Ballina Kryesore BEFASIA POETIKE E HASAN SELIMIT

BEFASIA POETIKE E HASAN SELIMIT

Rreth vëllimit “UNË DHE FJALA”

Nga QAZIM SHEHU

Hasan Selimi i lindur në një trevë poetike (Kasaj –Tropojë) ku fjala është mençuruar që herët,vjen, kohëve të fundit, me një numër librash clësorë ku shpalos botën e vet,kërkime dhe një rritje cliësore të fjalës drejt niveleve të reja të shprehjes.Nuk është nevoja t`i kujtojmë lexuesit dobitë e fjalës, as çfarë është thënë për të nga mendimtarë të ndryshëm, sepse lexuesi i di,por vetëm të theksojmë se Hasan Selimi është nga ata poetë që fjalën e respekton dhe e ngre në kuotat estetike të shprehjes.Kjo, se ai e di mirë peshën e shprehjes së saj,se fjala ndjehet më e bukur,më jetësore, më e paqtë vetëm në organizime të thurjes së vargut.

Studiuesi Ramiz Lushaj e ka quajtur penën e Hasan Selimit penë alpine,se me të drejtë, pikërisht duke qenë nga një mjedis  i bukurive të bjeshkëve ,këtu fjala zihet ngushtë para madhështisë së tyre,po njëherit merr më shpejt flatra.  Fjala për poetin bëhet shtëpi e qenies,domosdo e shprehjes,thurje e qëllimit dhe mundësi e transfigurimit të ndjesive dhe perceptimeve të ndryshme në ravijëzimet e holla të qiellit bjeshkor ku malet e larta, më së shumti ,duket se banojnë në qiell.

Kur lexon një vëllim poetik kërkon të kapësh shqetësimin e poetit, çfarë e ka frymëzuar atë.Vëllimet poetike janë të ndryshme dhe kanë secili larminë e vet në pangjashmëri me njëri tjetrin.Edhe vëllimet poetike të një poeti nuk i ngjajnë njëri tjetrit, sepse shkruhen në gjendje të ndryshme shpirtërore.Kjo është e kuptueshme.Hasan Selimi në këtë vëllim sjell dashurinë e vet për fjalën,e vendos unin e vet në trazim intelektual për të kapur finesën e saj,fjala vjen si çerdhësi që duhet të strehojë sa e sa kuptime.Në këtë kontekst, shpërfaqet një botë e tërë ndiesore dhe mendimore që tregon jo vetëm shqetësimet intelektualiste të tij, po edhe mençuron një qasje të veçantë  sesi mund ta kuptosh modernitetin e këtij poeti i cili shfaqet me një verb të thjeshtë e strukturë solide në poezi dhe me një triblim kuptimi që qartëson dilemat e hpirtit njerëzor.”Poeti i vjetër sa dy epoka/dridhet i tëri…”, kumton poeti si parahyrje,  sepse :”Në gurin e nisa të numëroj/me kohë t`i mësoj oratorinë…” dhe :E gjeta varur/në një degë mali/gur/se me lotin tim pastrova tel lahutën”.Poeti e krijon substratin dhe e shpall si moto poetike.Metafora shtrihet dhe përtërihet në të gjitha rrafshet e saj  dhe Selimi e mbart atë si nevojë të shprehjes, pa synuar ta thërrasë me ngut.Fjala ngre peshën e vet aty ku e ngre dhe shenjon gjithë kuptimet që mundet.Kështu, poeti, lexueshëm infiltron në këto kuptime me mençurinë e tij,pa harruar të japë veten e vet dhe të shënjojë përmes kujtesës gjithë ç`ka përjetuar.Përjetimi tek ai tregohet dhe fjala zgjerohet përmes tij.Dhe kështu ai të befason sepse është një poet që sjell zërin e vet,e ky zë ngrihet në disa pika që gjallojnë përmes jetësimit autentik dhe identifikimit motivor.Ai rendën dhe e hap zemrën dhe kapakët e mendimit drejt motiveve të vendlindjes,drejt gurit,lahutës, drejt kujtesës;hipën në  shkallët e  qiellit,malit,lumit,duke u bërë  një poet që e mjafton lëvizjen në forcën që jep të shprehurit e fjalës,po nuk e ndal aty,përkundrazi, këtë lëvizje nuk mund ta shpërfillë, as ta verë në gjumë,sepse fjala kërkon energinë e mendjes shpirtërore që mbetet perla në guackën e saj.Të gjitha këto mesazhe jepen në poezinë e tij ,herë drejtpërdrejt, kur ai fjalën e përmend për të mos e harruar atë,po edhe kur vihet në kontekste të ndryshme të përballjes dhe të ftesës që bën hija e saj madhore.

Vëllimi “Unë dhe fjala”shpreh në dukje një akordancë,marrëveshje që në pamje të parë , duket e çtipizuar ,si e shkëputur nga një bisedë,kurse në vetvete kemi të bëjmë me një pozicionim të vështirë, sidomos për një poet.

Poeti e kërkon fjalën përmes heshtjes,mallit,brengës,kontaktit me sendet,fjala vjen dhe i vë këmbë flatra fantazisë,ajo ngrihet herë si një pupël në ajër e herë zhduket e merr fluturime të largëta ku nuk e rrok syri, e herë vjen pranë pa treguar se ku ndodhet.Loja me të mbetet një lojë e përjetshme një ngacmim gjenerues,një dritëhije,një përmallim.Hasan Selimi është krijues që e vlerëson atë dhe i jep liri në krijimet e veta,kështu,poezia e tij organizhet si një bisedë e këndshme,si një nevojë për vetëshprehje dhe siguron dëgjueshmërinë e munguar që shpalos kumte të gjalla.Është një poezi e ndjenjave të sinqerta e pambingarkuar me figura dhe e gjendur në bërthamën e vet aktive,sepse poeti shprehet:”veten time vras për pak fjalë”. E në kërkim të saj vijon:”Midis kohësh baj llogari/si në valën e Drinit travitun”.Duke kapur kuintesencën e kësaj shprehje na duhet të mendojmë se fjalët janë si njerëzit, se në shtresat e kohës mbulohen dhe disa humbasin,po nuk humbet kurrë kujtimi për to,sepse fjalët kanë shpirt,ato transformohen,transfigurohen,kalojnë kuptimet e vetvetes dhe mbesin brenda kuptimit.”Ato ngrihen të gjitha të festojnë/ndezin qirinjtë të vallëzojnë shpirtrat”;është gjithmonë misteri i tyre që  ndjell edhe pse shpesh ky mister,si çdo emërtesë e tij, me ndjelljen lodh .”Fshehtë më shikon/dalun nga zgavra e një lëvozhgë lisi”,një citim që mund të sillet në përfytyrimin e fjalës,duke kuptuar se nga del ajo.Kështu natyra e vendlindjes bëhet një ravijëzim që sillet  ndërkëmbyeshëm në pamjet që jep në poezinë e Hasan Selimit,po njwherit objektet e tij poetike kufizohen pikërisht aty,gjithnjë nëpër trininë e unit,vendit dhe kohës dhe fjala si gjenerim i mendimit.

Lumenjtë zogjtë,guri,malet,bëhen shenja që përcaktojnë piketa të shpirtit e në këtë shëtitje të imagjinatës poeti i bën thirrje vargut:”Çohu o varg e ty të shitoftë zana/mblidh rrathët e lidhu si ke qenë”;e këtu,në kërkim të fjalës, poeti ndjen nevojën e ringritjes, e ndihmës së fjalës,si një mbështetje e fortë udhëtuese për të kapur pamje dhe imazhe, për të mos u ndjerë i qetë përpara bukurive të kësaj jete po edhe të  sa pamjeve të tjera që jep ajo.

Poeti Hasan Selimi  në krijimtarinë e vet,ai merret me publicistikë njëherit,me tregime,arrin të sjellë një botë shpirtërore që pasurohet dita ditës me kërkime të tij poetike,po edhe me nevojën për t`u thelluar në raporte të caktuara të mendimeve dhe ndjenjave;poet me ndjenjë ,po ndjenja vjen në poezinë e tij e kultivuar,ajo nuk është e hapët,përkundrazi kemi një ndjenjë që përcillet në thellësinë e mendimeve e të këndvështrimeve përmes filozofisë së të gjeturit të kuptimeve ekzistenciale,përtej të dukshmes dhe misterit.Dhe shpesh ai bën një dialog me kohën,me gjërat që s`janë dhe janë, dhe shtrin kështu vështrimin e vet në sa e sa kuptime dhe sendërtime të imagjinatëssë tij.Ky  monolog me veten e nënkupton shqetësimin e tij poetik dhe shqetësimi kërkon fronëzimin e fjalës.Ai është një poet me varg të qetë,të pakufizuar nga metri,rima,brenda strukturës që përcaktohet në kufijtë e thënies , sa të mos prishet masa e saj.Shqetësimi për fjalën është shqetësimi më njerëzor,më i bukur,sepse fjala për poetin mbetet arma e vetme e luftës së tij në identifikimin e shpirtit,e kjo të kujton vargjet e Naimit:”Pse s`ka fjalë të dëftejë/dashurinë e bukurinë/nuk e them dot atë ndjenjë/nuk e them dot perëndinë.”

Fjala mbetet e pamjaftueshme,por ajo nuk ka tjetër ndihmëse që ta mbartë misionin e kumtimit, përveç saj.E kjo t`i kujton vargjet e Oktavio Paz:”Midis asaj që them dhe nuk them/poezia…”Në këtë derivat estetik qëndron edhe poezia e Hasan Selimit,një poezi që,  në vëllimin në fjalë, konturon pamje dhe imazhe të brishta e të bukura,sjell dëshmi të një shpirti në trazim,po edhe të një mendje e cila gjithnjë lodhet të ndreqë poetikisht e të shpalosë.Një pjesë e madhe  e poezive i drejtohen fjalës duke sjellë kësisoj boshtin tematik të vëllimit,e duke na krijuar sa e sa hamendësime dhe qëndrme tonat që e bën tekstin poetik të Selimit një tekst të hapur,përfshirës dhe ku lexuesi  mund të angazhohet emocionalisht e mendërisht.Hasan Selimi është i vetëdijshëm për vështirësitë e fjalës si çdo poet i mirë,por prapë si çdo poet i mirë,këtë vetëdije nuk e shuan në vetëkënaqësi,por e ruan nga ajo,sepse misioni i fjalës është i vështirë dhe kërkon mundim të madh.Fjala është nazelie,por joshëse…dhe, kur e arrin, ajo e transferon veten në një joshje tjetër që duhet ta arrish ,e kështu pambarim…