VARRI I DYQINDTË

Nga Agron TUFA – Tiranë.

Sot hapa varrin e dyqindtë. Ende s’ka vdekur njeri. Por dikush do të vdesë. Deri në mbrëmje. Me siguri. “Varri duhet të jetë gati, tha polici, se ju, reaksionarët, nuk e deklaroni të vdekurin… Që të merrni një copë bukë më shumë. Ju, tha ai, edhe me të vdekurit tuaj, kërkoni ta dëmtoni pushtetin popullor”. Pastaj iku.
E kam privilegj këtë punë. Që në Turan. Një varr – një copë bukë misri. Gjysmën për vete, gjysmën për mamanë dhe motrën e vogël.
Vijnë ca vajza kurreshtare. Pyesin:
– Po tash, kush ka vdekë?”
– Këtë e kam për vete”,
Shtrihem në gropë.

“Kqyreni! E kam hapur të bukur! Si për vete”, them dhe mbyll sytë me ëndje.“
Polici!” – klithin vajzat dhe ndjej si largohen saora. Hap sytë: në teh të gropës, përballë, polici. Dalloj kjartë si i dridhen mustaqet prej tërbimi. Marr të ngrihem, por ai bën shenjë: “Rri, mos lëviz!”. Heq pushkën prej supit dhe më merr shenjë. “Shaka do të jetë”, mendoj. E ndjek i qetë, pa treguar grimë frike. Mandej, befas, krisma… Britmat e fëmijëve vijnë e shuhen, shurdhohen.

Mbetet mendimi i mbramë… Me dheun e freskët, që njomet nën brinjë: i dyqindti…