Nga Besmir Lushaj
Profili dhe jetëshkrimi qëndrestar i Azem Galicës është autentik në rruzull.
Me babanë e vrarë nga turqit, Azemi, vetëm dhjetë vjeç qëllon me pushkë duke plagosur një ndër xhandarët serbë më famëkeq në Galicë.
Maturimi e gjen Azemin të rreshtuar në çetat e Drenicës përkrah Ahmet Delisë. Protagonizmi i tij i mundëson afirmimin si një ndër luftëtarët më të dalluar në beteja. Dy herë burgoset nga serbët në burgjet mizore të Serbisë në Kosovë të kthyera në kampe të tmerrshme pune skllavëruese. Të dy herët arrin të arratiset në përleshje me forcat e sigurisë së burgut. Arratisja nga burgu i Pozharecit lë pa gojë edhe vetë autoritetet serbe nisur nga numri i shumtë i forcave të sigurisë së burgut dhe struktura e tij përplot labirinthe. Në shenjë hakmarrje, forcat serbe i pushkatojnë nënën dhe motrën, të cilat më parë kishin rezistuar me pushkë në dorë në një rrethim të shtëpisë nga xhandarmëria serbe.
Azemi nuk ligështohet por shtrëngon radhët e çetës së tij duke numëruar shtatëdhjetë beteja në 13 vitet e ekzistencës së çetës! Beteja të përgjakshme me serbët, pa harruar ato me austro-hungarezët dhe bullgarët gjatë okupimit të Kosovës nga të tri fuqitë ushtarake me peshë për kohën.
Surreale ngjan beteja kundër austro-hungarezëve, ku çeta e Azemit arrin të kapë rob njëmijë forca të cilat i dorëzon në komandën franceze në Mitrovicë.
Qëndresa e Azemit u shndërrua në dhimbje koke për fuqitë e mëdha, sa që u shtrënguan të njihnin të ashtuquajturën “Zona neutrale e Junikut”, si tërësi e influencës shqiptare, gjeografikisht, nga Qafa e Morinës deri në Grykë të Deçanit.
Azemi ishte shndërruar në makthin e ditës dhe natës për oreksin shovinist serb. Fakti pohohet nga natyra e rrethimit të tij në korrikun e 1924-ës. Mbi njëmijë forca të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe u nisën nga Shkupi për t’u dislokuar në Mitrovicë. Prej aty, me radhët e shtuara nga kolonë serb, nisën marshimin drejt Drenicës duke futur në rrethim të hekurt Galicën ku bënte konak Azemi me çetën.
Të pajisur me armatim modern për kohën, forcat serbe goditën pambarimisht me topa istikamet e çetës së Azemit. Në një tjetër projeksion surreal, çeta arrin të çajë rrethimin prej tre rreshtash të shovinistëve serbë. Në luftime, Azemi goditet me një plumb në gjerdanin e fishekëve që mbante në brez. Plumbi shkakton shpërthim zinxhir në fishekët e gjerdanit dhe Azemi plagoset rëndë. E shoqja, Shota, me një grusht luftetarësh arrijnë ta nxjerrin heroikisht nga rrethimi të plagosur.
Trupin e Azemit po e përpinte paraliza. Agonia vijoi plot dhjetë ditë deri në momentin kur shpirti i tij u turr për në pavdekësi.
Në agsholl të amshimit, Azemi la amanet që trupi i tij të hidhej në fundin e një shpelle të thellë për të mos rënë në pëllëmbë të gjaksorit shovinist. Shokët ia çuan amanetin në vend!
Si e gdhend vargu i këngës:
Moj krajli, ty t’plaçin sytë,
çdo shqiptar lind vet i dytë,
dhe kur vdes, ai vdes përgjysë,
gjysma e dytë Azem Galicë.
Apostull i lirisë!