Presidenti Donald Trump njoftoi të martën, me 8 maj 2018, se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga marrëveshja bërthamore me Iranin, duke deklaruar se ai po e bën botën më të sigurt.
“Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë kërcënime të zbrazëta,” tha ai në një fjalim televiziv nga Dhoma Diplomatike e Shtëpisë së Bardhë.
Vendimi përbën një goditje ndaj aleatëve të SHBA dhe mund të thellojë izolimit e presidentit Trump në skenën botërore.
Zoti Trump tha se marrëveshja e vitit 2015, e cila përfshin Gjermaninë, Francën dhe Britaninë, ishte një marrëveshje “tmerrësisht e keqe dhe e njëanshme, që nuk duhet të ishte bërë kurrë.” Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vendosin nivelin më të lartë të sanksioneve ekonomike.”
Vendimi i Presidentit Trump nënkupton se qeveria e Iranit duhet të vendosë nëse do tërhiqet ashtu si SHBA, apo do të përpiqet të shpëtojë atë që ka mbetur nga marrëveshja.
Irani ka ofruar deklarata kundërthënëse në lidhje me vendimin që mund të marrë dhe përgjigjja mund të varet nga mënyra se si saktësisht Presidenti Trump tërhiqet nga marrëveshja.
Një zyrtar i informuar rreth vendimit, tha se Presidenti Trump do të rivendoste të gjitha sanksionet ndaj Iranit, të cilat ishin hequr nga marrëveshja e vitit 2015 dhe jo vetëm ato që duhet të skadonin së shpejti.
Mbështetësit e idesë për ta ndrequr marrëveshjen, shpresonin se zoti Trump do të zgjidhte një qasje që mund të linte më shumë hapësirë për ta ndryshuar qëndrimin më vonë, nëse do të siguronte kufizime shtesë nga ana e vendeve evropiane që po përpiqeshin pa sukses për të negociuar me të.
Megjithatë, administrata ka planifikuar të lejojë një periudhë prej së paku tre muajsh dhe ndoshta deri në gjashtë muaj, në mënyrë që bizneset dhe qeveritë të mund të mbyllin operacionet që shkelin sanksionet e rivendosura nga SHBA.
Ndërsa zyrtarët e administratës i njoftuan të martën udhëheqësit e Kongresit rreth planeve të Presidentit Trump, ata theksuan se ashtu si me marrëveshjen e rëndësishme tregtare për Azinë dhe me paktin e Parisit për klimën nga të cilat Presidenti Trump hoqi dorë, ai mbetet i hapur për rinegociimin e një marrëveshjeje më të mirë për Iranin.
Marrëveshja me Iranin, e arritur në vitin 2015 nga Shtetet e Bashkuara, fuqitë e tjera botërore dhe Irani, hiqte shumicën e sanksioneve amerikane dhe ndërkombëtare kundër Teheranit. Si këmbim, Irani binte dakord për kufizime në programin e tij bërthamor që e bënin të pamundur prodhimin e një bombe, së bashku me inspektime të rrepta ndërkombëtare.
Me disa lëvizje diplomatike së minutës së fundit, që arritën pikën kulmore me vizitën e kryediplomatit britanik në Uashington, anëtarët evropianë të marrëveshjes u hapën rrugë shumicës së kërkesave të Presidentit Trump, sipas zyrtarëve, diplomatëve dhe zyrtarëve të tjerë të informuar mbi negociatat. Megjithatë, ata u larguan me bindjen sanksionet do të rivendoseshin.
Presidenti Trump foli të martën rreth vendimit të tij me Presidentin francez Emmanuel Macron dhe me udhëheqësin kinez Xi Jinping. Sekretari i jashtëm britanik erdhi në Uashington këtë javë për të bërë një përpjekje të minutës së fundit që SHBA të mbeteshin në marrëveshje, sipas një diplomati të lartë britanik. Diplomati, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Britania do të vazhdojë përpjekjet që marrëveshja të mbetet në fuqi.
Disa orë përpara njoftimit, vendet evropiane u takuan për të nënvizuar mbështetjen e tyre ndaj marrëveshjes. Zyrtarë të lartë nga Britania, Franca dhe Gjermania u takuan në Bruksel me Zëvendësministrin e Jashtëm të Iranit për Çështjet Politike, Abbas Araghchi.
Nëse marrëveshja bie, Irani do të jetë i lirë të rifillojë veprimtaritë e ndaluara për pasurimin e uraniumit, ndërsa bizneset dhe bankat që punojnë me Iranin do të duhet të tërhiqen, përndryshe bien ndesh me ligjin amerikan. Zyrtarët amerikanë ndërkaq po përpunojnë planet për mënyrën se si do t’ia paraqesin publikut tërheqjen nga marrëveshja dhe të shpjegojnë pasojat komplekse financiare të këtij vendimi.
Në Iran, shumë njerëz kanë shprehur shqetësim të thellë sesi vendimi i Presidentit Trump mund të ndikonte në ekonominë tashmë në gjendje të vështirë. Në Teheran, presidenti Hassan Rouhani u përpoq të qetësonte publikun, duke buzëqeshur ndërsa vizitonte një ekspozitë nafte. Ai nuk e përmendi drejtpërdrejt me emër Presidentin Trump, por theksoi se Irani vazhdon të kërkojë “angazhim me botën”.
“Ka mundësi që të përballemi me disa probleme për dy apo tre muaj, por do ta kalojmë,” tha zoti Rouhani.
Sipas skenarit më të mundshëm, Presidenti Trump do të lejojë rivendosjen e sanksioneve ndaj bankës qendrore të Iranit, për të goditur eksportet e naftës, thanë burime të mirinformuara. Pastaj, administrata mund t’u japë atyre kompanive që bëjnë biznes me Iranin një periudhë gjashtë mujore për t’u tërhequr dhe për të shmangur shkeljen e sanksioneve.