Nga Kastriot Dervishi
Një oficer sovjetik ishte i pranishëm në Përmet. Ai ka përshëndetur në seancën e tretë të datës 25 maj 1944, me një fjalim të varfër ku ka folur për “jetën e lumtur” në Bashkimin Sovjetik si dhe për “popujt e Shqipërisë” (kushedi sa popuj kujtonte se jetonin k;tu). Sovjetiku është pritur me nderime të larta e gati sa delegatët nuk e kanë puthur e lëpirë të gjithë. Në fjalën e tij para kongresit, Enver Hoxha tha se britanikët e kishin ndihmuar “deri diku” luftën dhe ishte kritik se “duhej të bënin më shumë”. Sovjetikët nuk kishin dhënë asnjë ndihmë e lavdëroheshin sikur çfarë kishin bërë për Shqipërinë.
Fjala e sovjetikut:
Më lejoni mua (brohoritet në sallë për Stalinin dhe Ushtrinë e Kuqe) në emër të 200 milion banorëve të Bashkimit Sovjetik dhe Ushtrisë së Kuqe të përshëndes kongresin e parë të popullit shqiptar. Ky kongres, edhe njëherë i tregoi gjithë botës se popujt e shtypur nga fashizmi u ngritën në këmbë, ky popull që ka ngritur krye i tregoi botës se të shtypurit ngritën krye. Bashkimi i popujve të Ballkanit i tregoi botës se bashkimi i popujve është më i fortë se të gjithë ushtritë e botës kapitaliste. Flamuri i kuq sovjetik i ngritur në Rusi më 1917 e ka shkuar një shkollë serioze, një shkollë edukimi për ata që udhëhiqen nga PKBS-Partia Bolshevike. Njeriu sovjetik në pak kohë ngriti shoqërinë pa klasa, shoqërinë sovjetike. Njeriu sovjetik, gruaja sovjetike, rinia sovjetike, ka ngritur shoqërinë pa eksploatim (shfrytëzim), ata s’dinë çfarë është eksploatimi (në sallë: poshtë eksploatimi). Atje u punua për të mbrojtur punëtorë dhe fshatarë, u luftua për mbrojtjen e tyre. Ata që nuk deshën këtë, u përbuzën. Në fillim të luftës më 1942, Bashkimi Sovjetik u ndodh në një gjendje që s’mund të barazohej me asnjë shtet tjetër, me asnjë shtet kapitalist (duartrokitje).
Popujt sovjetikë, njeriun sovjetik, kanë të drejtën më të mbaruar të botës në të cilën thuhet: njeriu ka të drejtë të ushqehet, të rrojë, të punojë, të çlodhet. Kjo e drejtë e punuar dhe shkruar nga shoku Stalin është në zbatim (duartrokitje: Rroftë Stalini). Ushtria e Kuqe, duke çliruar ¾ e tokës sovjetike, ka hyrë në Rumani. Sot ndodhet në portat e Ballkanit dhe s’ka fuqi në botë që ta ndalojë (duartrokitje frenetike). Fashizmi pëson humbje. Nga një anë Ushtria e Kuqe, nga ana tjetër fronti antifashist i Ballkanit, blloku fashist po ha grushte të rënda, grushte të vdekjes. Vetëm ata popuj që luftojnë e ngrenë zërin për liri, vetëm ata meritojnë të rrojnë (duartrokitje). Kongresi juaj tregon se populli shqiptar e kuptoi se vetëm me luftë fitohet liria. Popujt e Shqipërisë e kuptuan nevojën e luftës kundër fashizmit, edhe nën udhëheqjen e Partisë Bolshevike, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Shqipërisë, nën udhëheqjen e Kominternit e të shokut Stalin (duartrokitje frenetike për Stalinin) do të jetë e juaja dhe gjithë popujve që luftojnë fashizmin (duartrokitje).
(Faksimile nga dosja e kongresit të Përmetit)