NDARJA

Një ngjarje e vërtetë.

Nga anët tona të malokërisë, siç kanë qef t’i quajnë ca, kanë qenë traditë familjet e mëdha, ku jetonin në të njëjtën strehë 3-4 breza. Ndarja mes tyre, përjetohej dhimbshëm dhe kur ndodhte, shkonin shumë njerëz për vizitë, për t’u uruar mbarësi krijimit të familjeve të reja.
Njëri nga Krasniqja, kishte tre djem. U martuan, dhe, sipas zakonit, gratë merreshin jashtë fisit: njëra grua ishte nga Gashi, tjetra nga Bytyçi dhe e treta nga Berisha. Pas ca kohësh, vëllezërit vendosën të jetonin më vete me bashkëshortet dhe fëmijët e tyre. Ia thanë vendimin e tyre babait, ai u mërzit, por më në fund vendosi t’i ndajë dhe ashtu bëri.
Filluan njerëzit t’u vinin për vizitë dhe t’i uronin për fillimin e një jete të re.
Një nga vizitorët, po i thotë babait të djemve:
– Për hajër ju qoftë ndarja! Në fakt, më erdhi habi kur dëgjova, pasi ke djem të mirë dhe kanë shkuar mirë me njëri- tjetrin…
Plaku, e kishte shumë siklet që djemtë ishin ndarë dhe u përgjigj:
– Faleminderit që ke ardhur, o dashamir! Po, djemtë e mi shkojnë mirë me njëri- tjetrin, dhe nuk janë ndarë, se janë vëllezër. Ndarë janë fiset , Gashi, Bytyçi e Berisha. E ato, gjithmonë kanë qenë të ndara.

Sabah JEMISHTA – Durrës