Ballina ED/OP DIMENSIONI HISTORIK I PAVARËSISË SË KOSOVËS

DIMENSIONI HISTORIK I PAVARËSISË SË KOSOVËS

DIMENSIONI HISTORIK I PAVARËSISË SË KOSOVËS

Nga akademik Jusuf Bajraktari

Të nderuara Zonja dhe Zotërinj,
Të nderuar Akademikë, përfaqësues të Institucioneve të Kosovës e të Prishtinës dhe përfaqësues të mediave

Sot, kur po shënojmë 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, me këtë eveniment shkencor, është e natyrshme që t’i kujtojmë me pijetet të thellë përpjekjet dhe të bëmat e të parëve tanë, të cilët gjatë shekujve nuk kursyen mundin, djersën, gjakun dhe vlerat e tyre njerëzore për t’i dal zot Dardanisë antike dhe Kosovës së sotme.

Një vend nderi në këtë kuadër kanë dëshmorët e lirisë, luftëtarët trima të UÇK-së, të personifikuar me Adem Jasharin e heronjë të tjerë si dhe mendjendriturit, anëtarët e kësaj Akademie si Prof. Ali Hadri, Prof. Fehmi Agani, Prof. Gazmend Zajmi, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova dhe shokët e tyre më të ri të cilët ditën të endin, në kohë shumë të vështira me kujdes e pedatëri fijet e penjëve të një përlhure të bukur që simbolikisht njejtësohet me hartën e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran.

Prandaj auditor i nderuar,

Qasja ndaj kësaj teme kaq komplekse është një detyrë e studiuesve të disiplinave të ndryshme humanitare, të cilët me përkushtim do t’i elaborojnë të gjitha elementet dhe faktet historike që do mundësojnë ngritjen e një projekti monumental në përkujtim të sakrificave kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut tonë.

Këtë vit, kur me krenari po shënojmë disa jubile të rëndësishëm, nga e kaluara e jonë historike, pa dyshim, spikatë ngjarja më e re, e cila me të drejtë mban vulën më domethënëse të shumë përpjekjeve dhe sfidave të imponuara nga kërkesat e ligjshme që një popull e synon arritjen e objektivave kryesore identitare, siç është atributi Pavarësia.

Në këtë punim do të analizojmë me argumente, natyrisht, për aq sa lejojnë koha dhe kriteret shkencore, rrugën e gjatë të përpjekjeve dhe organizimeve politike e ushtarake për realizimin e kësaj ideje fisnike, që me këtë rast po e shënojmë 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Kjo datë sikur i ka ndarë jo vetëm kujtimet për të kaluarën, por gjithnjë e më shumë simbolizon vlerësimet për ngritjen, përparimin dhe çlirimin e çdo avancimi apo ngecjeje të vlerave të jetës shoqërore, ekonomike e sociale të Kosovës. Në kumtesën time, do të analizoj gjithanshëm faktorët relevantë të cilët gjatë historisë e kanë kondicionuar dhe herë-herë fuçizuar idenë e Pavarësisë së Kosovës, e cila fatmirësisht u jetësua me dinjitet të plotë, pikërisht para dhjetë vjet e tre muaj.

Në këtë punim do të elabarohen e trajtohen në pika të shkurtra të gjitha ngjarjet e figurat kryesore nëpër etapa të veçanta historike nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila edhe pak ditë shënon ditëlindjen e saj të 140, organizatë kjo e para e këtij lloji në aspektin politik dhe ushtarak në hapsirën tonë kombtare. Ajo kishte një program të avancuar politik për kohën, në bazë të të cilit u vunë themelet e kombit modern shqiptar dhe të afirmimit të ideve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare e deri në aktin sublim të 17 shkurtit 2008, ditës së shpalljes së Kosovës shtet sovran e i pavarur.

Rrugëtimi i gjatë i ideve dhe lëvizjeve çlirimitare nëpër dallgët e trazuara të interesave të gërshetuara në Ballkan, shpesh herë i ka detyruar elitat dhe protagonistët e ndryshëm të adaptohen edhe me rrethana kundërthënëse shoqërore vetëm e vetëm për të ruajtur synimin madhor – arritjen e pavarësisë si parakushtin themelor për konsolidimin dhe përparimin e shtetit kombëtar.

Këto ide të ligjshme e të natyrshme identifikohen me kryengritjet e vazhdueshme nga Lidhja e Pejës (1899) e deri te Kryengritja e përgjithshme e vitit 1912, e cila lindi dhe morri flakë të pandalshme në Kosovë për t’u përhapur gjithandej në viset shqiptare. Siç është e mirënjohur, rrjedhat historike që nga Konferenca e Ambasadorëve e 1913 në Londër e deri me lëvizjet e mëdha shoqërore të 20-vjetëshit të fundshekullit XX, Kosova pati një fat të thuash tragjik, i cili shpeshherë dukej sikur çdo gjë morri fund. Mirëpo pikërisht në momentet më kritike sikur buqet fuqishëm një vullkan i lëvizjeve të modifikuara në harmoni me interesat e kohës për të vazhduar maratonën drejt cakut të lirisë, e ku të gjitha këto kanë edhe protagonistët e tyre, që do të qëndrojnë në ballë.

Me këtë rast po i përmendim shkarazi, pa patur mundësi trajtimi më thellë të këtyre ngjarjeve e figurave të cilat u dhanë shpirt lëvizjeve shoqërore të kohës. Të gjitha këto janë tema të veçanta që kanë histori, të arritura por edhe dobësitë e tyre. Këto lëvizje që nga KMKK, I cili u formua pikërisht para 100 vjetëve, në vigjilje të përfundimit të LPB si një etapë përmbyllëse në historinë e Evropës dhe njerëzimit e deri te lëvizjet çlirimitare, midis dy Luftërave Botërore, Konferencës së Mukjes, Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Konferencës së Bujanit duke ardhur te Deklarata e Pavarësisë së 2 korrikut dhe Kuvendi historik i Kaçanikut të 7 shtatorit 1990. Sikur ky Kuvend hapi rrugën e një lëvizje të re, origjinale me orientime të qarta euro-atlantike gjatë vietve të 90 të shekullit XX.

Terrori dhe shtypja e egër e pushtetit policor serb në kohën e Millosheviqit, me shkeljet më flagrante të të drejtave elementare njerëzore e politike të popullit të Kosovës krijuan rrethanet e favorshme për lindjen e UÇK-së, e cila me rezistencën e armatosur bindi opinionin qytetërues botërorë për nevojën e një ndërhyreje humanitare ushtrake të NATO-së në Kosovë me 24 mars – 12 qershor 1999. Intervenimi i NATO-s realizoj andrrën shekullore të çlirmit defenitiv të Kosovës.

Lufta në Kosovë dhe zgjedhja e krizës së saj shënuan fundin e konflikteve të përgjakshme në ish-Jugosllavi. Me Kosovën shtet i pavarur dhe sovran, i shpallur me 17 shkurt 2008, është formësuar përfundimisht harta politike e Ballkanit dhe krijimi i postullatave për një jetë të re e te barabartë të popujve të tij.

_____________________

(Kumtim i mbajtur në Simpozium Shkencor Ndërkombëtar “Pavarësia e Kosovës dhe sfidat e shtetndërtimit”, organizuar në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Prishtinë, 17.5.2018)