Pasho Tarko më ngjalli babain sot!

Nga ILIR KADIA

I hipëm urbanit fill pas Teatrit tek “Sahati“ dhe… një plak me republikë zu monologun me zë të lartë! Mësuam në pak sekonda se kish qënë oficer, se që të mbash rininë duhet ti japësh punë, se grekut i kishim treguar vendin e se Mehmet Shehu ish burrë, se… nuk i them të tjerat se ishin si të gjithë veteranëve të luftës. E mora për të dehur se ngrinte zërin dhe çava njerëzit e shkova i dhashë shishen me ujin tim. Pastàj u ktheva tek Nini në mes të autobuzit.

Plaku vazhdonte monologun politik. Kur erdh stacioni im e prita jashtë autobusit se e pashë që i afrohej derës. I dhashë dorën dhe e zbrita. I futa krahun dhe e pyeta në e di shtëpinë.

-Posi ore nuk e di?! -u përgjigj e filluam të ecim nga na çonte plaku.

Ai na zbuloi rrënjët tona që në metrat e para pastaj na pyeti ku ishim.

-Tek Varri Bamit, i tha Nini.

-Ou, po unë e kam shtëpinë në unazë tha plaku. Bobooo kish humbur.

Aherë filluam ne ta pyesim kush ish, sa vjeç ish, nga ish, a kish djalë, grua…

Na tha se e kish emrin Pasho Trako, se ish 92 vjeç por babai i kish vdekur 101 vjeç, se djali kish marrë gruan e të shoqen e kish dalë me makinë, se e njihte Devollin me pëllëmbë, se kish humbur dy herë të tjera dhe se aherë njerëzit liq i kishin vjedhur librezën e veteranit dhe lekët që mbante brenda saj… se…. Unë i shtrëngova krahun fort!

Kështu i kish ndodhur babàit dy herë pak kohë para se të vdiste. Ai dilte i kthjellët nga shtëpia për shetitje dhe pastaj humbiste. Gjuajtësit e pleqve i krihnin xhepat… Kur e sillte policia në shtëpi qante me shumë librezën e veteranit! Thashë njëherë ta marr plakun Pasho në shtëpinë time e të mos bëja zë. Të rrinte dy-te ditë e të rrëfente ç’të deshte! T’i jepja mjaltë e raki! T’i thyeja arra e t’i mbushja filxhanin me qumësht. Pastaj të luanim me letra në oborr si me babanë… Ta adoptoja si fëmijë për sa të desh!

Por mendova në çfarë meraku do fusja të birin dhe nusen! Si do e qanin ata së gjalli!

-Lajmëro policinë, ç’pret?! -më tha Nini. Për dreq celularit tim i kish ngordhur baterija. Edhe i saj mbajti dy zile dhe ngordhi dhe ai. Na ndihmuan kalimtarë dhe hymë në kontakt me policinë. Ajo erdhi shpejt dhe… Ma mori Pashon tim!

A do ta shoh edhe njëherë vallë?!