Tiranë, 26 maj 2018 – Mediat e huaja i kanë bërë jehonë protestës së opozitës për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj. Associated Press, Washington Post e ABC News mes të tjerash, kanë pasqyruar zhvillimet kryesore të tubimit, hedhjen e sendeve të forta në drejtim të godinave qeveritare, përplasjen e dhunshme mes protestuesve e policisë, si dhe plagosjen e kryeredaktorit të Rilindjes Demokratike Bledi Kasmi.
Protesta anti-qeveri e opozitës është pasqyruar edhe në mediat e huaja. Prestigjioze si Associated Press, Washington Post, ABC News raportuan se mijëra mbështetës të opozitës ju bashkuan protestës për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzojnë për lidhje me krimin e organizuar.
Të udhëhequr nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, protestuesit marshuan përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit në Tiranë, me thirrjen “Rama ik”. Mediat gjithashtu raportuan se demonstruesit, të cilët mbanin flamuj të Shqipërisë e Bashkimit Europian, goditën me sende të forta godinën e kryeministrisë dhe ministrinë e brendshme.
Ndërkombëtarët pasqyruan gjithashtu edhe përpjekjen e protestuesve për të thyer kordonin e policisë, ndërsa nuk mbeti jashtë vëmendjes edhe plagosja nga përplasja me policinë e kryeredaktorit të Rilindjes Demokratike Bledi Kasmi.
Shkrimi i prestigjiozeve vijon me falenderimin e kryeministrit Rama në Facebook, për demokratët të cilët nuk mbështesin qeverinë e që sërish nuk pranuan të ishin pjesë e kësaj proteste.
Në mbyllje të raportimeve, mediat e huaja bëjnë një kronologji të ngjarjeve që çuan në këtë tubim të opozitës, duke përmendur akuzat e demokratëve për ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj dhe mbështetjen e aktiviteteve të vëllait të tij lidhur me drogën. Më parë këtë muaj, Agron Xhafaj u vetëdorëzua tek autoritetet italiane për të kryer një dënim të dhënë në vitin 2002. Ministri Xhafaj mohon pretendimet, ndërsa ka premtuar dorëheqjen nëse vërtetohet e kundërta.
Shkrimet përmbyllen me perspektivën e nisjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian muajin e ardhshëm.
/Ora News.tv/