Ballina Aktualitet Një kënaqësi që të japin vetëm nxënesit

Një kënaqësi që të japin vetëm nxënesit

Shkolla e mesme e bashkuar “Ali Ibër Neza”, Tropojë ka shumë mësues të talentuar. Me punën dhe përkushtimin e tyre kanë bërë emër të mirë kudo në zonë e më gjerë. Një nga këto është mësuesja Hajrije Papa. Përvoja e saj 37 vjeçare ka bërë që të vlerësohet kudo. Nga duart e saj kanë dalë me dhjetra nxënës që kanë kryer studimet e mesme e të larta. Këta nxënës me mburrje thonë: “Jemi nxënës të Hajrije Papës”.

Këtë vit Hajrija ka nxënësit e klasës së parë. Kohë më parë në ambientet e kësaj shkolle u zhvillua Festa e Abetares. Mësuesja ka kohë që përgatitet për këtë festë. Gjithçka në klasë flet për këtë festë. Në hollë të klasës shkruar me gërma të mëdha: “Prindi të rritë-shkolla të ndritë”.

Tullumbacet ngjyra-ngjyra, fëmijë të qeshur si vetë pranvera. Në këtë festë shihje prindër të fëmijëve, mësues e mësuese jo vetëm të ciklit të ulët, por edhe të cikleve tjera. Kryetari i bordit të prindërve Avdyl Aga, kryetari i njesisë administrative të Tropojës Ramë Kortoçi vlerësuan këtë festë të vogëlushëve të klasës parë. Kënga “Tring Zilja” e zerat e gëzuar të fëmijëve që e shoqërojnë e ndezi atmosferën. Një vajzë e vogël lexon fjalën përshëndetëse. Është Erisa Memia, nxënëse në klasën e pestë, një ish nxënëse e Hajrisë. Si refren na shfaqet fjalia: “Abetaren e mbaruam”.

Nisin recitimet, pse jo dhe emocionet. Nxënës me kapelat në kokë, në kapela shkronjat e alfabetit. Janë këta: Jetmir Sylaj, Artenisa Sylaj, Valdrin Nezaj, Ersela Kuçana, Klevis Memia, Orgen Sylaj.

Zëri u dridhet nga emocionet edhe ne përfshihemi nga emocionet e këtyre vogelushëve. Nxënësit kanë mësuar të recitojnë, por edhe të aktrojnë. Ata ngjasojnë me aktor të vertetë. Pjesa teatrale “HIRUSHJA” e venë në skenë nga nxënësit të bindë për këtë. Loja në shfaqje e Klejda Dushit në rolin e Hirushes, Kledisa Hykes në rolin e njerkës, Klevis Syles në rolin e princit të bindin se ke të bësh jo me nxënes, por me aktorë që të emocionojnë. Tek po ndiqnim aktivitetin me mësuesin e talentuar Astrit Metalia dëgjuam një shprehje që u përserit nga disa pjesmarrës: “Të lumtë, mesuese Hajrija”. E ne përseritëm pa zë në mendjen tonë: “I lumtë kësaj mësuesje për punën që bën në vite”. Emocionet nuk kanë si të mos përfshijnë edhe drejtoreshën e shkollës Drita Elezin. Ajo vlerëson lart punën e mësuese Hajrisë. E në këto arritje është edhe roli i saj si drejtuese shkolle. Një shoku im mësues, kohë më parë më kishte folur për kënaqesinë që ka provuar në jetë. E dëgjoja e mendja më fluturonte në vite, në breza nxënësish, në kohë e rrethana të ndryshme. Para meje si lapidarë ngriheshin në qënien time duke më falur atë kënaqësi që njeriu e takon rrallë në jetë, por ne mësuesit kemi fatin ta përjetojmë më shpesh. Ndoshta ata që na falën ne kënaqësi do tu falin të tjerët. Jeta rrjedh e rrjedh me dallgët e saj e ne jetojmë, jetojmë me kënaqesitë që na falin nxënesit. Një kënaqësi të tillë provuam në Festën e Abetares me mësuesen me përvojë Hajrije Papën.

Riza Çelaj

(Në foto: Pamje nga Festa e Abetares dhe autori i shkrimit – Riza ÇELAJ)