Ç’NA GJETI ME ATE GRUA TE ÇUDITSHME

Nga Mark SIMONI

Tregimin tim e titullova “Gruaja e këpucëve me zile”. Fantazoja për një grua të një qyteti të vogël që, duke iu shmangur thashethemeve dhe llafeve të njerëzv, u tërhoq në skutën e vet, tek një shtëpi e vogël e një mëhalle të vjetër. Por u tërhoq aq shumë dhe aq gjatë sa u harrua fare. Një ditë e kuptoi këtë dhe doli rrugës, duke i rënë qytetit cep e në cep. Por askush nuk e pati mendjen më ta shikonte. Provoi t’iu vinte këpucëve të saj ca lidhëse me zilka, që të tringëllonte e të tërhiqte shikimin e njerëzëve. E bukur, e hijshme, gjithë nur e hire, krenare dhe tunduese. Por përsëri….. ….
….….dhe pastaj tregimi im vazhdon me ngjarje dhe truke të tjera të kësaj gruaje. E shkrova dhe u botua në gazeta. E përfshiva dhe në librin tim me proza “Murgj të verbër”.
Sapo doli, librin e blenë disa studentë të regjisurës së Akademisë së filmit “Marubi”. Me tregimet e mia u bënë 6 filma me metrazh të shkurtër. Njëri prej regjisorëve të rinj kishte përzgjedhur pikërisht gruan e zilkave, por më kërkonte që, a mund të ndryshoja dy detaje të vegjël në skenarin e filmit, mbasi i duhej për gjuhën filmike. Patjetër që ia kurova situatën.
Përkthyesi Massimo Tanelli e botoi në një antologji italiane të tregimit të shkurtër ballkanik. Italiani më kërkoi që, gruaja e zilkave, në një pasazh të dukej edhe pak më shumë ballkanike. Shtova dy rreshta dhe kurova edhe atë .
Në 2008 koreografi Gjergj Pervazi e vuri në skenën e Akademisë së Arteve të Bukura me titullin “Këpucët me zile”, ku dhe aty stilova dy detaje të imta që duheshin pikërisht për balet.
çmë gjeti me përsonazhin e tregimit tim, me atë grua, (me këpucët me zilka). Që mbasi nuk tërhoqi dot vemedjen e njerëzve të qytetit të saj të vogël, dalldisi dhe sukulloi, çatrafiloi dhe marrosi me imazhin e saj vemendjet e regjisorëve, lexusve, përkthyesve, dhe shikuesve të shumtë Secili e donte në mënyrën e vet, atë grua të çuditshme, që u vuri këpucëve zilkat e vogla.