Ballina ED/OP IKËN DHE SENATORËT.

IKËN DHE SENATORËT.

Nga Gëzim ZILJA – Tiranë

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike e mbylli siparin. Në mend të ngelen fishkëllimat e militantëve gjatë fjalimit të Eduard Selamit, duartrokitjet e përmbajtura, mungesa e entuziazmit, që ka karakterizuar kuvendet e PD- së dhe asgjë nga fjalimi 70 minutësh i Kryetarit. Ra në sy mungesa e senatorëve, dhe e disa ishëve të PD-së, që dikur ishin pjesë të rëndësishme të qeverisë demokratike. Respekt për Eduard Selamin që njeh institucionet e Partisë, foli me kurajo atë që mendon dhe perspektivat e zymta, që e presin Partinë Demokratike sipas këndvështrimit të tij.

 Sikur të gjithë senatorët të ishin prezent atje në Kongres, të thoshnin fjalët e tyre, punët ndoshta do të kishin shkuar pakëz më ndryshe. Megjithatë kuvendet bëhen për të folur.

Kjo puna e bojkotit tashmë është me u fsheh pas gishtit të mezit.

Dihet se kur opozitat sot dhe dje bojkotojnë, pozita bën pallë. Ajo qetësisht merr vendime e propozon ligje, që kanë pasoja të tmerrshme për ecurinë e politikës shqiptare. Boll të kujtojmë ndarjen administrative në qarqe disa vjet më parë, ku PD-ja bojkotoi dhe tani ndodhet para një fakti që ndikon dukshëm në rezultatet e zgjedhjeve.

Po pse nuk folën senatorët në Kuvend? E vërteta dërrmon dhe gurin, thotë një fjalë e urtë. Nëse ata mendojnë seriozisht për të ardhmen e PD-së, duhet të kishin folur atje ku flitet dhe jo të bëjnë të zemëruarin si fëmijët kur mamaja nuk u blen çokollatë. Mendoj se senatorët nuk erdhën në Kuvend sepse në rradhë të parë nuk ndihen mirë me veten. Në PD dhe në asnjë parti shqiptare nuk ka pasur ndonjëherë demokraci të vërtetë, ku njerëzit të shprehin lirisht atë që mendojnë.

Njeriu që ka bërë ligjin dhe ka marrë çdo vendim në vite në PD ka qenë zoti Sali Berisha. Natyrisht ai mblidhte KKPD-në dhe bënte zgjedhje rregullisht, mblidhte kryesinë hera-herës, kur merrte ndonjë vendim, përgjithësisht dëgjonte njerëzit, por vendimet i merrte vetë. Të tjerët senatorë ose jo dakordësoheshin në fund me vendimin e partisë. Pra shkolla nga vijnë senatorët nuk është një shkollë e mirëfilltë demokracie, ku njerëzit shprehen lirisht pastaj votohet e mbi këtë bazë merret vendimi. Derisa ata ishin në lista, ishin në qeveri e në parlament, çdo gjë ishte e mirë. Mirpo edhe kryetari i ri i PD-së nga kjo shkollë dhe eksperiencë doli. Përndryshe ai nuk do të guxonte të hartonte një listë privatisht, në fshehtësi të plotë dhe ta paraqiste pas mesit të natës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Senatorët nuk u ndjenë derisa lista u shpall, të bindur se do të ishin në lista me meritat që mendonin se i kishin. Mirpo nuk ndodhi aspak ashtu dhe unë si individ nuk u çudita. Unë e di tash njëzet e kusur vjet që listat i bën Kryetari. Nëse kjo praktikë nuk do të ishte normale, ata duhet ta kishin ndaluar kryetarin e ri të PD-së dhe të ulërinin deri në qiell për këtë veprim arbitrar. Por folën ( më parë kishin belbëzuar ose mjaullitur) pasi nuk e panë veten në lista. Tani ata flasin drejt, kërkojnë demokraci, kërkojnë të votohet, kërkojnë taktika e strategji të reja, akuzojnë PD-në për afera e hatërllëqe dhe mirë bëjnë. Por moralisht nuk ndjehen mirë. Ata janë pjesë e asaj qeverie që populli i hoqi me votë pesë vjet më parë se zullumi ishte trashur e s’mbante më. Një vit më parë PD-ja humbi sërish se nuk ishte e besueshme, nuk dha e nuk po jep shpresë për një drejtim të ndryshëm nga ai që kemi parë deri sot.

Pse nuk u bashkohen demokratët senatorëve në Shkodër, Korçë Vlorë, Kavajë, Durrës, Gjirokastër e gjetkë? Ato që ata thonë e mbrojnë sot, janë parimisht të drejta dhe të vërteta. Dhe vijmë sërish te kriza e besimit. Demokratët, sigurisht një pjesë, nuk u besojnë fjalëve të tyre, se pesë vjet më parë ishin si këta që janë sot dhe kanë vepruar po si ata. Kur miqtë e tyre dhe demokratët në vite pështyheshin e përjashtoheshin padrejtësisht thjesht se mendonin ndryshe, ata nuk ndiheshin dhe përdornin atë frazën e poshtër: ‘’Ju e dini, s’kemi ç’bëjmë. E ka bërë doktori.’’ Andaj senatorët të lajnë një herë shpirtin e tyre: të thonë që ngritën e mbrojtën një PD, ku fjala dhe votimi i lirë ka munguar. Të pranojnë që kur ishin ministra e drejtues të lartë kanë lejuar të shiteshin e bliheshin tenderat e vendet e punës, të vidhej, të mbillej drogë ( ndoshta jo kaq sa sot) e të punësonin në administratë njerëz të hurit e litarit. Këto unë i kam parë e përjetuar vetë dhe nuk ka kush më jep mend. Në Partinë Demokratike asgjë nuk ka ndryshuar. Duket se gjithçka propozohet është një model ndërrimi si një mekanizëm pastrimi. Sot komandoj unë me njerëzit e mi (PD, PD+ LSI, PS+LSI, PS) nesër vjen rradha jote.

Gjithçka është reduktuar në veprime të zakonshme, e fjalime patetike, që më shumë tingëllojnë si gënjeshtra sesa zotime për shndërrime thelbësore, për të cilat shoqëria ka nevojë të domosdoshme. Kështu nga një pushtet në tjetrin shikohen po ata njerëz dhe po ajo frymë e të zhvaturit, e mashtrimit dhe demagogjisë së zhurmshme. Ka një përshtatshmëri gati proverbiale të intelektualëve, që merren me politikë me kreun e partisë, djathtas e majtas. Në këtë mënyrë, ajo që propozohet është thjesht një model ndërrimi.

Tashmë nuk bëhet fjalë për të marrë pjesë në ndonjë projekt për transformimin e shoqërisë, por thjesht për të hyrë në sferat e pushtetit. Këtë tashmë e dinë të gjithë. Prandaj zotërinjë senatorë ikni pa merak, ikni të qetë! Partia Demokratike është po ajo që ju ndërtuat në vite, me ndryshimin se ju nuk jeni më pjesë e saj.  /”Telegraf”/