Dijet nuk kanë fund dhe kjo është më shumë e vërtetë për ata që kanë mbaruar arsimin e lartë. INSTAT ka publikuar për herë të parë rezultatet e Anketës së Arsimit të të Rriturve 2017, e cila i referohet popullsisë së moshës 25-64 vjeç, ku rezulton se 29,2 % e individëve me arsim të lartë (Bachelor, Master, Doktoraturë) kanë marrë pjesë në arsimin jo-zyrtar dhe trajnime, si një mjet për të kryer punën e tyre sa më mirë, për të rritur njohuritë në një fushë që i intereson, apo për të përmirësuar perspektivat e karrierës.
Objekt kryesor i kësaj ankete, është studimi i aktiviteteve të të mësuarit gjatë gjithë jetës (arsimi zyrtar, jo-zyrtar ose trajnime dhe të mësuarit informal). Anketa siguron informacion mbi karakteristikat e trajnimeve, vështirësitë e pjesëmarrjes, qasjen në informacion mbi mundësitë e arsimit dhe trajnimit, aftësitë mbi gjuhët e huaja, pjesëmarrja në eventet kulturore etj.
Rezultatet e Anketës së Arsimit të të Rriturve 2017 tregojnë se:
– 9,2 % e popullsisë 25-64 vjeç kanë marrë pjesë në arsimin zyrtar dhe jo-zyrtar ose trajnime;
– 9,5 % e femrave 25-64 vjeç kanë marrë pjesë në arsimin zyrtar dhe jo-zyrtar ose trajnime, kundrejt 8,8 % të meshkujve;
-32,3 % e individëve me arsim të lartë kanë marrë pjesë në arsimin zyrtar dhe jo-zyrtar ose trajnime;
– 7 % e individëve me arsim të mesëm kanë marrë pjesë në arsimin zyrtar dhe jo-zyrtar ose trajnime;
– 67,8 % e popullsisë 25-64 vjeç kanë marrë pjesë në të mësuarin informal;
-39,9 % e popullsisë 25-64 vjeç deklaruan se njohin të paktën një gjuhë të huaj;
– 54,6 % e popullsisë 25-64 vjeç kanë marrë pjesë në aktivitete kulturore;
– 30,7 % e popullsisë 25-64 vjeç kanë lexuar të paktën një libër gjatë kohës së lirë.
Gjatë periudhës së marrë në studim nga kjo anketë, rreth 25* mijë persona (1,7* %) të grupmoshës 25-64 vjeç, deklaruan se kanë marrë pjesë në arsimin zyrtar. Prej tyre 81,4* % i përkasin grupmoshës 25-34 vjeç dhe 68,2* % e tyre janë me arsim të lartë.
Gjatë vitit 2017 rreth 8,2 % persona të grupmoshës 25-64 vjeç, deklaruan se kanë marrë pjesë në arsimin jo-zyrtar ose trajnime. Meshkujt, të cilët kanë marrë pjesë në arsimin jo-zyrtar ose trajnime, janë 47,8 %, ndërsa femrat 52,2 %.
Pjesëmarrja në arsimin jo-zyrtar ose trajnime kryhet nga individët e grupmoshës 25-44 vjeç, të cilët përbëjnë 70,5 % të kësaj grupmoshe. Femrat kryejnë më shumë trajnime sesa meshkujt në grupmoshën 25-44 vjeç, ndërsa në grupmoshën 45-64 vjeç dominojnë meshkujt.
Sipas rezultateve të Anketës së Arsimit të të Rriturve, rreth 4,4 % të grupmoshës 25-64 vjeç marrin pjesë në të paktën një trajnim jo-zyrtar dhe rreth 3,8 % marrin pjesë në të paktën dy ose më shumë trajnime jo-zyrtare, gjatë vitit 2017.
Pjesëmarrja në arsimin jo-zyrtar dhe trajnime sipas nivelit më të lartë të arsimit të përfunduar me sukses është si më poshtë:
- 1,6* % e individëve me arsim të ulët (Fillore, 8-9 Vjeçare);
- 6,4 % e individëve me arsim të mesëm (Gjimnaz, Shkollë e mesme teknike/profesionale);
- 29,2 % e individëve me arsim të lartë (Bachelor, Master, Doktoraturë).
Arsyeja kryesore e cila ka nxitur pjesëmarrjen në arsimin jo-zyrtar dhe trajnime është për të kryer punën e tyre sa më mirë, 54,7 %, ndjekur nga arsyeja për të rritur njohuritë në një fushë që i intereson, 39,1 % dhe për të përmirësuar perspektivat e karrierës, 38,2 %.
40% e popullsisë flet një gjuhë të huaj, kryeson anglishtja
Rezultatet e anketës treguan se 39,9 % e popullsisë 25-64 vjeç janë në gjendje të përdorin të paktën një gjuhë të huaj. Gjuha e huaj më e njohur është gjuha angleze me 40,0 %, ndjekur nga gjuha italiane me 27,8 % dhe gjuha greke me 22,9 %.
Në grupmoshën 25-34 vjeç, më shumë se gjysma njohin të paktën një gjuhë të huaj (58,9 %) me një prevalencë të gjuhës angleze ndërsa në grupmoshat 35-64 vjeç ky raport ulet në të njëjtat nivele për të treja gjuhët e përmenduara.