën perëndimore të Kosovës, duke u lidhur me shtetin amë të Shqipërisë dhe me Malin e Zi. Pra, Decani kufizohet me trojet shqiptare nga të dy shtetet (Tropojën dhe Plavën). Pas përfundimit të luftës, komuna e Deçanit doli me mbi 500 të vrarë e të zhdukur, infrastrukturë të shkatërruar mbi 90 përqind. Por, me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare është arritur të sanohet infrastruktura e duhur për jetë, ndërsa tash synohen projekte zhvillimore. Komuna jonë si shtylla të zhvillimit i konsideron bujqësinë dhe turizmin, ngase disponon me resurse të pëlleshme natyrore. Masivi i Bjeshkëve të Nemuna, ka shtrirje sipërfaqësore në Deçan, duke bërë që resurset e kësaj komuna janë ndër më të begatat, në gjitha trojet shqiptare. Por, këto resurse nuk po mund të shfrytëzohen, ngase ndikimi negativ i manastirit të Deçanit dhe politikës së “fëlliqur” që zhvillohet në Kosovë, po pengon zhvillimin e turizmit të kësaj komune. Politika vendore e ndërkombëtare që zhvillohet në Kosovë, është favorizuese për Manastirin, duke sjellë vendime të dëmshme për deçanasit. Këtu do përmend vendimet politike të gjykatave të Kosovës, të cilat marrin pronat tona pa asnjë bazë ligjore, duke ia dhënë në pronësi të Manastirit. Këto vendime ishin kundërshtuar dhe po kundërshtohen nga institucionet komunale dhe qytetarët, ngase janë vendime të dëmshme për zhvillimin ekonomik. Pushimorja e fëmijëve “Pishat e Deçanit”, Fabrika e mjaltit “APIKO” dhe Kompleksi Hotelier “ILIRIA”, ishin gjenerator të zhvillimit të kësaj komune. Por, fatkeqësisht, këto ndërmarrje, me vendimet e ndikuara politike, duke fuqizuar vendimet e qeverisë së dhunshme të Millosheviqit, janë kalojnë në pronësi të manastirit i cili në vend se të jetë objekt turistik që ndihmon zhvillimin tonë, është shndërruar në pengesë të këtij zhvillimi. Këtu më duhet përmend edhe vizitën e presidentit të tashëm të Shqipërisë Ilir Meta, i cili në cilësinë e Kryeparlamentarit, kishte dalë kundër interesave të qytetarëve të Deçanit. Shoqëria civile, në përkrahje edhe të subjekteve politike të Deçanit, ishte vënë në kundërshtim të Vendimit të Dhomës së posaçme të Gjykatës Supreme. Mirëpo, ndikimet politike të Manastirit, kishin ndikim më të madh te faktori ndërkombëtar, ashtu që përfaqësuesit tanë “kukull”, nuk ishin të aftë të marrin vendime për interesa të qytetarëve.  Kështu që (pos gjyqtarit Bekim Sejdiu), anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, pa asnjë bazë ligjore, por me ndikimet politike, na ndëshkoi tmerrësisht, duke treguar fytyrën e tyre të turpëruar.

Limit.al:

-I nderuar z. Lushaj. Jeni aktiv në kundërshtim të ndërtimit të hidrocentraleve në grykën e Deçanit, sikurse që ishit edhe në mbrojtje të lumit të Valbonës në Tropojë. Pse?

Adem Lushaj:

Si qytetar, e në veçanti që i përkas fushës profesionale në turizëm, përkatësisht në menaxhim të mjedisit, nuk jemi kundër shfrytëzimit të resurseve natyrore për zhvillimin ekonomik. Pra, nuk jemi kundër shfrytëzimit të resurseve që janë në Grykë të Deçanit, as të Valbonës, as të Rugovës…..Por, shfrytëzimi i këtyre resurseve duhet të jetë në atë masë që është e mundshme, gjithnjë duke menduar edhe për gjeneratat e ardhshme. Koncepti i zhvillimit të qëndrueshëm, përkon me atë se resurset duhet shfrytëzuar aq sa ke nevojë, por duke lënë edhe për gjeneratat që vijnë pas nesh. Ky koncept i zhvillimit, duhet përfill tri komponentët, atë ekonomik, social dhe mjedisor. Në Grykë të Deçanit është bërë ndërtim i egër pa kritere profesionale, duke mos përmbush asnjërin nga komponentët e zhvillimit të qëndrueshëm, këto hidrocentrale janë ndërtuar për interesa te Manastirit të Deçanit, e assesi për interes të zhvillimit ekonomik. Këto hidrocentrale kanë shkatërruar natyrën, kanë rrezikuar mbijetesën e florës dhe faunës. Pos këtyre ndikimeve negative, ndërtimi i tyre është bërë në kundërshtim me Ligjin e vitit 2008 për Zonat e veçanta. Jo që jemi përkrahës të këtij ligji, ngase sanksionon Komunën e Deçanit, por jemi kundër asaj se për interesa të Manastirit, nuk është telash nëse shkelet ligji. Bashkësia ndërkombëtare nuk lejon ndërtimin e asfaltimit të rrugës, e cila mundëson zhvillimin e turizmit, këtë rast edhe të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, që sipas tyre është shkelje ligjore. Në anën tjetër, lejon ndërtimin e HEC-ve, edhe pse është kundër ligjit, sikurse që degradon natyrën. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka bërë krim në mjedisin deçanas. Ndaj, edhe këta zyrtar që kanë lejuar një gjë të tillë, nuk mund të quhen ndryshe, pos kriminel. Në komunën e Deçanit janë zhvilluar politika dyfytyrëshe. Njëra përkrahëse dhe mbyllje të syve në interes të Manastirit, ndërsa pengesë dhe akuzues për shkelje ligjore, sa herë janë në pyetje qytetarët e Deçanit, e nuk fërkohen me Manastirin.

Limit.al:

-Jeni edhe gazetar, pos punës së rregullt në arsim. Ku është gazetaria në Kosovë? Sa jeni të përkrahur apo të kundërshtuar nga politika që zhvillohet në Kosovë?

Adem Lushaj:

-Eh….roli i mediave është i jashtëzakonshëm në zhvillimet e një vendi. Mediat janë shtytës të zhvillimeve, por edhe çdoherë në presion të politikës. Nuk mund të themi se nuk kishim përkrahje të mediave, qoftë të shkruara apo vizuale. Mirëpo, ndikimet ishin të vogla karshi ndikimeve që ka Manastiri në politikën kosovare. Kur themi në politikën kosovare, kemi të bëjmë edhe me politikën vendore, edhe atë ndërkombëtare. Në zhvillimet në Kosovë, dominuese është politika amerikane, gjë që edhe iu jemi mirënjohës për ta. Por, ndikimi i politikës ndërkombëtare nuk ishte i drejtë, sa herë të del në skenë, Manastiri i Deçanit. E sa për politikën vendore, as që vërehet në raport me ndikimin e këtij Manastiri. Qeveritarët tanë janë treguar të paaftë, apo më mirë të themi “qyqëlleku” i tyre, karshi politikës ndërkombëtare.

Limit.al.

Në fund….

Adem Lushaj:

Sërish shpreh falënderime për mediat, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Më lejoni të shprehë falënderime të përzemërta për mediumin tuaj, e duke iu thënë se, do jemi çdoherë në gatishmëri, të kontribuojmë në plasim të lajmit, plasim të së vërtetës.