PLAVË-GUCIA – DEKANAT I EPOSIT TË KRESHNIKËVE

Nga Ramiz LUSHAJ
1.

Eposi i Veriut është Akademia e parë Shqiptare me lartësi epokale, madhështi jetike, laryshi poetike e rrëfimtare, me shtrirje të gjërë në treva e fise të Malësisë së Madhe e të Vogël, në Rrafshin e Dukagjinit, në pothuaj krejt Shqipërinë e Veriut etj. Nga deti tek Alpet. Nga brigjet e Vardarit deri në brigjet e Limit, Vermoshit e Valbonës. Është një akademi hyjnore, shpirtërore, popullore. E paarritshme. E papërseritshme. E jashtëzakonshme.

Krahina etno-historike e Plavë-Gucisë, si të thuash, është një nga filialet e kësaj akademie, përndryshe: edhe një dekanat shkencor e popullor i saj, që i ka gjurmët e kulmet e veta në ecuri e hapësira etnike shqiptare dhe në studime ndërkontinentale deri në Amerikë.

Kjo akademi ishte e hapët – në natyrë, si në vrri në luginat e Jasenicës të Hotit të Vendit, atë të Gucisë të Kelmendit, të Plavës, të Gërbajës, etj., në bjeshkët e saj alpine e të shumta, në festa pagane e fetare, në oborret e kullave, në dasmat, e kudo tjetër. Njiherash ishte akademi edhe e mbyllur- në odat malësore, veçmas gjatë dimnit të gatë e në stane të verimit bjeshktar të shkurtër.

Miku i mirë i shqiptarëve, Allbert Bejts Llord, mbledhës e studiues i njohur i Eposit të Veriut, profesor i Universitetit të Harvardit, bashkëpunëtor i epikologut e homerologut të shquar amerikan, Millmen Perri, ishte në vitet ’30 të shekullit të kaluar edhe në krahinën e Plavë-Gucisë. Aty ka takue e kuvendue me lahutarë plavë-gucias, mbartës të Eposit të Veriut, të Ciklit të Kreshnikëve. Katër prej tyre, si e dëshmon edhe prof. Zymer Neziri i Prishtinës, kanë hyrë me repertorin e vet në fondet e Harvardit, si dorëshkrimor në dosjen e A. Llordit, tashma kthye edhe në objekt studimor i etno-historisë shqiptare në Kosovë, Shqipëri, Malin e Zi, Amerikë, Kroaci, etj.

Lahutari i dëgjuar Adem Brahimi i Vuthajve këndoi për A. Llordin një kangë të Eposit të Kreshnikëve me 2.163 vargje. Pothuaj sa një libërth më vete. Ka edhe të tjerë, nga Martinajt e nga Vuthajt. Studiuesi vuthjan Idriz Ulaj ka botue në Prishtinë veprën e tij “Këngë popullore nga Gucia”(1978). Ali M. Ahmeti nga Vuthajt e ka mbrojt në Universitetin e Zagrebit doktoraturën me temë “Letërsia gojore e shqiptarëve të anës së Plavës dhe të Gucisë”, ku fjalaflet për “dekanatin” e Eposit të Veriut në këtë trevë etno-historike. Ky punim i tij shkencor është botue nga Instituti Albanologjik i Prishtinës (v. 2004, fq. 284). Në arkiva të Eposit të Veriut ruhet edhe një CD me regjistrime të lahutarit Rr. Ulaj, me kryefjalë shenjuese: “Këndon Lahuta e Gucisë”. Në dhjetra libra e botime në media shkencore, në disa prej të cilave edhe akademiku vuthjan Rexhep Qosja është recensent apo këshilltar shkencor, flitet për eposin plavë-gucias, këtë trevë si një “dekanat” i Akademisë së parë Shqiptare të Eposit të Veriut, me epos epik e lirik në etnosin e saj historik.

2.
Në shumë raste aktor politik sllavë e boshnjak, studiues të ndryshëm etj., me (pa)qëllim shkruajnë sikur Eposi Shqiptar i Kreshnikëve paska për vrellë Boshnjakët e për rrjedhë Bosnjën sllave (!) Kjo nuk është e vërtetë. Eposi i Veriut, edhe Cikli i Kreshnikëve, janë prodhim i drejtpërdrejt i shpirtit, talentit e historisë iliro-shqiptare, burimojnë në tokë iliro-shqiptare, me etni e kulturë iliro-shqiptare.

Bosnja, me kufij gjeo-politik të ndryshueshëm ndër shekuj të historisë, njihet si trevë burimore e një pjesë të madhe të Eposit të Veriut, kryesisht Ciklit të Kreshnikëve, e cila ishte tokë ilire e me popullsi ilire. Vet lumi Bosnja, prej të cilit e mori emrin edhe treva e madhe e Bosnjës, nuk ka tjetër kuptim veçse nga ilirishtja e do të thotë “lumë” (Boson). Pjesa ma e madhe e toponimeve janë të burimit shqiptar.

Krejt Bosnje-Hercegovina ka topografi të fiseve ilire. Në viset e brendshme të saj, krahashtrirë në dy anët e Limit e të Tarës (Drina) e Piva dhe deri në thellësi kah Sarajeva, drejt brigjeve të lumit Bosnja, ishte fisi i madh ilir i Autariatëve, paraardhësit e fisit të Hotit të Vendit në Plavë-Gucinë e sotme. Në Bosnjën Jugore, në brigjet e lumit Neretva deri në bregdet, ishte fisi i madh i Daorëve. Në Bosnjën e Epërme, përgjatë lumit Bosnja, shtrihej fisi ilir i Dasaretëve. Mitologjia e lashtë ilire e ballkanike flet për lidhje gjaku në mes Autariatëve me Daorët e Dasaretët (e degëzime të tyre), të cilët ishin dajë e nipa ndërveti.

Në brigjet e lumit Vërbas banonte fisi ilir i Breukëve, prej të cilëve u shkëput edhe një degëzim tjetër, ai i Kolapianëve e u vendos në brigje të përtejme të lumit Sana. Fisi ilir i Andizetëve hodhi rrënjë jete në dy anët e lumit Speça. Në verilindje të Bosnjës, në Mitrovicën e Sremit të provincës së Vojvodinës, përtej bashkimit të lumenjve Drina e Sava, ishte fisi ilir luftarak i Amantëve.

Gjithashtu, në kryerrjedhë fillestare të Limit, prej nga Vermoshi alpin e në anë të lumit Piva, jetonin Ardianët. Në afri të Limit, nga liqeni i Plavës deri në Vishegrad, ishin fiset dardane: Dardanët Alpinë (Malësi e Gjakovës, Junik, Deçan, Peja, Rrozhaja, etj.); Skirtonët ishin përgjatë rrjedhës së lumit Valbona si degëzim i Dasaretëve e paraardhësit e fisit të Ponarëve. Në këto anë ishin edhe pirustët, etj.

Pasardhës të këtyre fiseve ilire janë edhe popullsia e sotme e Plavë-Gucisë si kelmendasit, hotët, berishasit, kuçët, grudasit, shaljanët, etj., Disa rrema genetik sish janë asimilue në boshnjak apo malazezë, e sëbashku me ardhacak të këtyre etnive formësojnë komunitete etno-kulturore në këtë trevë etnike shqiptare.

Gjeografia e luftimeve të kreshnikëve të Eposit të Veriut (nga shek. VI deri shek. XIV) kundër dyndjeve të Sllavëve të Jugut në trevat e Bosnjës me rrethina të afërta e të largëta na dëshmojnë për përkatësinë e tyre iliro-shqiptare. Brigjet e Tunës nuk janë gja tjetër veçse Danubi i sotëm. Në bregdetin e Adriatikut të Epërm, nga pjesa perëndimore e Malit të Zi të sotëm e deri larg në Kroaci, gjenden Kotorret e Reja, Sinja e Zader. Ilirët e pasardhësit e tyre genetik shqiptarët etnik në Bosnjë (e cila përfshinte pothuaj krejt Veriun e Malit të Zit ë sotëm) luftuan në të dy krahët kundër Sllavëve të Jugut, në harkun etno-gjeografik nga Danubi në Adriatik.

Në krahinën e Plavë-Gucisë ende edhe sot ruhen emra legjendar e real të Eposit të Veriut, të Ciklit të Kreshnikëve, si Bjeshkët e Nalta, Lugjet e Verdha, Klysyrat e Zeza, etj., të cilat vijnë edhe në Eposin homerik “Lahuta e Malcis” të Gjergj Fishtës e në kangë legjendare e historike si “Zana e Madhe e Vizitorit”, “Orë e Zana t’ Vizitorit”, “Ora e Madhe e bjeshkës s’ Trojanit”, “Dragojt e Gucisë”, “Mallkoj Zana fisin e Kuçit”, “Ora e Shqypnisë mbi Valbonë (Vuthaj, etj.), etj.

Plavë-Gucia na jep shembuj rrënjës e të shtylltë se Eposi i Veriut, Cikli i Kreshnikëve, është krye në truallin shqiptar, ngrit në art madhor nga gjenia krijuese shqiptare, mbart e manifestue nga shqiptarët nëpër shekuj.

3.
Eposi i Veriut është tejet i lashtë. Para së gjithash është Epos Pellazg, është Epos Ilir. I ka të dyja në një: Epos Pellazgo-Ilir. Sa palcor edhe eshtnor. Eposi i Kreshnikëve, apo si i thonë ndryshe edhe Cikli i Kreshnikëve është vazhdimësi e Eposit Pellazgo-Ilir.

Eposi ynë Ilir, me kangë epike ilire, dokumentohet edhe në etnosin e krahinës së Plavë-Gucisë, në këtë trevë pjesmarrëse në kryengritjet ilire kundër romakëve dhe qëndrestare ndaj pushtimit romak të Perëndimit apo Lindjes. Flasin legjendat, toponimet: “Maja e Vajzës”, “Romani” (lat. Romanus–romakët), “Bregu i Romanit”,”Çetat e Romanit”, “Guri i Romanit”, “Vajza e Vuthit”, “Ashti i Romanit”, etj. Po ashtu, në nder Hotin e Vendit dëshmojnë për beteja me romakët e vjetër edhe toponimet “Varret e Latinëve” (tokë e sotme e Musli Ram Hulit të Haxhajve), etj,

Lashtësia pellazgo-ilire e Eposit të Veriut brumohet edhe në disa fjalë e shprehje ndër fise të Plavë-Gucisë si “gjegjem-dëgjoj”, “djerg-zbres, dërgoj, çoj”, “pshtue kam” në vend të “kam pshtue”, etj. etj. Dëshmi të tjera iliro-shqiptare janë figurat e besimit popullor si Orët, Zanat, dragojtë, etj., armët e vjetra të përdoruna në duele e fushë-beteja, etj.

Qyshse kaherë kur filluan boshnjakët e Bosnjës apo Malazezët e Kotorrit me e marrë kit’ mrekulli shqiptare si pasuri të tyre (tentativë e derisotme); kur filloi me ikë nga kullat malësore lahuta e jehona e kangëve të kreshnikëve, prej atëherit ka bubrrue e gjarpnue asimilimi i shqiptarëve muslimanë në boshnjakë apo i shqiptarëve katolikë në malazezë, ka rrgallë e bjerrë (e)migrimi i plavë-guciasve nga trojet e veta etnike.

4.
Në Plavë-Guci, trevë trinjake ndër motmote: sa e Rrafshit të Dukagjinit, e Malësisë së Madhe, e Sanxhakut Shqiptar (Tregu i Ri), i ka rritë breznitë e veta me Eposin e Veriut, me Ciklin e Kreshnikëve.

Përndryshe, malësorët jetanik plavë-gucias iu kanë ngjarë kreshnikëve të Eposit të Veriut edhe në Mesjetën e Vonë, në Rilindjen Shqiptare. Në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Luftën e Ultinës së Epërme të Limit (Nokshiq, Arzhanicë, Pepaj, etj.) dhjetor 1879-janar 1880 shqiptarët e saj u treguan kreshnikë të rinj e të vërtetë në luftë me malazezët, pasi kjo Luftë ishte epilog i Shpalljes së Pavarësisë në Vlorën e 1912-tës.

Kit’ Epos gjenial Pellazgo-Ilir-Shqiptar e ka luftue egërsisht Dinastia Petroviç-Njegos, e cila ka pasë platformën e vet shovene sllave për me e çvesh nga fryma iliro-shqiptare, për me e asfiksue nga identiteti kombëtar historik e kulturor shqiptar. Kjo dinasti antishqiptare e Çetinës, e cila ishte rrënjase serbe e u vetëquajt malazeze, pati disa poetë të saj si princin Danillo (1852-1860) e vllain e tij, Vojvoda i Madh Mirko, krajl Nikolla Mirko (Nikolla I), të cilët krijuan kangë (kollo) për çdo fis në Malin e Zi që po i rritke kufijtë me toka etnike shqiptare si dhe për fiset shqiptare të Malësisë së Madhe etj. që po iu merrnin territore etnike shqiptare. Këto “kollo” (kangë epike) për fiset mbanin kryesisht autorësinë e krajl Nikollës së Parë e të atit të tij, Mirkos. Çdo fis kish edhe festën e tij krahas festave pagane, fetare, historike, etj. në të cilat këndoheshin këto kangë (kollo malazeze) të shoqëruara me muzikë e valle. Çdo kryetar fisi, vojvodë, apo të përzgjedhur ndër këto fise, ishin të (vet)obliguem apo (vet)detyruem me ua përcjellë breznive të fisit të vet e të fiseve të tjera me të cilët lidhnin miqësi të gjakut, tamlit e pragut. Me këto kangë (kollo), të cilat nganjëherë në oda malësore, në pikapjekje, kuvende, etj. rrëfeheshin edhe në formë tregimtare, kanë përcjellë mjaft dallashime e turbullime qëllimekëqija sllave për historikun e fiseve etnike shqiptare që iu kanë pshtue apo nënshtrue asimilimit serb, malazez, boshnjak.

Antishqiptari i tërbuar Vlladika Pjetri II, princ-bishop në vitet 1830-1851, e shpiku “kapicën e zezë” si shenjë dalldie e dallimit të kombësie malazeze, të cilës ia pat vnue rrethin e kuq si simbolikë hakmarrje e gjakmarrje ndaj shqiptarëve etnik drejt veriut alpin e lindjes bregdetare. Tevona krajl Nikolla e pati vnue e përdorë forcërisht gjobën ndaj atyne shqiptarëve që mbanin plisin e bardhë. Otomanët nga njana anë e sllavët (serbë e malazezë) nga ana tjetër luftuan bashkarisht me ua hjek shqiptarëve etnik plisin e bardhë e fustanellën që përmenden në kangë të Eposit të Veriut, në Ciklin e Kreshnikëve.

Në kohën e krajl Nikolla I krejt Mali i Zi e ka pasë vetëm një librari në kryeqëndrën e principatës së vogël ballkanike. Aty gjendeshin libra të tillë si Balada të lashta Malazeze, të cilat ishin kopjaci e Eposit të Veriut Shqiptar tue i paraqit si të vetat. Aty kishte vepra poetike të princit Danilo I, Vojvodës së Madh Mirko, krajl Nikolla I. Aty kishte një kontroll të rreptë për librat e njerëzit që futeshin brenda saj. Kur shkonin në Çetinë bajraktar apo vojvodë të fiseve shqiptare iu jepnin dhuratë apo me shkëmbim nga këto libra që kishin shtrembërime historike e urrejtje bio-genetike ndaj shqiptarëve etnik të Malësive të Veriut. Kush merrke libra aty qoftë edhe me vlerë monetare apo shkëmbime pasunore e lejke të shkruem emnin e vet, si shprehje të një dashamirësie ndaj malazezëve apo shenjë mbrojtjeje në ekspedita e luftëra të ndërmarra prej tyre në trevat etnike shqiptare. Shembulli i librarisë krajlnore të Çetinës tregon se në një krahinë si Plavë-Gucia, ku nuk ka një librari me libra, revista e gazeta në gjuhën shqipe ka me shkue duke u asimilue etnia e saj shqiptare (!)

Shfaqje të kësaj trashëgimie akademike të pashembullt të Eposit Shqiptar të Veriut, ma e pasura nga brezat e për brezat, vijnë deri në kohnat moderne edhe në vise të Plavë-Gucisë, në përballje me asimilimin malazez, serbë e boshnjak, me mbijetesë në epokën dixhitale të internetit e erërat e globalizmit. Këto shfaqje duken në tekste të shkruara librore, si përcjellje e lahutës me kangë, si rrëfim kujtese e nostalgjie, etj. Kjo duket disi edhe në Vuthaj, në Manifestimin tashma traditë mirë, “Alpet Shqiptare”. Në disa shtëpia të plavë-guciasve deri edhe në Amerikë e kam pa të vjerrune si relike të vyer lahutën e lashtë.

5
Në historinë e popujve ma të lashtë të botës në koft se ka diçka madhore e magjike, lartësi genetike, kryevepra të popujve e të globit, janë edhe eposet e tyre të lashta (para erës sonë) si Eposi i Gilgameshit në Babiloni (Mesapotominë e Jugut), Eposi homerik “Iliada” e “Odisea”, eposet indiane “Mahabharata” e “Ramajana” apo ato të Mesjetës si Eposi Gjerman i “Nibelungëve”, Eposi Frank i “Rolandit”, etj. Në disa sish, eposi homerik, freng etj. hyjnë edhe shqiptarët si në luftën e Trojës, në atë kundër normadëve në bregdetin shqiptar, etj., ashtu sikurse hyjnë në Eposin e Veriut, tek Cikli i Kreshnikëve, luftërat e pandaluna me Sllavët e Jugut.

Këta popuj, sikurse edhe shqiptarët etnik, kanë mbetë në histori e gjallojnë në jetën e sotme edhe për një arsye tepër të thjeshtë e tejet madhore: kanë pasë eposet e tyre.

Sigurisht, edhe plavë-guciasit e hershëm e të sotëm kanë mbijetuar qëndrestar e dinjitar në trojet e veta etnike edhe nga Eposi i Veriut, qyshse në kohnat pellazgo-ilire, nga Cikli i Kreshnikëve, deri tek Eposi Homerik i Fishtës “Lahuta e Malësisë”. E kanë mbajt gjallë Eposin e Veriut, kanë mbetë edhe vet gjallë në Alpet e Veriut.

Eposi i Veriut, Cikli i Kreshnikëve, në etnosin e Plavë-Gucisë është një akademi e trefishtë: Së parit, ishte një trevë e amfiteatër i luftimeve të Kreshnikëve të lashtë, të Mesjetës, të Rilindjes, të Kohëve Moderne. Së dyti, është një truall i krijimit të një pjese të Eposit të Kreshnikëve. Së treti, është një vend i mësimit ndër brezni të këtij Eposi të Veriut.

Kjo Akademi e Eposit të Veriut, dekania e saj në trevën e Plavë-Gucisë, përveçse luftëtarë kreshnikë, ka nxjerrë edhe akademikë, shkrimtarë, poetë, historianë, muzikantë, piktorë. Pas trollit të Gjakovës me rrethina, Plavë-Gucia renditet e dyta për nga numri i akademikëve të saj në Akademinë e Shkencave e Arteve të Kosovës. Ata janë katër emra të mëdhenj: Akademik Esad Mekuli i Nokshiqit (1916-1993) i lindur në Plavë, kryetari i parë i ASHAK. Akademik Jashar Rexhepagiq (1929-2010), studiues, shkrimtar, i lindur në qytetin e Plavës. Akademik Rexhep Qosja, shkrimtar, studiues, ish-drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, i lindur në Vuthaj më 1936. Akademik Rexhep Ferri, pedagog, piktor, nga dinastia e pushkës dhe e mendjes të Ferrajvë të Plavës. Vargavijnë edhe elitar të tjerë të saj: Nga Martinajt e Gucisë është dr. Liri Rama (Berisha) – Zonjë e Parë e Shqipërisë Londineze (1992-1997), autore e një libri mjekësor popullor, etj. Hasan Mekuli i Nokshiqit (1929-1996), studiues, kritik i letërsisë, publicist, ish-kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i lindur në Plavë. Kompozitori i njohur Rexho Mulliqi (1923-1982), i lindur në qytetin e Gucisë. Isa Qosaj, shkrimtar, regjisor, i lindur në Vuthaj. Shkrimtari Zuvdi Haxhiq Berisha, poet e shkrimtar, i lindur në Guci. Prof. dr. Fehmi Agani e Ukshin Hoti, me prejardhje fisnore nga kjo trevë e me disa libra politik e publicistik. Historianët e lindur në këtë trevë si Rexhep Dedushaj, Hasan Gjonbalaj, Ismail Ahmetaj, Elmaz Plava, janë botues të shumë librave për historinë e kulturën e Plavë-Gucisë. Nuk kam qysh me i lanë pa i përmend as prof. dr. Isuf Dedushaj, ish ministër i Shëndetësisë të Kosovs e me gjashtë libra për mjekësinë; dr. Naim Dedushaj me disa botime historiko-politike për Amerikën, Diasporën Shqiptare, etj.; Binak Ulaj, poet e publicist i njohur; poetja Mimoza Ahmetaj në Tiranë e i ati i saj, Ismail Ahmeti në Amerikë me disa libra historik e publicistik; poeti e piktori Sadri Ahmeti i lindur në Vuthaj e ma së shumti jetoi në Elbasan; aktori Avdyl Dedushaj që luajti role në disa drama në Teatrin “Skampa” në Elbasan; piktorët Musë Prelvukaj e Zake Prelvukaj të lindur në bajrakun e Martinajve; gazetarët Gëzim Mekuli e Drilona Nokshiqi, poetja Fortuna Balidemaj (Mehaj); Zenel R. Haxhaj me një esse të botuar për Luftën e Nokshiqit apo Adem Haxhaj i Hotit të Vendit përkthyes në Radio Tirana, Shaban Bali Nokshiqi (Mekuli), lindur ne Nokshiq, tani mbi 90 vjecar, ka botuar nje liber poetik per fisin e vendlindjen e tij, krahinen e Plave-Gucise. E dhjetra të tjerë. Po e përveçoj edhe një veprimtar kombëtar, Tahir Gjonbalajn, kryeorganizatori i tri simpoziumeve shkencore për historinë e krahinës të Plavë-Gucisë dhe i Manifestimit artistik tradicional “Alpet Shqiptare” në Vuthaj, në të cilat përherë ka pas vend e rend edhe Eposi i Veriut.

Në përmbyllje deshta me lëshue kushtrimin për të gjallët e zemrës e fjalës shqipe: Nëse Cikli i Kreshnikëve, vazhdimtar vrell e rrjedhë i Eposit Pellazgo-Ilir, u krijue mbi realitete historike e deri në frymë e figura legjendare për njëmijë vjet, prej nga shek. V-VI e deri në shek. XIV, nga koha e shpatave e deri kur u shpik e përdorë masivisht pushka. E prapë jetoi nga Koha e Skënderbeut e deri tek Lufta e NATO-s në Kosovën dardane e euro-atlantike. Eposi na e ka mbajt Etnosin Shqiptar. A do të mbijetojnë ky Epos i Veriut edhe në Plavë-Guci, edhe krejt Shqiptarinë në Ballkan, edhe në mërgatat shqiptare në botën e sotme të kompjuterit, të botës dixhitale, të erërave globaliste?!