Ballina ED/OP Më të lirë apo më të vetmuar?

Më të lirë apo më të vetmuar?

Ese nga CAPAJEV GJOKUTAJ

1.
‘Nga je?’, pyesim sot kur duam të dimë qytetin, fshatin a krahinën ku ka lindur a banon bashkëbiseduesi.

Rrallë e më rrallë, përdoret versioni ‘Nga të kemi?’, që në fëmininë time ishte mbizotërues.

Në fakt edhe ‘Nga je?‘ edhe ‘Nga të kemi?’ kërkojnë të njëjtin informacion nga tjetri. Por versioni i dytë përcjell edhe një mesazh plus: dëshirën për ta afruar të porsanjohurin duke e quajtur tëndin.

Sa më shumë kalon koha, them me vete, aq më të ftohtë bëhemi me tjetrin, aq më shumë zhytemi në vetminë tonë.

2.

Kur e mendoj thellë, problemi rezulton më i ngatërruar. Mbase nuk është punë vetmie e egoizmi. Pesë poshtë, pesë lart, njeriu, jo si individ, po si specie, mbetet po ai, nuk ndryshon. Ato që ndryshojnë janë rrethanat.

E në rrethana të ndryshme njeriu sillet ndryshe. Sipas vendit dhe kuvendi. Jo njësoj dhe në dasëm dhe në ksodh, dhe në mbledhje me eprorët, dhe në kafene me shokët.

Të parët kërkonin sa më shumë lidhje, se jeta ishte e varfër dhe tjetri lypsej më shumë. Duhej të kishe patjetër marrje e dhënie me komshiun psh, që të të gjendej qoftë për të huajtur farë kosi a një filxhan kripë.

Sot i ke të gjitha në market dhe marketin e ke pranë shtëpisë, hapur deri në orët e vona të natës. Ndaj dhe ndodh të mos i dish as emrin komshiut të tre kateve më sipër. Pa le të kërkosh miqësi nga një i porsanjohur.

3.

Po mbase ndikon dhe një faktor tjetër. Dikur mungonin televiziorët e radiot, gazetat ishin të pakëta dhe shumica e njerëzve s’dinin shkrim e këndim. Doemos kishte uri për informacion.

E një i porsaardhur mund ta zbuste këtë uri, të të molloiste ç’bëhej e ç’thuhej andej nga vinte.

Sot shtrirë në divan, veshur si të ta ketë ënda, mund të marrësh vesh edhe ç’ndodh në anën tjetër të botës. Të mjafton telekomanda. Zonjë grua, e gatshme të shërbejë në çdo çast, pa të kërkuar gjë? Ç’të duhet tjetri që mund të ketë një mijë e një huqe? Aq më keq një i panjohur…

Po s’përjashtohet edhe një faktor thjesht gjuhësor. Shqipja bashkëkohore ka hequr e po heq dorë nga trajta gramatikore emfatike. Bashkë me ‘nga të kemi’, kanë dalë nga përdorimi dhanorja etike, po kufizohet dëshirorja e po rrallohet përditë e më shumë habitorja etj.

4.

Ndërkohë që meditoj, Dodo vjen e më fërkohet tek këmbët. E ndjen të nevojshme ta bëjë këtë disa herë në ditë. Thjesht për të shprehur afeksion.

Doemos, mund të thuash, macja nuk flet, nuk ka gjuhë, ndaj do ta shprehë nevojën për marrëdhënie e dashuri duke u fërkuar, duke vënë në punë shqisën e të prekurit.

Shqisa e të prekurit është nga më zanafilloret, ndaj dhe mbetet e pëlqyeshme dhe thuajse e pazëvendësueshme. Por po e përdorim përherë e më pak, mbase ngaqë ndërkohë është kufizuar e specializuar për marrëdhënie intime e seksi.

Në marrëdhënie të tjera ngjan se të prekurit po bëhet mysafir përherë e më i rrallë. Sikur të ishte kohë kolere. Apo më keq akoma, sikur të kishim frikë nga vetja dhe dyshim ndaj forcës për t’u qëndruar ngasjeve.

Kjo më kujton rrëfimin e një të njohuri nga Sudani. Bashkë me një shok të ngushtë, më tregonte, fillova studimet në Oksford. Ditët e para, të malluar për vendin tonë dhe disi të ndrojtur nga ambjenti i ri e i panjohur, lëviznim të kapur tek njeri-tjetri, herë dorën në bel e herë kokën në sup. Pas pak javësh, hapu dhe të futemi! Do ta merrnim vesh se gjindja rreth e rrotull na pandehte një çift homoseksualësh, në dalldinë e parë.

5.

Prekja është nga shqisat më ndikuese që kemi. Të vjen keq që po ngushtohet vetëm në marrëdhënie tejet intime.

Megjithatë, ndihem shumë mirë në metropolet amerikane, ku tjetri të kërkon të falur kur, padashje të afrohet 10-15 cm. Në Ballkan e më gjerë, s’e kemi për gjë që, në ecje e sipër të prekemi me njeri -tjetrin e të vazhdojmë rrugën sikur të mos kishte ndodhur gjë.

Lidhjet e komunikimi janë të çmuara, por po kaq të çmuara duket se mbeten edhe privatësia e liria. Sidomos për ne, që jetojmë në hapësira fizike e sociale të ngushta dhe shumicën e kohës ndihemi nën survejimin e të njohurve dhe nën tiraninë e opinionit.

I mendoj të gjitha këto, me ngenë e mëngjezit të së shtunës dhe nuk di të them: zhvillimi sjell vetiu vetmi, apo vetmia është haraçi që duhet të paguajmë për t’u ndjerë të lirë?

Edhe diçka tjetër: doemos që sot ndihemi më të vetëmjaftueshëm, por a ndihemi edhe më të realizuar?