Nga poeti Nikollë LOKA
E kam pyetur veten për kohën para meje,
për gjurmët e erës mbi pjergulla,
për stinën e ëmbël të vjeshtës
mbush me fruta buzë rrugës,
për çerdhet mbi lisa
dhe endjen bletëve.
E kam pyetur veten për kohën pranë meje,
për ikjen pa kthim të së djeshmes,
rrugës së gjatë në harrim
pa pendesën,
për varret-tempuj ku muroset kujtesa,
për gurët e lehtë, më të lehtë se era,
për dheun e brishtë, më të brishtë se vesa,
për kohën që lind, për kohën që vdes,
për një qiri të fikur, për një flakë që e ndez.
E kam pyetur veten për kohën pas meje,
për qiellin që zbret, për tokën që ngjitet,
për verën e vjeshtës e vjeshtën e dimrit,
për kohën që fsheh pasione që shihen.
E kam pyetur veten, për dallgën kam pyetur,
shkulm ujë që s’shkulet prej lumit në det,
kam pyetur përjetë
sa kam ditur.
___________________
Në Pejë për edicionin XVI të Takimeve Ndërkombëtare Poetike “Azem Shkreli” 2018.