“Burri kur jep fjalën therr djalën”, “Shqiptari kryet e pren dhe besën s’e then”.
Prej shekujsh besa e shqiptarëve ka qenë një nga karakteristikat kryesore, që ka kushtëzuar dhe zhvillime të rëndësishme historike. Por, tashmë karakteristika e besës është kthyer në një mit.
Realiteti është ndryshe, teksa nga anketa për Cilësinë e Jetës së Europës, ku përfshihen vendet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, rezulton se shqiptarët janë populli më mosbesues i Europës.
Në anketën e zhvilluar për Cilësinë e Jetës nga Komisioni Europian një seksion të veçantë e zinin edhe çështjet e besimit dhe tensionet sociale. Duke filluar që nga marrëdhëniet ndërpersonale dhe deri tek ato institucionale si qeveria, Parlamenti, sistemi ligjor apo media, shqiptarët janë shprehur mosbesues (besim i ulët).
Për pyetjen “A mund të thoni se pjesa më e madhe e njerëzve mund të besohen apo se nuk mund të jesh shumë i kujdesshëm në marrëveshje me njerëzit?”, Shqipëria shënoi pikët më të ulëta në të gjithë Europën, vetëm 2.4. Mesatarja e Bashkimit Europian është 5.2 pikë, ku rekordin për besimin ndaj njërit-tjetrit e kanë Danimarka dhe Finlanda. Në rajon, pas nesh, më pak besim tek njëri-tjetri e kanë maqedonasit, me 3 pikë dhe më të lartë turqit, serbët e malazezët. Interesante është që në rastin e Shqipërisë, besimin më të ulët e shfaqin ata që janë në punë (2.3), ndërsa të papunët priren të besojnë më shumë tek njëri-tjetri (2.5).
Problemet me besimin shkojnë përtej marrëdhënieve ndërpersonale. Mosbesimi është i lartë edhe tek institucionet. Edhe për sa i përket besimit te Parlamenti, Shqipëria ka shënuar gjithashtu pikët më të ulëta në të gjithë Europën, vetëm 2.6 pikë.
Sistemi ligjor gjithashtu ka reflektuar mungesë besimi. Në të gjithë Europën, shqiptarët kanë treguar se kanë besimin më të ulët, me 2.7 pikë.
Ndryshe nga sa më sipër, për sa i përket besimit në media, edhe pse më i ulët se mesatarja europiane, ai është më i lartë se në vendet fqinje si Maqedonia dhe Greqia, ku janë shënuar pikët më të ulëta në Europë. Besimi në media në Shqipëri shënoi 4.6 pikë, ndërsa mesatarja europiane shënoi 4.8 pikë.
Besimi në polici ka shënuar 5.6 pikë, më ulët se mesatarja e europiane prej 6.4 pikësh. Vendet si Finlanda, Danimarka apo Austria reflektojnë besimin më të lartë në polici, ndërsa më të ulëtin Maqedonia, Bullgaria dhe Sllovakia.
Ndër vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, Maqedonia dhe Shqipëria kanë reflektuar besimin më të ulët ndaj qeverisë. Në Maqedoni besimi në qeveri shënoi 3.5 pikë, ndërsa në vendin tonë 3.8 pikë. Besimi është shumë më i lartë në vendet e tjera të rajonit, madje më lart se mesatarja e Bashkimit Europian. Në Serbi, besimi te qeveria shënoi 5.1 pikë, në Malin e Zi 5.3 pikë, ndërsa në Turqi besimi te qeveria shënoi 6.2 pikë. I ulët ka qenë besimi edhe te qeverisja lokale, ku në Shqipëri shënoi 3.9 pikë nga 5.6 që është mesatarja e BE-së.
Për sa i përket besimit në sistemin bankar, Shqipëria ka të njëjtin nivel si mesatarja e Bashkimit Europian me 4.9 pikë. Vendet kandidate kanë reflektuar besim të lartë te bankat krahasuar me vendet anëtare të BE-së që u prekën më së shumti nga kriza financiare e vitit 2009 si Italia, Greqia, Spanja, Kroacia.
Kënaqësia me gjendjen aktuale të ekonomisë është e dyta më e ulët në Europë, me 3.1 pikë. Më e ulëta është në Greqi, shteti që ka kaluar një krizë të thellë ekonomike dhe borxhesh, me 2.4 pikë. Në Shqipëri, besimin më të ulët e kanë të papunët, me 2.9 pikë.
Në Anketën e Cilësisë së Jetës 2016 janë mbledhur të dhëna të krahasueshme dhe të besueshme në të gjithë Europën, dhe për herë të parë janë përfshirë vendet kandidate si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia.
Anketa në këto vende është zhvilluar në periudhën nëntor 2016 – mars 2017, me një kampion të zgjedhura rastësisht prej 1,000 banorësh për shtetet e vogla dhe 1300 banorësh për shtetet më të mëdha. Në të gjithë Europën janë zhvilluar në total 36,900 intervista.