Ballina Diaspora NJOHIM PERSONALITETET SHQIPTARE: PROF. MURAT GECAJ

NJOHIM PERSONALITETET SHQIPTARE: PROF. MURAT GECAJ

(Profesor, Doktor i Shkencave Pedagogjike, Publicist, Studiues, Analist letrar)

Nga Pandeli Simsia – New York

Prof. Murat Gecaj, studiues e publicist shqiptar. Është lindur në fshatin Bujan, të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), në mars 1940, në një familje me tradita atdhetare. Pasi kreu studimet e larta me vlerësimin “shumë mirë”, për gjuhë-letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, në vitet 1963-1965 punoi redaktor në gazetën javore të fëmijëve “Pionieri”.
Ka studiuar e botuar dhe vazhdon punimet e tij, për historinë e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, veçanërisht nga Kosova. Në vitin 1992, mbrojti disertacionin në këtë fushë dhe mori gradën “Doktor i shkencave pedagogjike”.
Në vijim të punës së bërë, në vitin 1996 iu dha titulli shkencor “Profesor i asociuar”.
Në vitin 2011, është përfshirë në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë, me detyrën përgjegjës i sektorit të shtypit dhe i marrëdhënjeve me publikun.
Për një periudhë afër 55-vjeçare, Prof. Dr. Murat Gecaj është autor i mjaft shkrimeve e studimeve, në gazeta e revista shqiptare.
Ka mbajtur një kumtesë në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1972). Eshtë autor i disa zërave për arsimin dhe shtypin, në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (Tiranë, 1985) dhe ribotimi (Tiranë, 2010); është bashkautor i veprës “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar” (Tiranë, 2002), si dhe bashkautor në botime të tjera: arsimore, historike, folklorike etj.
Një vit pas luftës në Kosovë, e vizitoi Kosovën për herë të parë.
Përshtypjet e tij i botoi në librin “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000), i cili mori vlerësimin “Mirënjohje e Kombit”.
Në vazhdim, publikoi librat: “Nëpër udhët e shkollës shqipe”(Tiranë, 2001; ribotuar më 2008), “Pishtarë të parë të Normales së Shkupit”(Kumanovë, 2002) e “Filologë që nuk harrohen”(Tiranë, 2002) dhe “Salih Myftar Kolgeci-monografi” (Tiranë, 2006; librin jetëshkrimor ”Ëndrrat ’e grisura’ të jetës sime”(Tiranë, 2010),”Bedri Dedja: Në kujtesën tonë”-përmbledhje kujtimesh(Tiranë, 2010) dhe ”Rrahin zemrat arbërore” (Tiranë, 2011).Ka edhe disa libra të tjerë3 nga të cilët janë antologji kushtuar femrave krijuese shqiptare.
Prof. Dr. Murat Gecaj vazhdon të jetë aktiv në jetën kulturore e letrare, me shkrimet e tij të shumta dhe në gjjini të larmishme. Ai është personalitet i nderuar shqiptar, gëzon respektin maksimal ndër miq e shokë, te të gjithë ata. që e njohin personalisht dhe ata që e njohin punën e tij krijuese letrare, publicistike, studimore etj.
Është në nderin dhe kënaqësinë time, të jem mik me Prof. e nderuar, MURAT GECAJ dhe familjen e tij të dashur.
…Me këtë rast, i uroj nga zemra: Shëndet, gëzime e mbarësi, në jetën familjare e shoqërore, energji në punën e tij të palodhur kërkimore letrare.

Nju Jork, maj 2018