DEMOKRACI APO…?

Nga Skënder HAKLAJ

Në monizem
më shtypën
e më shtynë
dhe gati
ma nxinë
biografinë e parë
si pari e bajraktar

Me dyshim
më panë
e më lanë
m’një anë
tuj ma ba me gisht
se dy xhaxhallarët
mbanin firmen
“Zogist”

Më shanë
e më truan
tuj m’kqyrë
per m’njan anë
derisa më nxoren
në ankand
si “Enverist”

Më vunë
një dorë mbi gojë
e tjetren mbi sy
si “Sahilist”

Ma kthyen shpinen
e mu ndanë
pothuajse
përgjithmonë
gjithë këta nomuzlinjë
e këta heronjë..

U lodha
u dermova
derisa fillova
veten ta shaj
bile me shumë inatë:

Mbylle gojen
o harrakat
e bane zap
që të mos thotë
kurr të vërteten
Se do të quajnë
njeri me huqe
i lyer krejt
me bojë të kuqe
i flaktë
kamë e krye komunist
pa asnjë lloj ngjyre
si pluralist.

Pastaj u afrova
në pasqyrë
dhe vërtet që dallova
Një ngjyrë
dhe një fytyrë!