Nga Sulejman DIDA
Vlerësoj inicativën dhe kambnguljen e autores për të gjetur rrënjët e veta, idenë për ti hedhur ne letër njohuritë dhe të dhënat,
Gjyle Cahani sjell një libër, në pamje të parë libër familjar, e ndoshta ai ka qenë qëllimi, por kur sheh pasuninë gjuhësore dhe etnografike e mëson se ky asht nji libër me vlera të caktuara edhe letrare dhe historike. Të vërtetat jetësore që sjell, bëjnë që ky libër të lexohet me kënaqësi. Brezat e sotëm mësojnë mbi natyrën e familjeve të zonës, për tiparet fisnike si dhe mundimet njerzore, persekutimet, rëniet dhe ringritjet. Ka shpalosë përjetimet e veta qysh fëmijë, kujtimet siç i kanë tregue të vjetrit për personalitetin e familjarëve, ndikimin tek të tjerët, veçantitë e secilit, tiparët e mencurisë dhe sensin e drejtësisë që i karakterizonte.
Tregon gjithashtu terrenin social dhe politik, mënyrën si i zgjidhnin problemet, humanizmin dhe dobësitë e tyre, edukimin patriarkal dhe mentalietin, punët bujqësore, orenditë, takëmet, enët dhe gatimin, gjanë e gjallë, miqësitë, veshjet, gojdhanat, ritet, ceremonitë e ndryshme… Kjo asht familja shqiptare. Kuptimi i atdheut nuk janë vetëm relievi dhe infrastruktura por njerëzit dhe lidhja e tyre, hierarkia morale dhe uniteti i fisit apo komunitetit. Ngjashëm me atë që studiuesi i madh Mark Krasniqi ka ba për nji pjesë të Kosovës dhe për Hasin në librin “Gjurmë e gjurmime” ku jep strukturën e familjes dhe elemetet etnografike, e ka ba Gjyle Hilaj-Cahani për Shëmrinë.
Për të dhënat që sjell libri, edhe ashtu të renditun pa ndonji kriter letrar e drejtshkrimor, përban nji tekst që do ta kishin zili edhe shkrimtarët profesionistë. Sepse ka landë jetsore mbreslanse. Gjylën e uroj me gjithë zemër. Ndër të tjera, ndërmarrja e saj na kujton se sa mangut jemi me shkrimin e ngjarjeve dhe të historisë. Ne dimë shumë pak për atë se kush jemi, sepse dimë shumë pak pikërisht për familjet tona në gjenezë. Nëse nuk dimë se nga vijmë, ne dimë edhe ma pak për atë se, ku shkojmë.