NGA NJË VEND I HERSHËM I BOTËS VJEN DHE TI

Katër poetë Arbëreshë

Dushko Vetmo (pseudonim i Francesco Solano-s, Frasnitë, Frascineto të Kalabrisë, 1914-1999). Prift arbëresh dhe teolog-intelektual, emigroi në Argentin ku, në vitin 1946, botoi përmbledhjen e parë moderne të poezisë arbëreshe me titull Bubuqe t’egra (në të cilën u botuan dy poezitë që vijojnë). Në vitet ’70-’80 të shek. XX themeloi dhe drejtoi, si profesor, katedrën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Universitetin e Kalabrisë (Arcavacata di Rende, Itali). Përveç botimeve letrare ai është dhe autor i një serie studimesh në fushën e dialektologjisë, filologjisë dhe gjuhësisë arbëreshe dhe shqipe.

(Theksi i mprehtë shënon gjatësinë e zanoreve)

 

Mall

Somenat un prej dritsores,

e mixores

vashses s’ ime hjén e pé,

dháj si flutur tek po shkonte

e m’ e mblonte

një llanxhele në kroné.

 

Një sy më shturi plotë me máll,

e m’ u ngjáll

théll në zëmër mua një flakë,

që po më djeg përmbrënda në gjí

si një qirí,

edhe më losen pak e pak…

 

Lutje

Máll, në-se ti më do mirë,

për mua kij lipisí:

dil te penxhera një cikë,

e ruajm me ata sí.

Giuseppe Schirò Di Maggio (Zef Skiro di Maxho; Hora e Arbëreshëvet , Piana degli Albanesi të Sicilisë, 1944), poet dhe shkrimtar poliedrik dhe psikedelik, autor botimesh te ndryshme letrare, por sidomos poetike, që prej viteve ’60 të shek. XX. Themelues i revistës së famshme “Mondo Albanese” (e vetmja me titull italian por e shkruar vetem shqip-arbërisht, duke iu kundërvënë kështu revistave të tjera me titull arbëresh por me përmbajte sidomos në italishte). Origjinal është edhe kontributi i tij i veçantë për teatrin arbëresh, me vepra sidomos komiko-satirike. Poezia Laerti, i jati u botua në vëllimin më të njëjtin titull në vitin 1989.

 

Laerti, i jati

“I ati i Odiseut, Laerti, mbret i Itakës, quhej edhe Larti.”

(Nga shënimet e A. Varfit për këngën VIII, 18 – ‘Odisea’

e shqipëruar nga S. Çomora)

 

Merrni me mend Laertët tanë që pritën

aq shumë rikthimet tona.

 

Edhe për ne Laerti-shkëmb në majë

të arave me çfaredo kohë qe pikë

qëndrimi të heshtur.

 

Një gji kodrine në dimër një vithe toke

të shtrirë e Laerti-shartues që bën shartime

në dhri e në mendime.

 

Kur i biri të kthehet i lirë nga dashuritë

kallpe e nga shkulmat do të nderojë të jatin

e Mëtuesit do ta përqeshin për këtë lidhje

të pathyeshme me të.

 

Mëtuesit edhe sot zdërhallen me sa mbetet

të trashëgimisë së plakut-Laert.

 

Ai lëron koherent kopshtin trashëgim

të fatit dhe e di se pemët e forta vetëm

i durojnë shekujt por nuk mund të lërë

pas dore blerimin jetëshkurtër që jep

fryte njëvjeçare nga mbjellja.

 

Laerti-mendje-krijuese na mësoi

artin e fantazisë arbëreshe.

 

Ky fakt të të mbajnë një jetë të tërë

minor(itet) ndërsa ke në tru mbarë

gjithësitë.

 

Mbledh mbrëmjen në xhepat e tij të gjerë

bariu-Laert e mbi gjurmë të ngadalta

minutash kthehet në shtëpi për të takuar

shqetësimet e ditës dhe zhurmat.

 

Pa ngacmim Laerti-dhëndër – si ne – martoi

grua arbëreshe.

 

Laerti-mbjellës në mbjellje vuri filiza

dashurie e këto me kohë do t’ japin pemë

të mira për shekuj.

 

Mban ende kujtimet e drejta të përtej-Adriatikut

se parapriu Odiseun-të-birin një herë

me një lundrim të vetëm pa rikthim.

 

Shqisat e historisë e të përjetësisë

ia shtoi natyrshëm të birit më parë

se ta dërgonte për jetë.

 

Urren e dashuron horizontet me shumë të kaltër

– ngjyrë të nisjeve e të rikthimeve.

 

Ai di se çdo veprim do të ruhet në mendjen

e përgjithshme të gjindes së tij ndonëse

të skujdesur nga tingëzat e valleve të jetës

së rrjedhshme.

 

Mëtuesit pa të ardhme sulen mbi të tashmen

e i shqyejnë mishin me kafshime të etura.

 

Bimët e heshtjes i sjellin Laertit jehona

të largëta zërash të fuqishëm që nuk ndien

në përditshmërinë e ethshme.

 

Themeli i ndershmërisë së tij – si Laert –

e të të parëve qe dashuria për atdheun ku

varrëzuan prindërit.

 

Vala që shpie Mëtues lë prapa saj plehra

të shumta në lulishtet e në shtëpitë

e ishullit të Laertit.

 

Më shumë mërgohet nga qelbësira e luftërave

të brendshme ku Mëtuesit diktojnë ligj më shumë

e ngashërojnë lajmet e veprimeve të tyre.

 

Ka bërë miq të rinj ca abstraktë si shpresa

e këmbëngulja ca konkretë si sythat e pemëve

o larmitë e plisave që motoshati kthen përposh

qiellit.

 

Edhe ai Laerti-ndërtues ndërtoi fytyra shtëpive

megjithëse dinte se fytyrat zbehen e duan

nganjëherë zbardhur edhe nga duar të pasigurta.

 

Tash që koha e ka bërë të thatë në kurm si tokë

pa ujë Laertin – e Odiseu ndoshta ka mendjen

e bjerrë në udhëtime të reja – dëshiron të kish

pasur dhjetëra Odise për të mbrojtur me siguri

sa mbetet të trashëgimisë.

 

E në Odiseu do të niset përsëri prapa ëndrrave

të tija detare sa Mëtues të pavdekshëm do të

ringjallen për te mëtuar gosti të reja e sa kohë

do të presë Laerti kthimin e ri të të birit?

 

Në dua mund ta takoj që ecën gjatë rrugës Krispi

të Horës sime Laertin tim që nuk është më.

Mario Bellizzi (Belici; Shën Vasil, San Basile të Kalabrisë, 1957), është profesor i matematikës në gjimnaz dhe tregoi interes që në moshë të re për poezinë dhe për kulturën humanistike. Librin e parë me poezi e botoi në fillim të viteve ’80 të shek. XX me titull Kristla (Gramia), më vonë i pranëvu poezisë studime dhe një seri botimesh për historinë dhe etnologjinë e botës arbëreshe. Poezia Të kuqtë e Onufrit (origjinali italisht i shqipëruar nga Giuseppe Schirò di Modica) është pjesë e librit Last exit to Bukura Morea (2003).

 

Të kuqtë e Onufrit

 

Nga një vend i hershëm i botës vjen dhe ti

po nga ai i të parëve të mi ata të shekullit XV

ata të tri galerave të Andrea Dorias

(si në kohën e të ikurit-fshehtë Enea)

e para me pëlhura e mëndafshe

e dyta me bukë, verë e vaj

e treta me burra e gra.

Një vend ku do Kadareja se Akeronti të rridhte

e shqiponjat bënin foletë e tyre.

Lindje e Perëndim dëshmitarë i ke në fytyrën tënde hëne

prej vitit 400 pas Krishtit.

Anije të papritura

e para me hashish e kalashnikov

e dyta me rrufjanë e lavire

e treta me fëmijë e të uritur korrabaça

në të lashtën të munduar e sot, prej kapitalizmit të vonshëm

të atij me paillettes e quiz

të prurën natën në portet e Brindisit, të Otrantit …

e pas mbi makina të çara në arkeologjinë e nëntëshme e përdhunuese

plot mjerim verbues të Domicjanës.

Pa cohë, pa kezë, me kanune të tjera

fatthënës televizivë në mendje

së bashku me polake, braziliane, zezake

për një karneval-valle të çuditshëm

modash e bojërash më fton me theks ballkanik ….

Saranda, Kavaja, Durrësi, Vlora, Shkodra, Fieri, Berati, Tirana?

e më fal trupin tënd, sahatin tënd për një grusht dollarësh.

Mbase ti je nga Berati …

Hove ndjenjash, magmë përfytyrimesh, të panjohura, metahistorike,

cikle epike, infektime të zemrës,

mungesë dredhish, barababel, papeshueshmëri.

E vetmja është një farë tragjike, motër shqiptare, që mund të jap.

Në maj te hijesirat tona

do të lulëzojnë ikonat e kuqe të Onufrit

e do të ndihet i lahutave vringëllimi

me litaret e fuqishëm të detit Jon e të ëmbël.

 

Gianni Belluscio (Belusho; arbëresh nga Shën Vasili, San Basile të Kalabrisë, 1961), është albanolog dhe përkthyes; shkruan poezi që 15-vjeçar dhe disa i botoi gjatë viteve nëpër revista arbëreshe dhe në internet. Ka gati një përmbledhje poetike por nuk gjen ende kohë për ta çuar në shtypshkronjë. Poezia Mjergullore është e vitit 1991, kur ai banonte në Milano.

 

Mjergullore

ngrënj persianën nga menat’

tek finestra hapinj sit’

gruaja ime angora ë’ mb’ shtrat

llargu e afër ng’ jan’ më shpit’

 

kopshtat ng’ shoh, ëndrrënj malet

lumi maknash ng’ shihet më

marçapidhat kan’ suvalet

rrumurata e ftigës ë’ e zë

 

sot si dje e nga dit’ ng’ ka rrëçet

zgjohmi, ngrëhmi, hapmi finestrat

umtitata t’ hin ndër eshtrat

e t’ shuhet i kuqi tek makna pret

 

mirrëm dorën e qellëm lart

zog ç’ rri këtu i kurkullost’

mua ç’ rronj këtu i fanarost’

llarg ka ki kamnua i tharrt’

nga tek dheu im i ngroht’

se ng’ dua t’ pres më mjergull me thik’

ne t’ qëndronj këtu për njetër dit’

qellëm mbjatu e ashtu qoft’.

________________________

( I përcolli për botim në Limit.al  poeti i njohur Nikollë LOKA)