ARKIVAT E NAPOLIT E VATIKANIT ZBULOJNË QYTEZAT E VARGUT E ARTIVOJËS NË TROPOJË

Intervistë e historianit Mark Palnikaj dhënë gazetares Dhurata Hamzai e botuar në gazetën “Shqiptarja.com” të datës 2 e 3 maj 2018

Arkeologu i njohur Skënder Muçaj në një intervistë për “Shqiptarja.com” është shprehur se gërmimet arkeologjike që lidhen me Skënderbeun dhe epokën e tij prej 50 vitesh mungojnë në vendin tonë. Çfarë mendoni ju përse ka një heshtje të tillë?                                                          

-Në zonën e Tropojës prej nga jam unë, gërmimet arkeologjike në dijeninë time janë bërë vetëm në Rosujë, para shumë vitesh dhe aty është zbuluar një qytetërim i lashtë dhe ato zbulime arkeologjike të atij vendi aty qenë strehuar dhe afishuar  në një muze historik të Tropojës që ishte një nga tre muzetë më të mirë të ndërtuar në Shqipërinë komuniste bashkë me Muzeun e Krujës dhe Muzeun e Bajram Currit në Tropojë. Këta muze u shkatërruan në vitin 1997 ndoshta, edhe me një prapavijë ideologjike të caktuar.

A kishte zbulime të periudhës së Arbërit në Rosujë të Tropojës?

-Po aty ka pasur zbulime të kësaj periudhe dhe janë shumë interesante, dhe ato janë të identifikuara. Ndërsa tani në zonën e Tropojës ka edhe kala të tjera që janë të pagërmuara, të pastudiuara. Pak fare është folur për Kalanë e Dragobisë dhe dy kala të tjera e Pjetër Spanit dhe Kalaja  e Lek Dukagjinit në shkëmbin e Rajës në fshatin Breglumi. Ato janë të paeksploruara, por këto ditë arkeologu i njohur Skënder Muçaj ka qenë në një eksplorim të zonës dhe ka konstatuar se aty ka 9 kisha të shekullit të 8-të deri të shekullit të 18-të dhe dy të fundit të shekullit të 20-të. Këto kisha fshehin në vetvete një histori shumë të madhe të varrosur dhe nuk është botuar asnjë rresht dhe nuk është botuar asnjë faqe për to dhe ishte Skënder Muçaj arkeologu i parë që erdhi për të bërë studime.

Në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, kjo ka një rëndësi shumë të madhe, sepse Skënderbeu në besëlidhjen e Lezhës është zgjedhur kryetari i principatave dhe ka ushtruar aktivitet dhe ka pasur ndikime edhe në zonën e Pultit, ku përfshihet Tropoja dhe aty ka ardhur me pajtue në vitin 1461 djemtë e Pjetër Spanit dhe ka arrestuar Mark Spanin dhe e ka lidhur në hekura. Ka dokumente të shkruara dhe nuk besoj që ky ka qenë aktiviteti i vetëm i Skënderbeut.

Për cilën arsye e ka arrestuar Skënderbeu?

-Sepse mbas vdekjes së babait të tyre Pjetrit, ata të katër djemtë u lidhën me kalanë dhe krijuan trazira, të cilat e prishnin qetësinë dhe rendin publik, sepse në kohën e Skënderbeut principatat ishin të bashkuara nën udhëheqjen e tij për të luftuar kundra turqve dhe me kërkesën e Ipeshkvit të Durrësit Pal Engjëllorit, Skënderbeu vajti vet atje dhe ndërhyri e bëri këtë ndërmjetësim.

A dini ju disa nga vendbanimet e Skënderbeut dhe te Kastriotëve që paraqesin interes në arkeologji në atë që njihet si Dioqeza e Pultit?

-Nuk ka pasur kështjella në Dioqezën e Pultit që t’i ketë ngritur vetë Skënderbeu me iniciativën e tij, ose që kanë qenë në pronësi të tij, por ai ka qenë në aleancë me Lekë Dukagjinin,  mbas ndërhyrjes së Papës dhe Ipeshkvi i Durrësit Pal Engjëllorit. Ata janë pajtuar pas një mërie shumë të madhe, sepse ai fillimisht ishte  me turqit, por u pajtuan dhe derisa kanë vdekur të dy ata kanë qenë miq dhe kanë qenë në luftë kundra turqve. Prandaj mua kjo lidhje më çon tek mendimi se Skënderbeu ka ardhur edhe herë të tjera në Tropojë dhe jo vetëm në rastin e problemit që pati me djemtë e Pjetër Spanit.

Ju jeni shoqëruar gjatë eksplorimit nga arkeologu Muçaj, çfarë keni biseduar mbi supozimet e zbulimeve për Skënderbeun dhe historinë e Arbërit në zonën e Tropojës?

-Në zonën e Tropojës, duke iu referuar arkivave të Arbërit në Arkivat e Fshehta të Vatikanit hidhet shumë dritë mbi atë zonë nëse bëhen gërmimet e nevojshme arkeologjike. Aty ka një numër me disa mijëra varre të pahapura, të cilat mund të mbartin monedha, veshje, stoli, armë e vegla pune, që po të gërmohet do të sillni shumë informacione për atë periudhë. Varret janë krejtësisht të dukshme, dhe janë të paprekura, sepse nuk janë në zona të banuara, por në zona të pyllëzuara, dhe janë vende virgjine.

Përveç librit studimor që keni bërë për Dioqezën e Pultit, ju vazhdoni të kërkoni ende dokumente e arkiva nga Vatikani, çfarë të veçantash ju tërheqin. Kanë ato një përputhje me materialin arkeologjik që mendohet të dalë në dritë pas gërmimeve?

-Në këtë territor deri në vitin 1479 kanë qenë pesë qytete që ishin Kiri, Mëngulla, Anikeja, Mauriqi dhe Varku. Në vitin 1628, në muajin korrik, këtë dioqezë e ka vizituar prifti katolik Benedikt Orsini dhe ka dërguar shënime të hollësishme në Vatikan për gjendjen e kësaj dioqeze. Ai ka shkruar që më përpara këto qytete ishin shumë të zhvilluara, me ndërtesa të zbukuruara me mermer dhe me harqe të punuara bukur por tani ato janë të gjitha të shkatërruara dhe pa asnjë banor. Kujtimi për këto qyteza ka ardhur duke u shuar aq sa sot një pjesë e tyre është gati e pamundur të gjendet vendi se ku ndodheshin. Në këtë territor ka patur edhe disa kështjella që administroheshin nga feudalët vendas të identifikuara me familjet e Lek Dukagjinit dhe Pjetër Spanit. Rrënojat e disave nga këto kështjella shihen krejt qartë edhe sot.

Mark Palnikaj  ka vijuar të rrëfejë për “Shqiptarja.com”: Çfarë ka zbuluar për pasuritë e  terrenit arkeologjik të Tropojës e më gjerë në Arkivat e Fshehta të Vatikanit. Si i mori 32 faqet që hedhin dritë në zonat arkeologjike përreth, e më gjerë.

Profili i Skënderbeut dhe historia e Arbërit mungon në kërkimet arkeologjike. Dokumentet dhe arkivat e ruajtura mirë në Vatikan, Napoli, Dubrovnik, Stamboll e më gjerë nuk mjaftojnë.

Një tjetër histori fshihet nën rrënojat brenda territoreve shqiptare, ku Gjergj Kastrioti Skënderbeu zhvilloi aktivitetin e tij si udhëheqës i principatave të Arbërit dhe i betejave kundër pushtuesve otomanë.

Në dy intervista të njëpasnjëshme në “Shqiptarja.com”, të zhvilluara me arkeologun Skënder Muçaj dhe më pas me studiuesin Mark Palnikaj, është ngritur problemi për rrënojat arkeologjike të paidentifikuara dhe të pagërmuara, që duhet të plotësonin studimin e historisë së Skënderbeut dhe të Arbërit në Mesjetë. Në pjesën e dytë të intervistës me Mark Palnikaj (pjesa e parë u botua një ditë më parë në “Shqiptarja.com”) mësojmë se ka një përputhje të veçantë të rrënojave arkeologjike nga Mati deri në Shkodër e Tropojë me dokumentet e zbuluara në Arkivat e Napolit e të Vatikanit.

Arkivi i Propagandës Fide APF, SC Albania 5, f.95, Relacion i Filipit nga Shkodra, datë 8 korrik 1698. Me rëndësi për gjetjen e fshatrave arkeologjike

Mark Palnikaj vijon të rrëfejë për “Shqiptarja.com” se çfarë ka zbuluar për pasuritë e terrenit arkeologjik të Tropojës e më gjerë.

Zoti Mark, ju jeni një studiues që mblidhni arkiva nga Vatikani dhe më gjerë. Keni gjetur ju një përputhje të veçantë të këtyre arkivave me rrënojat që ndodhen në terrenet e paeskploruara të arkeologjisë?

-Përputhje të veçantë kam gjetur, sepse në arkivin e Napolit dhe në arkivin e Vatikanit është një dokument me 125 faqe, i cili konsiderohet dokumenti më i rëndësishëm për shekullin e 17-të, që është bërë në vitin 1671. Janë 125 faqe me informacione të shumta, dhe përveç kësaj studiuesi Barth ka botuar 76 dokumente në Arkivin e Vatikanit dhe përveç atyre 76 dokumenteve unë kam marrë edhe 120 dokumente të tjera që hedhin dritë mbi zonën e Tropojës dhe dokumentimi është i bollshëm, ku nëpërmjet këtyre mund të studiohet jashtëzakonisht mirë historia. Por shteti nuk sponsorizon asnjë lekë. Ato janë shumë të kushtueshme. Për shembull për Skënderbeun kam marrë në Vatikan 32 faqe dhe më kanë kërkuar 3986 euro për t’i publikuar, domethënë 103 euro për faqe dhe asnjë institucion nuk i sponsorizon, ndaj jemi pa mbështetje dhe më vjen keq që shteti nuk ka interes për këto dokumente.  

Si e keni mësuar ekzistencën e terreneve arkeologjike?

-Nga të dhënat që kemi, studiuesi nga Austro-Hungaria, Karl Shtainmec (Carl Steinmetz), në vitin 1905 ka kryer disa gërmime të vogla në qytetin e rrënuar të Varkut dhe punimet e veta i ka publikuar në një libër të botuar në vitin 1916 në Sarajevë në gjuhën gjermane. Ky libër dhe këto punime deri tani nuk janë përkthyer. Mbas këtij, deri sot, asnjë arkeolog ose ekspeditë arkeologjike nuk ka bërë punime për zbulimin e të fshehtave që ruan nëntoka e kësaj zone. Mbas botimit të librit për dioqezën e Pultit, iu kërkuam institucioneve shtetërore dhe fetare të na ndihmonin për të vazhduar kërkimet, por askush nuk na ofroi asnjë lloj mbështetje ose ndihme.

Ku ndodhet qyteza e Varkut?

-Qyteza e Varkut ndodhet në lagjen Kotec të fshatit Palç të komunës Lekbibaj. Ajo është rrënuar nga turqit në vitin 1480 dhe rrënojat e saj u fshinë nga faqja e dheut në vitin 1967, duke humbur pjesë me rëndësi të historisë sonë kombëtare. Por nëse do të vinin ekspedita arkeologjike të specializuara dhe të bënin gërmime e kërkime të specializuara me siguri rezultatet nuk do të mungonin. Qyteti i Artivojës, sot rezulton i zhdukur dhe, megjithëse përmendet në shumë punime të studiuesve të ndryshëm, deri sot nuk është përcaktuar saktësisht vendi se ku ndodhej. Nëse kryhen fare pak gërmime në fshatrat Brashtë, Sermë dhe në vendin që quhet Karron në fshatin Salcë të Lekbibajve, pa ndonjë vështirësi do të përcaktohej vendndodhja e këtij qyteti. Në Karron rrënojat duken qartas edhe pa kryer gërmime, por duhen kryer studime nga profesionistët dhe të arrihet në konkluzione shkencore. Rrënoja të dukshme edhe me sy të lirë ka edhe në fshatrat Curraj i Poshtëm, Curraj i Epërm dhe Mulaj. Ato quhen Lami i Qytetit, Qyteti i Grykës së Vogël, Qyteti i Grykës së Madhe, Rrahi i Shehrit, Qyteza, Shkami i Forcesë (Fortesës), etj por askush nuk është marrë me studimin e tyre. Në fshatin Dakaj të komunës së Shalës ndodhen rrënojat e qytetit të Mauriqit. Ky qytet ka qenë shumë i zhvilluar dhe në shkrimet që kemi gjetur thuhet se ky është ndërtuar nga Maorët e ardhur nga Azia e Vogël dhe nga ata e ka marrë edhe këtë emër.

Kur i keni marrë dokumentet, ju i keni diskutuar temat e tyre dhe me historianë dhe arkeologë të njohur. Për herë të parë dalin në dritë?  

-Konkretisht unë kam diskutuar me historianët e periudhës së Mesjetës që në Shqipëri është Pëllumb Xhufi dhe në Kosovë është Jahja Dançolli, siç është edhe Gjon Berisha, që punojnë për mesjetën dhe ata thonë që është ditur që ekzistojnë ato dokumente në përgjithësi, por nuk ka pasur interes nga historianët për t’u marrë me zonën e Tropojës, dhe ndaj ata nuk i kanë përpunuar dhe nuk i kanë tërhequr. Tërheqja është me kosto, sepse kushtojnë shumë, duan kohë dhe “paratë nuk kemi ku i gjemë”, thonë.

Zakonisht Tropoja është përmendur për bukurinë e egër të natyrës, por nuk është menduar shumë se ka edhe pasuri arkeologjike, është interesante kjo që thoni, por kujt mund t’i drejtoheni për ta parë ndryshe historinë e Tropojës?

-Për këtë duhet bërë një apel në të gjitha institucionet, sepse janë pesë qytete të pazbuluara. Mes tyre është qyteti i Artivojës, i cili ndodhet në zonën e Nikaj Mërkurit, është i pazbuluar dhe i paidentifikuar edhe si vendndodhje. Me fare pak investime nga Instituti i Arkeologjisë ose nga Ministria e Kulturës mund të dërgohet një ekspeditë dhe me lehtësi, me njohuritë që kemi për zonën, ne mund ta zbulojmë qytetin. Që në vitin 1905 është gërmuar pak aty, siç thashë më sipër, nga Shtainmec dhe janë gjetur disa gjëra të rëndësishme, dhe që nga viti 1905 nuk pati asnjë interes për gërmime, përveçse në ’67-n, kur s’mund të thuhet vërtetë se është gërmuar, por se është shkatërruar. Kanë humbur shumë gjëra me vlerë atje. Me gjithë shkatërrimin që ka ndodhur, një gërmim i kujdesshëm do të nxirrte të dhëna me rëndësi për qytetin e Varkut. Ajo është një zonë e rëndësishme, shumë e zhvilluar. Ishte një nga zonat ku prodhohej dhe shpërndahej mëndafshi. Kam një dokument të vitit 1416, që tregon për tatimet dhe taksat doganore që paguheshin për eksportin e mëndafshit në këtë zonë.

Cili është motivi që sakrifikoni për të zbuluar arkivat dhe historinë në mënyrë vullnetare?

-Unë kam lindur në atë vend dhe di që ka shumë histori. Historiografia shqiptare ka heshtur dhe Historia e Shqipërisë me katërqind faqe me dy volume e ka përmendur vetëm si emër, dhe ka shkruar vetëm gjashtë rreshta për historinë e asaj zone 2300 vjeçare. Kam parë se kjo zonë është e braktisur. Ndaj unë kërkoj me ambicien për të nxjerrë të vërtetën.

Kam vënë pasurinë time në dispozicion dhe kam shkuar pesë javë në Napoli, në Vatikan. Ato dokumente përpiqem t’i përkthej vetë, sepse trankrptimi dhe përkthimi nga specialistët  është 65 euro çdo faqe, nëse i bënë me pagesë.

Rëndësia historike e studimit të së kaluarës së këtij qyteti për historikun e Shqipërisë është e madhe, por asgjë nuk është bërë deri më sot. Me mundësitë që kemi, me miqtë e pasionuar pas historisë së vendit tonë, ne do ta vazhdojmë punën për të bërë aq sa kemi mundësi për evidentimin e çdo vlere historike të kësaj treve.

Ne iu bëjmë thirrje së pari, organeve të specializuara të Qeverisë Shqiptare, siç janë Ministria e Kulturës, Akademia e Shkencave, Qendra e Studimeve Albanologjike dhe katedrave të historisë pranë Universiteteve tona që të merren edhe me historikun e kësaj treve, sepse edhe kjo trevë i përket kombit dhe shtetit shqiptar. Zbardhja e të vërtetave që fshihen në nëntokën e kësaj treve do të jetë një kontribut i madh për historinë tonë dhe një provë e pa kundërshtueshme e përpjekjeve të historianëve në luftën e tyre kundër falsifikatorëve të historisë, në dëm të interesave të kombit shqiptar dhe të historisë së tij.

Profili i Skënderbeut dhe historia e Arbërit mungon në kërkimet arkeologjike. Dokumentet dhe arkivat e ruajtura mirë në Vatikan, Napoli, Dubrovnik, Stamboll e më gjerë nuk mjaftojnë.

Një tjetër histori fshihet nën rrënojat brenda territoreve shqiptare, ku Gjergj Kastrioti Skënderbeu zhvilloi aktivitetin e tij si udhëheqës i principatave të Arbërit dhe i betejave kundër pushtuesve otomanë.

Në dy intervista të njëpasnjëshme në “Shqiptarja.com”, të zhvilluara me arkeologun Skënder Muçaj dhe më pas me studiuesin Mark Palnikaj, është ngritur problemi për rrënojat arkeologjike të paidentifikuara dhe të pagërmuara, që duhet të plotësonin studimin e historisë së Skënderbeut dhe të Arbërit në Mesjetë. Në pjesën e dytë të intervistës me Mark Palnikaj (pjesa e parë u botua një ditë më parë në “Shqiptarja.com”) mësojmë se ka një përputhje të veçantë të rrënojave arkeologjike nga Mati deri në Shkodër e Tropojë me dokumentet e zbuluara në Arkivat e Napolit e të Vatikanit.