Nga Valbona Jakova
Trupi i tokës sime nuk u prek.
Në venat e saj të nëndheshme
Rrjedh ende misteri i kohës.
Në venat e mija
rrjedh emri i saj.
E shtyrë nga njera tokë tek tjetra
bie në thellësitë e një gjuhe të hershme…
…prapa, nga këtu shumë larg…!
mbi prehër të lashtësisë,
tek gryka e labirintit të lodhjes,
buzë fillimit të paskaj
të çfaqjes së zërave…
Aty hyjnoret Zana
Nëpër shtigje ruajnë malet
Të lidhura varg,
vallet duke ua shtuar
një bekim i përjetshëm.
Në të aguar të një ëndrre,
nga përjetsia m’u afrua një Zanë.
Në tjetrën anë,
në jeshile ndriçuar
ngrihej një qytet i vjetër.
Midis, një det shprese shkumbëzonte
si mijëra gojë.
Në zhurmë dallgësh Klotoja
endte fillin papushuar.
Vdekja ulërinte në gjuhëra terri.
Male uji thërmoheshin në fjalë.
Atropozis gërsherët mbante hapur
copa zërash të zinj duke prerë,
ngjyrosur në zhytje tmerri.
Për tërbimin e atij ferri s’kishte metër,
Në bregun tjetër
Orët e qytetit thërrisnin
Orët e të parëve të mi.
Këmbanat e zemrava të tyre
Jehonin në lutjen time.
Në qiellin e hapur,
premtimi i zemrës sime
këmbanë e pakufi.
Mbi stuhi Zana e Orë vallzojnë
e shtangin detin si dikur luftëtarë.
Muji, në gojë të shpirtit më derdh fuqi
duke ushqyer fjalë.
Shoqe më bën me hyjni.
…Larg mbeti toka ime…
Në venat e saj të nëndheshme
rrjedh ende misteri i kohës…
Në venat e tokës tjetër
qarkulloj si gjak i njejtë.
Në metrotë e labirintit të lodhjes
Babele bashkon gjuhë
lartësi duke ngritur
si torre e shenjtë
Koha e re vallzon mbi shpirtin fillestar
Mbi trup të gjigantit këmbanat e kishave
hyjnë në garë e
zgjojnë një premtim të vjetër…
Në këmbë, pranë më rri një shtojzovalle e huaj.
Bashkë me të nuk druaj
të gjunjëzohem përpara madhështisë së Marisë.
Me mermerin e shenjtorëve zbukurohen, Zanat,
e brenda tyre zhduken,
ndërsa dritat përreth shtohen.
Valbona Jakova
Poeteshë e përkthyese. Jeton në Itali, Brescia, prej vitit 1991. Veprat e saj me poezi janë : 1995 “ Enigmat e pasmesnatës”, 1998″ Kujt i takon kjo buzëqeshje e brishtë”. Përkthen përmbledhjen me 37 poezi të Ungaretti, dhe”Njëzet poezi dashurie e një këngë dëshpërimi“ të Neruda. Viti 2000 ” Përse besoj në Medjugorje?” të Padre Livio Fanzaga 2001 bashkëautore me Ramona Parenzan për tekstin shkollor: “Ti racconto il mio paese” 2003 përkthen “Il Falsario”– “ Falsifikuesi” të Padre Livio Fanzaga. 2006 bashkëpunon për tekstin dygjuhësh për fëmijë të Sokol Jakova “Donne cacciatrici e perfidi imbroglioni. 2007 librin për fëmijë “ Gërshërët e erës”. 2010 librin me poezi ” La tempesta delle ore” “ Shtrëngata e orëve” 2012 përkthen Padre Camillo Libardi ” Si u bë mbret i Shqipërisë Ahmet Zogu Viti “2013 ” Poetre I” e “Poetre II”. 2017 përkthen në italisht poetin Fahredin Shehu “Elisir” Viti 2016 përkthen: “ I poeti accendono solo lampade” ” Poetet ndezin vetëm llampa”.