GEGHYSENI – “NDERI I KOMBIT”

Intervistë e Portalit Limit.al me veprimtarin e njohur Geghysenas, Gëzim Prengzaj, kryetar i Shoqatës “Xheladin Gosturani “në Tropojë.

-Limit.al: Si ndjeheni si qytetar i trevës që është dekoruar me titullin “Nderi i Kombit”?

– Ndjesia e të qënit qytetar i vendit që i është akorduar nga Presidenti i Republikes “Nderi i Kombit” të krenaron ligjësisht.Që nga shekujt emri i Geghysenit është gjetur aty ku është burrëria, trimëria, patriotizmi e dituria. Bijtë dhe bijat e vendlindjes sime janë krenaria e çdo brezi, ku secili i transmetoi pasardhësit dashurinë për Atdheun dhe identitetin kombëtar.Rrallë mund të ketë një fshat tjetër që t’i ketë dhënë luftërave të çdo periudhe aq djem sa Geghyseni, rrallë të ketë ndonjë fshat që të ketë kaq vlera intelektuale në krahasim me numrin e popullsisë.

Limit.al: Ku duhet të kërkohen gjurmët më të hershme të banimit të Geghysenit?

– Megjithëse nuk ka studime të posaçme për hershmerinë e banimit të kësaj treve, ka mjaft objekte të dukshme dhe toponime që të bindin për një vendbanim të lashtë ilir dhe që u bë qendër e rëndësishme në Mesjetë e sidomos në periudhën e principatave shqiptare.Janë të dallueshme qyteza ilire të vendosura në vende strategjike si Gjytetza (qyteti),Gjyteti,e para në Lekurtaj dhe e dyta në Selimaj, si dhe ato të mevonshme, Kalaja e Lekës, Kisha e Gjatë, të dyja këto të njohura sidomos në periudhën e principatave nën zotërimet e Dukagjinëve në krahinën e Pultit. Këtu ka jetuar fillimisht një popullsi që u quajt Gash, ka pak të dhena për këtë, por mjaft toponime flasin për këtë, si: Muret e Gashit,Gurra e Hasan Gashit etj.

Limit.al: Kur ka filluar të bëhet i njohur emri i Geghysenit në histori.

– Periudha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare ishte periudha e luftërave të shqiptarëve për formësimin e tyre si komb,çka po nëpërkëmbej prej Fuqive të Mëdha dhe fqinjëve tanë shovinistë.Ishin kryengritjet e para kundër Tanzimatit që shënuan dhe Geghysenin si  kundershtarë të flaktë të admisistratës Osmane.Dhe pikërisht në këto luftëra kundër reformave të Tanzimatit bie Tahir Mal Gjoni pasi vrau Pashain e Prizrenit.

Kënga erdhi nga ajo kohë:     “…Kush e vrau Pashën e Prizrenit?

Tahir Mala i Geghysenit…”

Në këto beteja u shquan edhe Geghysenas të tjerë si Bashot Osmani, Fazi Rrusta,Qerim Delia, Zeqir Hajdari, Fazli Haziri dhe mjaft Geghysenas që banonin në Kosovë.

Limit.al: Një zë i dëgjuar fort Geghyseni në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Çfarë mund të veçoni?

– Lidhja Shqiptare e Prizrenit, një nga pikat kulmore të Rilindjes do të shënojë me gërma të arta në lavdinë e saj edhe Geghysenin.Në “Aksionin e Gjakovës” shtator 1878 Col Delia i Geghysenit vret në kullat e Abdullah Pashë Drenit Mehmet Ali Pashë Maxharin, dhe jo vetëm kaq por nga Geghyseni ranë dëshmorë në këtë betejë 6 të tjerë.

Kënga “Col Delia sy sahati / i lumtë goja fort vikati / vet po jes pashën pe çarti”

Po kështu në betejat e mbrojtjes së Plavës e Gucisë në vitet 1789-1880 shumë Geghysenas dhanë kontribut në mbrojtje të trojeve shqiptare.Gjergj Fishta në “Lahuta e Malesisë” u bën jehonë këtyre betejave:

“Lik Sokoli e Rem Kazazi

Me dy djelm prej Geghysenit

E me at nipin e Ragip Cenit

Nji Isniqas djalë të ri

Rrinë si ltina vjerrë n’sërgji”.

Limit.al: Cili ishte kontributi i Geghysenasve në përpjekjet për autonomi e pavarësi?

– Tashmë Geghysenasit e kishin fituar përvojën e u kishte dalë zani.Ishte bërë proverbiale thirrja-kushtrim -“O priti djeltë e Geghysenit”, i kishte kaluar, shtrirë rrënjet në Malësi e më gjërë. Geghysenasit marrin pjesë aktive në Lidhjen e Pejës në janar 1899 dhe në kryengritjet e viteve 1909-1910-1912 duke treguar shembuj të rrallë të luftës për çlirim kombëtar.Edhe në Kuvendin Kombëtar të Shpalljes së Pavaresisë nga Geghyseni mori pjesë një nga figurat më prestigjoze të fshatit ,patrioti Bek Ahmet Gjonaj.”Qytetar Nderi” i Komunës Bujan.

Limit.al: Geghyseni është një nga simbolet më të qarta të qëndresës Antiserbo-Malazeze. A mund të thoni dicka më specifike për ketë?

– Është e vërtetë, sapo të përmendet emri i Geghysenit nuk lihet pa u përmendur edhe kënga:

“Geghyseni me sakica

Karadaku me petica”

Malësia e Gjakovës është përballur shpesh me shovinistët Serbo-Malazezë në mbrojtje të trojeve të veta.E një pjesë e rëndësishme e këtij heroizmi masiv është edhe qëndresa e Geghysenit duke dhënë dhjetëra dëshmorë.Rrugëkalimi që lidhte Tropojën me Shkodrën nëpër Nikaj – Mërtur ka  bërë që sa herë kaluan kësaj rruge pushtuesit u përballën me banorët vendas duke lënë shumë të vrarë gjatë rrugës.Ndaj dhe ata në shenjë hakmarrjeje ndaj Geghysenit në verën e vitit 1915 ata morën 16 burra dhe i masakruan në Perroin e Shkallës së Grisë. Ky vend që nga ajo kohë quhet “Te janë vra gjindja”. Përveç kësaj ka mjaft toponime që e vërtetojnë atë si,”të vorret e shkijeve” dhe “tek asht vra kapiteni malazez”.Po kështu këngët e shumta:

“Bini djel e bini çika / Edhe prrojet dirgjen gjak / Geghyseni me sakica / Rreptë lufton me Karadak.

Limit.al: Cili është kontributi i Geghysenit gjatë Luftës Nacional Çlirimtare?

– Ashtu si edhe në periudhat e tjera të historisë edhe gjatë pushtimit Nazifashist Geghysenasit dhanë kontribut të shquar në përpjekjet për çlirimin e Atdheut.Disa Geghysenas që ishin inkuadruar në ushtrinë fashiste dezertuan dhe u bënë pjesë e formacioneve partizane.Në Brigadën e XXV-S të UNCSH dhanë formacione të tjera u rreshtuan 70 partizanë. Është një rast i rrallë që nga një fshat si Geghyseni të dalin 14 oficerë të luftës dhe 12 deshmorë nga Lufta Nacional Çlirimtare.

Limit.al: Arsimimi i Geghysenasve është një tjetër vlerë e çmuar për Geghysenin. A mund të na thoni diçka rreth rrugës së shkollës shqipe në fshatin tuaj?

– Shkolla e parë shqipe në Geghysen u çel nga mesi i tetorit 1945 në një dhomë në shtëpinë e Qerim Kadri Mulgecit, më pas në shtepinë e Shpend Qerimit, Malush Zeqirit, Ram Zogut.Mësuesi i parë i kësaj shkolle ishte “Mësuesi i Popullit” Zenun Ram Margjeka.Në fillim u futën në shkollë vetëm djem pastaj në vitet e mevonshme filluan edhe vajzat.Qysh këtu filluan të dallohen për rezultate të mira dhe ecën në jetë kuadrat e parë dhe që u bënë të njohur si mësuesit  Isa Mulgeci, Hysni Mulgeci,Qazim Ibrahim Osmani etj.Fill pas kësaj u çel shkolla fillore edhe në Selimaj me mësues Isa Bajraktari. Mësimi më vonë vijoi në shkollën që u ndërtua në perroin e Madh ku mësonin nxënës nga Lekurtajt e Selimajt.

Në këto vite erdhën mësues ngë rrethe të ndryshme të vendit që u dhanë mësim bijave dhe bijve të Geghysenit.Në vitin 1960 shkolla u ndërtua aty ku është sot, në Breg të Geghysenit.Numri i nxënësve e mësuesve shtohej çdo vit pasi këtu përveç Lekurtaj e Selimaj bënin mësim edhe nxënës nga fshati Gri.Deri në vitin 1990 numri i nxënësve ishte i madh e në raport me këtë edhe i mësuesve rritej, por ajo që duhet shtuar është cilesia e mësimit dhe dashuria e madhe për shkollën çka bëri që shumica e tyre vazhdonte shkollën e mesme dhe kualitetet e mira vazhdonin shkollën e lartë. Pas vitit 1990 migrimi i popullsisë së fshatit bëri që numri i nxënësve të zvogëlohej, por megjithatë përsëri cilësia nuk mungoi dhe thuajse të gjithë vazhduan shkollat e mesme e pastaj sipas rezultateve edhe shkollat e larta.Që nga viti i çeljes së shkollës në Geghysen, në 73 vitet e saj kanë mbaruar arsimin e lartë rreth 200 vetë dhe mjaft kuadro të mesëm që janë figura të nderuara në rreth e në shkallë vendi.

Ja si i përkushtohet vendlindjes dhe shkollës së saj një nga mësueset më të njohura të rrethit, bijë nga Geghyseni, Shpresa Mulgeci Rrahmani.

E shtrenjta ime

O vendlindje ,zonjë e rrallë
Po t’vështroj me shumë mall
T’ i më ngjall shumë kujtime
Dhe më kthen në fëmijërinë time

O fortesë ,fortesë prej guri
Ty, gjithnjë po të ndrit nuri
Je kështjellë e trimërisë
Dhe gjithnjë e pavdeksisë

M’pret me shumë ngrohtësi
NDERI I KOMBIT më je ti
Gjithnjë ti më mban në gji
Unë përjetë t’përgjërohem Ty

Shpresa Rrahmani

 

Limit.al: Në dy dhjetëvjecarët e fundit janë organizuar disa veprimtari me karakter kulturor, historik e arsimor në Geghysen. Si janë pritur dhe sa kanë ndikuar në përafrimin e atyre që janë larguar për arsye të ndryshme?

– Duhet thënë se vetëm këto 15 vitet e fundit ka filluar të gjallëroje përurimi në formë të organizuar i vlerave tona si fshat.Më 2005 u organizua një veprimtari e përbashkët midis OKDA së rrethit dhe komunitetit të Geghysenit me pjesëmarrjen edhe të shkollës së fshatit në nderim të  Dëshmorëve të Geghysenit rënë në verën e vitit 1915 të masakruar nga Serbo-Malazezët në Shkallën e Grisë. Ndërsa më 2010 me propozim të OKDA, komuna Bujan realizoi një pllakë përkujtimore të cilën e vendosi në Breg të Geghysenit në nderim të këtyre Dëshmorëve ku u dha edhe një program artistik nga nxënësit e shkollës.Me 2005 u organizua nga stafi i shkollës Geghysen kremtimi për herë të parë i një pervjetori të shkollës i cili pati një vlerësim pozitiv nga komuniteti i fshatit dhe nga ish-mësuesit e kësaj shkolle.Këto veprimtari ishin pikënisja për të ardhur tek përvjetorët e mëdhenj jubilarë.

Limit.al: Si u arrit të organizohej jubileu i përbashkët i 70 vjetorit të shkollës dhe 100 vjetorit të rënies së Dëshmorëve të Geghysenit në masakrën e Shkallës së Grisë?

– Tashmë u krijua një farë tradite për t`u mbledhur Geghyseni për të përuruar vlerat e tij, por gjithnjë duke menduar në një veprimtari të madhe siç meriton me cilësi përgatitje dhe me përfaqësim sa më të madh nga Geghysenasit e më gjërë. Natyrisht që një veprimtari dinjitoze si kjo kërkonte investim material dhe angazhim intelektual.U krijua një komision i cili do përgatiste platformën e aktivitetit.Ishte një komision i cili e mori vet përsipër nga dëshira dhe nga bindja se duhej kontribuar  në çdo mënyrë për ta realizuar.Komisioni përbëhej nga Gezim Prengzi,Hysni Osmanaj, Saimir Kalbaj, Shpend Nikoçi e Sadri Oruçi. Fillimisht u vendos që të dy përvjetorët të organizohen në një ditë, pasi mundësia për t`u mbledhur dy herë vështërsohej duke patur parasysh që pjesa më e madhe jetojnë jashtë rrethit dhe jashtë Atdheut por që dëshira e tyre ishte e madhe për të marrë pjesë.U caktua data 26 shtator 2015 si më e përshtatshmja pasi edhe mësimi në shkollë të kishte filluar dhe pushimet verore kishin mbaruar.U vendos nga Komisioni që përveç materialeve të tjera historike e kulturore të ngrihej një muze për 70 vite arsim në Geghysen.Për të organizuar një veprimtari të tillë përmasore kërkoheshin mjete monetare në një masë të konsiderueshme, ndaj dhe me anë të një ftese dhe një numri llogarie në bankë u bë e mundur që nga kontributorët Geghysenas por edhe jo Geghysenas të akumulohet një shumë relativishtë e mirë për të çuar në finalizimin e aktivitetit.26 shtatori 2015 ishte një festë që nuk mund të krahasohet me ndonjë tjetër. Kishin kaluar dekada që aty në Breg të Geghysenit nuk ishin mbledhur bashkë në një ditë aq Geghysenas, intelektualë e të ftuar, mësues e ish-nxënës në vite në këtë shkollë.U vunë kurora e tufa me lule tek pllaka përkujtimore në nderim të Dëshmorëve dhe më pas drejt shkollës ku si risi ishte Muzeu i ngritur me këtë rast. Shumë emocione, çdonjëri ishte aty, një pjesë mësuesish e drejtuesish të shkollës nuk jetonin, por ishin përjetësuar në muze me reliket e tyre, ish-mësuesit kujtonin vitet e punës aty.Një vlerësim i madh për këtë punë të bërë në respekt e mirënjohje për të gjithë brezat mësues-nxënës në 70 vite duke u radhitur ndër fshatrat me më peshë intelektuale.Sipas axhendës pjesëmarresit e shumtë mbushën sallën e koncerteve në Pallatin e Kulturës “Dardania” B.Curri, ku u mbajtën dy referate:”100 vjet nga masakra Serbo-Malazeze mbi Geghysenin” nga mësuesi i historisë Gëzim Prengzi, dhe “70 vite arsim në Geghysen” nga mësuesi Sadri Oruçi. Përshëndetën Akademinë Kryetari i Bashkisë Z.Besnik Dushaj, deputetja e Tropojës Mimoza Hajdarmataj dhe intelektuali Hysni Osmanaj.Më pas në drekën e organizuar në restorant “Real” u shperndanë tituj nderi për mësues të karrierës.Ishte një ditë e mbushur me larmi vlerash Geghyseni që nuk do donim të mbaronte.Ishte ky event kulturor që ndikoi në përafrimin me njëri-tjetrin e vendlindjen.

Limit.al: Pa u shuar akoma jehona e “Jubileve të Geghysenit” ai u shpall “Nderi i Kombit”. Çfarë mund të nënvizoni për këtë?

– Duke parë gjitha këto vlera që ka Geghyseni në fusha të ndryshme e në periudha të ndryshme,            u mendua se është momenti i duhur për t`i bërë një propozim Presidentit të Republikës që Geghysenit t`i akordohej titulli i lartë “Nderi i Kombit”. Një grup intelektualësh nga Geghyseni i ndoqi procedurat dhe në qershor 2017 iu dorëzua Geghysenit ky titull i merituar.

-Limit.al: Çfarë mund të thoni ju, a është parë Geghyseni si vend që meriton investime e vemendje të paktën sa fshatrat e tjera të Tropojës?

– Së pari, si banor i këtij komuniteti jam i pakënaqur nga qëndrimi në heshtje i pleqnisë së dy njësive Lekurtaj e Selimaj të cilat nuk kanë paraqitur kërkesa konkrete në favor të fshatit ku mungon rruga automobilistike e cila krijon mjaft vështirësi në jetën e banorëve të  fshatit.Gjithashtu që nga viti 1969-1970 që është elektrifikuar fshati nuk është bërë asnjë investim në të, ai është degraduar komplet qoftë shtyllat dhe telat përcjellës që po rrezikojnë edhe jetën e banorëve dhe sidomos të femijëve.

Së dyti, si pasojë e mungesës së investimeve migrimivazhdon të shpopullojë fshatin ku viktimat janë moshat e reja.Për pasojë bie edhe numri i nxënësve në shkollë.Për vetë specifikat e fshatit duket e parealizueshme transporti i nxënësve në shkolla të tjera.Të shikohet ky problem.

Limit.al: A mund të paraqisni ndonjë këngë nga të shumtat që i kushtohen Geghysenit?

Januz Çela kall kamishin

I hipi atit e kërkon fisin

Ku ti gjajmë do djel si s’ikin

N’Geghysen dalim e i lypim

Gjan Bashoten me të nipin

Fazi Rrusten me Qerimin.

 

Fazi Rrusta në kervet

Rexhep Ages po mi thrret

Kqyr martinen ku po m’vret

Nja në ballë, tjetra n’jelek.

 

Fazi Rrusta po qet ltinë

Ruejma Zo’ Qerim Delinë

Fort po djeg barut palirë

I hoq Rexhepit vojvodinë.

 

Fazi Rrusta dredhi shallen

I tha Halitit:Ruejma shkallën

I tha:Shkallën e kam ruejt mirë

Shaban Ramës i kam ra celinë.

 

Kush e bani n’Gjakovë namin?

Për ni fjalë Bashot Osmani.

Kush i preu yzbashët e Mbretit?

I prenë djelt e Geghysenit.

 

Fetah Aga rrin në sobë

Zo’ çka asht lufta n’Gjakovë?

Lifton Krasniqja me vojvodë

Qysh po mbahen kështu gjithmonë

Tuj e msue shoqi-shoin

Shoqi-shoin tuj e msue

Bek Muzia e ka fillue

E filloi Bek Muzia

Rexh Mehmeti tu xhamia

Në Prishtinë Mehmet Alia

Tash Fazi Rrusta e Qerim Delia.

 

Popullore, me lahutë e çifteli.

 

Edhe në 1984 poeti Ndoc (Anton) Papleka shkruan poemën “GURËT E BARDHË” kushtuar 16 Geghysenasve që u masakruan nga Serbo-Malazezët në Shkallen e Grisë në verën e vitit 1915.

Poemë nga Anton PAPLEKA

 

Ata gurë ngrihen midis barit

Si plisa të bardhë malësorësh

Ata gurë qëndrojnë në shi e breshër

Si kraharorë burrash para plumbave

Ata gurë të bardhë krah për krah

Si burra të lidhur me shoka të larme

Ata gurë të bardhë krah për krah

Si trupat e të vrarëve

Gjashtëmbëdhjetë gurë si gjashtëmbëdhjetë burra

Krah për krah në jetë e në pasvdekje

 

ZËRI I GURËVE TË BARDHË

Mos u gabo, more rrugëtar

Ne nuk jemi gjashtëmbëdhjetë gurë të bardhë:

Ne jemi gjashtëmbëdhjetë burra

Që na vranë krah për krah

Patëm lindur në ditë të ndryshme

Nuk e mendonim se do të vdisnim në një ditë…

 

GURI I PARË

Atë ditë vere, atë ditë gjëme

Ishim mbledhur të shtinim në dhe

Shokun tonë që kishte në trup

Plumbat e ushtarëve të kralit

 

GURI I DYTË

Na rrethuan pabesisht

S’na lanë të varrosnim njeriun tonë

Mos i lëntë as varri brenda

Por ua gjuajtë përjashta eshtrat !

Gratë tona lotonin rreth varrit të hapur :

Qanin të vdekurin, qanin për ne

 

ZËRI I GURËVE TË BARDHË

Na lidhën bashkë me shokat e larme

Që nuset tona i patën endur

Të lidhur bashkë me ato shoka të larme

Dukeshim si malet kur i lidh ylberi

Shi e diell- në sytë e nënave tona

Në sytë e nuseve tona- shi e diell…

 

GURI I TRETË

Në mos ma pafsh fytyrën, ani

Në mos ma ditsh emrin, ta thotë ky gur

Te këto gështenja me myshk e ketra

Te kjo lëndinë me lule të bardha

Më vranë plumbat e Savë Batares

Më erdhi keq për lulet e bardha

Që u përgjakën nga varrët e mia

Më erdhi keq për barin e njomë

Që unë e shtypa me trupin tim

Zogjtë e malit ikën të trembur

I lanë shkretë çerdhet në degë…

E vranë verën ata plumba

 

GURI I KATËRT

Po pëlciste në lis gjinkalla

Ishin fishkur gjethet e misrit

Kush do ta ndjekë ujët në vija

Për t’i njomur bucat e tharë?

Më trishton ara që digjet

Më trishton ajo këngë gjinkallash!

 

GURI I PESTË

E kam lënë tubën në bjeshkë

E kam lënë fyellin në lugje të stanit

Gjithë rudinat ende s’i kam shkelur

Do të vetmohet tuba pa mua

Tërë ditën do të blegërojë në kullotë

Do të ndryshket fyelli im te stani

Bari i ri do të thahet rudinave

E prej mallit do të marrë flakë

Zëri im – zog i truar

Do të endet bjeshkë në bjeshkë

Kur të ulet të pijë te gurra

Uji i borës do të fshihet në tokë

Kur të pushojë në degë të ahut

Dega e tharë do të thyhet nga dhimbja

Kur të kërkojë një vend për të fjetur

Zgavrat e shpellat do të mbyllen…

Zogu i truar i zërit tim

Do të zbresë rrugës së vërrinit

Do të pushojë veç te ky vend

Te këta gurë që mbinë në gjak

 

GURI I GJASHTË

Më vranë pa e bërë dasmën time

Pa i dëgjuar tupanat në kullë

Pa e prekur gërshetin e nuses

Kur ta marrë vesh e bukura ime

Që më vranë ushtarët e kralit

Penjtë e vekëve do t’i presë

Do të hipë në kalë të zi

Kur të shkojë nuse në një derë tjetër

 

 GURI I SHTATË

Një kullë të re e pata nisur

Mbi hirin e kullës që ma dogji krali

Pa ardhur vjeshta me erë e shi

Do t’ia vija çatinë prej pishe

Ku do të shkisnin flokët e borës

Mos u mjero, moj kullë e bardhë

Nuk të lënë vëllezërit pa mbaruar

Po ta fal edhe ashtin tim

Ta kesh murin më të fortë se guri

Po ta fal edhe gjakun tim

Të mos tunden gurët e themelit

Kur të gjuajnë kralët me topa

 

GURI I TETË

E kam lënë gruan shtatzanë

Djalit që nesër do të lindë

Emrin tim ka për t’ia ngjitur

Pushkën time do t’ia japë

S’mund ta vrasin emrin tim

As tërë plumbat e shtatë kralëve

Djali im do të vijë këtu

Do t’i shohë këta gurë të bardhë

Do të pyesë për këta gurë

Do të dijë kush na ka vrarë

Edhe n’u fshehtë gjakësi ynë

Në sqep të orlit, në dhëmb të ujkut

Nuk do të mbetemi gjakhumbur

 

GURI I NËNTË

Më mbeti nëna kërcunë në vatër !…

Kur ta marrë malli për mua

Drue se i shkim yjzit në qiell

Drue se e nëm dritën e hënës

Dhe hëna mbytet në lotin e saj

Do ta çojë parmendën tek ara

Qetë e kuq do t’i mbrehë në zgjedhë

Nëna ime pa djalë në vatër

Zogjtë e malit do të habiten :

Si lëron parmenda pa lavërtar ?!

Do ta veshë nëna një cung të zi

Me tirq të rinj, me plis të bardhë

Armët e mia do t’i varë në cung

Të mos duket kulla e shkretë

Të mos ulen qyqet mbi kulm

Do ta shohin ushtarët e kralit

Cungun me armë në oborr të kullës

Do të kujtojnë se qenkam ngjallur!

 

GURI I DHJETË

A e dëgjon atë hingëllimë kali

Që nuk pushon ditë as natë?

Mos më thuaj se nuk e dëgjon

Gjokun tim që hingëllin

Dhe çukërmon te pragu i derës

S’do të lodroj më me të fushave

S’do të vrapoj me të në dasma :

Unë shalova këtë gur të bardhë…

Gjoku im te grazhdi i errët

Natë e ditë do të hingëllijë

 

GURI I NJËMBËDHJETË

Te mrizi i madh ku del një gurrë

E dashura ime do të presë

Do t’i mbushen sytë me mjegulla vjeshte

Do t’i zhuriten faqet prej lotëve

Degët e ahut do të përkulen

Për t’ia prekur supet e flokët

Gjethet e holla do të pëshpëritin

Fjalët që ngrinë te buzët e mia

Loti i nxehtë që do të pikojë

Do t’i gërryejë rrënjët e ahut

Do ta brejë gurin e gjollëve

Gjethet e kuqe do të bien nga degët

Do ta mbulojnë të dashurën time

Të mos e ngrijnë erërat e ftohta

Të mos i zbardhen flokët prej brymës

 

GURI I DYMBËDHJETË

E pata prerë një panjë në pyll

Me trungun e saj do të gdhendja

Tri lahuta me krye dhie

Me shqiponjë e me gjarpër në bisht

Ato lahuta nuk do të bien kurrë

Mbetën brenda në trung të panjës

Era e malit që përplas degët

Që oshëtin në gryka e hone

Do të jehojë si ato lahuta

Kur të fryjë era e malit

Lërini hapur dritaret e kullave

Ajo ju sjell krismat që na vranë

Ajo ju sjell fjalët tona të fundit

 

GURI I TREMBËDHJETË

Mori nënë, mos qaj për mua :

Qaje pushkën që s’m’u ndodh pranë !

Ta kisha pasur pushkën me vete

Plumbat e mi do t’i kishin shpuar

Gradat e arta të Savë Batares

Do të largohej në kalë druri

Savë Batarja me grada të djegura

Deri në zemër ta kralive

Do të ndihej kukama e zezë

 

GURI I KATËRMBËDHJETË

S’më erdhi keq, bre, që më vranë :

Më ra gjaku në dheun tim

Toka ime më mori në gji

Varrët e shtatit m’i lau me vesë

Gjakun e tyre e ktheu në lule

Më rëndon ky dhé mbi trup :

I pata dhënë besën shokut të vrarë

T’ia merrja gjakun tek ushtarët e kralit

Më ka zënë dheu me besë të dhënë

Nuk po mundem ta çoj këtë gur

Mos e harroni besën time !

 

GURI I PESËMBËDHJETË

Kur u ndezën flakët e pushkëve

Plumbat e tyre ma shpuan këmishën

U turbulluan gurrat e bjeshkës

Nusen sime iu dogjën gishtat

Njëzet plumba ma çanë kraharorin

E kërkuan kudo zemrën time

Ta çukisnin me sqepa orlash…

Si mund të vritej me njëzet plumba

Zemra ime sa shtatë bjeshkë

Që kishte brenda fusha e male

Pishnaja të blerta, lumenj të kthjellët?

Çdo gur bjeshke është zemra ime

Gurrat me ujë janë damarët e saj

 

GURI I GJASHTËMBËDHJETË

Më bërtitën ushtarët e kralit :

Hajt, o plak, në shtëpinë tënde !

Deshën të m’i ligështonin shokët

T’u plaste zemra prej trishtimit

Kur të më shihnin duke ikur

I shikova në dritë të syrit

Dhe u thashë ushtarëve të kralit:

Do të rri me këta djem të rinj

Do të rri të vdes me ta…

 

ZËRI I GURËVE TË BARDHË

Kur i kthyen pushkët drejt nesh

U ndal dielli, nuk bënte dritë

Le të vritemi nga plumbi i huaj

Por ti, diell, kurrë mos u ndal

Mos i bjerr rrezet e tua

As nga tymi i zi i pushkëve

As nga kobet as nga vdekjet

 

ZËRI I GËZHOJËS SË NDRYSHKUR

A e sheh, more rrugëtar:

Më ka ndryshkur shiu i moteve

M’u ka mbushur gryka me baltë

Mos kujto se jam gëzhojë :

Unë jam goja e Savë Batares

Që kam thënë « Zjarr ! » një mijë herë

A i sheh këta gurë të bardhë?

Dikur qenë gjashtëmbëdhjetë burra

Të gjatë, të drejtë si gjashtëmbëdhjetë lisa

Desha të dridheshin para meje

Këta burra me duar të lidhura

Këta burra para pushkëve

Desha t’i shihja të gjunjëzuar

U bërtita, i shoftë murtaja:

Bini në gjunjë që t’ju fal jetën

Lypini mëshirë Savë Batares!

 

ZËRI I GURËVE TË BARDHË

Edhe n’u rrëzofshin lisat e malet

Edhe n’u shembtë qielli mbi ne

Nuk të biem kurrë në gjunjë

More qen i zi i kralit !

 

ZËRI I GËZHOJËS SË NDRYSHKUR

Prapë bërtita, i kërcënova

Por asnjë nuk ra në gjunjë

Atherë thirra “Zjarr!” sa munda

Dhe i pashë tek binin përtokë

Duke u mbajtur tek njëri-tjetri

Duke u mbajtur te dheu i tyre

As të vdekur nuk më ranë në gjunjë

 

ZËRI I GURËVE TË BRADHË

Mbaje mend, more rrugëtar:

Ne nuk jemi gjashtëmbëdhjetë gurë

Por ne jemi gjashtëmbëdhjetë burra

Flakët e pushkëve i pamë me sy

Me kraharor i pritëm plumbat…

Ndalu pak, o rrugëtar i çdo kohe:

Në qofsh nënë, preki këta gurë me duar

Në qofsh nuse, hidhu sipër një lule

Në qofsh vërritar, lëre një dorë kallinj

Në qofsh bjeshkëtar, sille një tufalak pishe

Në qofsh dasmor, mos e pre këngën në mes

Këndo!

Në qofsh duke shkuar diku për mort

Mos loto!

Në qofsh duke vrapuar për të ndalur dushmanin

T’u bëftë këmba flatër zogu!

Në qofsh i ri, në qofsh i largët

Fytyrat tona kërkoji te nipat

Ashti ynë i shpuar nga plumbat

Bar të ri nxjerr mot për mot

Mbi këta gurë që u përgjakën

Zogu i verës ulet e këndon.

 

Limit.al:  Emrat e Geghysenasve janë kudo në Kosovë e deri në Amerikë të larguar me kohë për shkaqe të ndryshme por asnjëherë nuk e kanë mohuar ekzistencën e tyre Geghysenas. A mund të përmendni disa prej tyre?

– Është e vërtetë kjo. Sipas prof.dr.Masar Rizvanolli ish rektor i Universitetit të Prishtinës,Dah Polloshka (Daut Agë Polloshka) është me origjinë nga Geghyseni,dhe sa herë kishte konflike me osmanët vinte në Geghysenin e Krasniqes. Po kështu biznesmeni i madh Harry Bajraktari, Zekeria Cana, futbollisti Lorik Cana, shkrimtari Sherif Krasniqi, kampioni i Botës Erkand Qerimaj etj. Kështu disa krahina në Kosovë e gjetiu janë të banuar nga Geghysenas të larguar prej kohësh.