SHQIPTARËT PARA NJË PROVE HISTORIKE: TË PAJTOHEN ME GJENDJEN E TANISHME OSE TË ZGJOHEN NGA AMULLIA…

Dr. Elez Biberaj – Drejtor i Drejtorisë së Euro-Azisë në “Zëri i Amerikës”.

Fjala në Promovimin e Librit të Frank Shkrelit, “Demokracia nuk prêt”!

Ju falenderoj përzemërsisht për Ftesën për të marrë pjesë në këtë takim. Është nder dhe privilegj për mua që të marrë pjesë në promovim të libirt të mikut dhe kolegut tim, Fran Shkreli.

Frani ka dhënë dhe vazhdon të japë një ndihmesë të çmuar në publicistikën shqiptarë, në përgjithësi, dhe në avancimin e çështjeve shqiptare, në veçanti.
Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu në VATARËN tonë dhe në shoqërinë e personaliteteve të njohura dhe të miqve e kolegëve.

Dëshiroj të shpreh mirënjohje për VATRËN, për kujdesin që gjithmonë ka treguar dhe vazhdon të tregojë për promovimin e veprave të anëtarëve të bashkësisë sonë.

Para se të flasë për librin e Franit, do të kisha dëshirë të theksoj lidhjet e ngushta që kanë ekzistuar historikisht midis Zërit të Amerikës dhe VATRËS – që nga vitet e vështira të Luftës së Ftohtë e deri në ditët tona. Zëri i Amerikës gjithmonë është përpjekur të pasqyrojë veprimtarinë dhe angazhimin e organizatave dhe shoqatave shqiptaro-amerikane, veçanërisht ato të VATRËS.

Arkivi i Zërit të Amerikës përmban regjistrime të shumta të ngjarjeve, takimeve, dhe personaliteteve me të rëndësishme të bashkësisë sonë. Këtu përfshihen fjalimet e Fan Nolit, të cilat nëpërmjet VATRËS iu dhuruan Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.
Gazetarë të shquar të Zërit të Amerikës kanë luajtur rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e VATRËS dhe të Diellit – Xhevat Kallajxhiu, Idriz Lamaj, Gjek Gjonlekaj, e të tjerë. Disa prej nesh, përfshirë edhe mua, shkrimet e para i kemi botuar në gazetën “Dielli”.

Frank Shkreli ka një karierë të gjatë, të shquar e të pasur. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij, ai e ka dëshmuar vehten si mbrojtës i flakët i lirisë së fjalës e të shtypit, i të drejtave të njeriut, dhe si avokat i çështjes shqiptare.

Veprimtaria publicistike e Frank Shkrelit shtrihet në gati pesë dekada. Karierën e tij ai e ka filluar menjëherë pas imigrimit në Shtetet e Bashkuara dhe gjatë studimeve universitare. Fillimish, ai u përqendrua në çështjet shqiptare – sfidat e ndryshme me të cilat ballafaqohej bashkësia jonë shqiptaro-amerikane si dhe shqiptarët në vendlindje.
Pasi e dallon veten në këtë fushë, Frani zgjeron horizontin e tij dhe fillon të merret me cështje rajonale e globale – me çështje më madhore. Ai zhvillon njohuri të gjërë për marrëdhëniet ndërkombëtare, në përgjithësi, dhe ish-blokun komunist, në veçanti.
Frani ka një ndërgjegjësim të lartë politik dhe njohuri të jashtëzakonshme mbi politiken e jashtme amerikane dhe funksionimin e Uashingtonit.

Frani ka aftësi të analizojë dhe të shkruaj mbi çështje aktuale rajonale dhe ndërkombëtare. Por pas daljes në pension, ai bën një kthesë 360 gradësh, duke u kthyer aty ku e kishte filluar veprimtarinë e tij publistike: Ai vendos t’ia kushtojë vëmendjen kryesore çështjeve dhe zhvillimeve shqiptare.

Kjo pasqyrohet në angazhimin e tij të gjithanshëm për ndërgjegjësimin e Shteteve të Bashkuara mbi gjendjen, kërkesat dhe aspiratat e shqiptarëve, vendosjen e demoracisë në trevat shqiptare, dhe krijimin e shoqërive demokratike e gjithëpërfshirëse.

Fruti i kësaj veprimtarie është libri që kemi përpara, Demokracia nuk pret! Në shkrimet e tij, dhe veçanërisht në ato që janë përfshirë në këtë libër, Frani trajton çështje, ngjarje dhe tema nga më të ndryshme dhe e bën këtë në mënyrë të besueshme dhe objektive. Ai trajton të kaluarën tonë – anët positive, ato negative, dhimbjet, gëzimet – si dhe problemet bashkëkohore. Frani i analizon të gjitha këto me një sy kritik, por gjithmonë duke arritur perfundimë të rëndësishme që mund t’u hyjnë në punë vendim-marrësve shqiptare në përballimin e sfidave të dukshme strategjike dhe diplomatike me të cilat ballafaqohen.

Në artikujt e tij, Frani thekson me forcë domosdoshmërinë që shqiptarët të konsolidojnë orientimin e tyre perëndimor.

Shtrohet pyetja: pse janë shkrimet dhe pikëpamjet e Fran Shkreli të rëndësishme? Çka u ofron ai lexuesëve në një kohë kur peisazhi mediatik shqiptar është zgjeruar dhe ndryshuar në mënyrë dramatike?

Fran Shkreli është gazetar dhe analist profesionist. Pasuria e tij më e madhe është niveli i lartë i besuëshmërisë që ai ka arritur të krijojë tek lexuesit e tij. Këtë besueshmëri ai e ka siguruar falë aftësisë për të qënë objektiv dhe duke anashkaluar qëndrime të njëanëshme.

Frani është i vetdijshëm se ndërsa sot gazetarët kanë mundësi të jashtëzakonshme dhe mjete të sofistikuara, misioni i gazetarit vazhdon të jetë po ai që ka qënë gjithmonë – që të tregohet e vërteta, edhe kur ajo është e hidhur. Ai ka qenë gjithmonë në kërkim të së vërtetës.

Frani bashkëbisedon me lexuesit e tij nga një këndvështrim i veçantë – nga këndvështrimi i një publicisti të njohur shqiptaro-amerikan, i cili është thellësisht i interesuar në konsolidimin e demokracisë në trevat shqiptare dhe në thellimin e partneritetit strategjik midis shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara.

Ai u kujton shqiptarëve se këto marrëdhënie duhet kultivuar në vazhdimësi dhe se thellimi i tyre varet nga përfaqësimi, nga ana e shqiptarëve, të vlerave demokratike – respektimi i të drejtave të njeriut, vendosja e sundimit të ligjit dhe qeverisja e mirë dhe llogaridhënëse.

Në këtë drejtim, besoj se Frani pasqyron pikëpamjet dhe dëshirat e bashkësisë sonë për krijimin e një shoqërie me të drejtë dhe më demokratike në trevat shqiptare.

Libri i Franit, Demokracia nuk pret, është një burim i rëndësishëm për gazetarët, studentët, dijetarët dhe politikanët. Me këtë vepër, Fran Shkreli ka dhënë një ndihmesë të rëndësishme në debatin politik dhe mediatik shqiptar. Toni dhe substanca e shkrimeve të tij janë të veçanta në peisazhin mediatik shqiptar.

Libri i Franit është botuar në kohën e duhur dhe është shumë aktual.
Shqiptarët – kudo që ndodhen, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, dhe vende të tjera – kanë të drejtë të ndihen krenare për arritjet e gjithanëshme në krahasim me gjëndjen e tyre para një çerek shekulli. Dhe këtë javë, Shqipëria mori një lajm shumë të mirë nga Brukseli – rekomandimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Por, siç ve në dukje Frani në librin e tij, shqiptarët kurrësesi nuk mund të të jenë të kënaqur me stadin e tanishëm politik, ekonomik, dhe shoqëror.

Ndërsa rekomandimi i Brukselit është shpresëdhënës, ai paraqet një moment të volitshëm që elitat qeverisëse, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e në Maqedoni, të reflektojnë mbi ato që do ti quaja raste të arta që shqiptarët kanë humbur gjatë viteve dhe dekadave të fundit dhe që kanë ngadalësuar rrugën e tyre për konsolidimin e demokracisë. Bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të kishin filluar vite më parë. Duhet pranuar se ky dhe raste të tjera të arta për Shqipërinë dhe për Kosovën, janë humbur kryesisht si rrjedhim i mangësive të theksuara udhëheqëse të vendim-marrësve shqiptarë.

Sot, shqiptarët përballen me sfida të dukshme: problemet ekonomike; papunësia e lartë dhe varfëria; korrupcioni që ka depërtuar në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të shoqërisë; paligjshmëria dhe mungesa e shtetit ligjor; institucionet e dobëta; dhe politikanë të papërgjegjshëm që tolerojnë e nxisin korrupcionin dhe përdorin praktika jodemokratike për të siguaruar dhe mbajtur pushtetin.
Këtyre sfidave të brendshme tani u shtohen edhe disa probleme të jashtmë: prirja rajonale dhe globale e rrëshqitjes së demokracisë; forcimi i alternativës autoritare, si në Turqi dhe Rusi; dhe ndryshimi i peisazhit politik balkanik dhe evropian.

Ndërkohe, aktorët kryesorë perëndimorë po tregojnë shenja lodhjeje me shqiptarët – të cilët vazhdojnë të prodhojnë kriza, që pastaj kërkojnë vëmendje dhe burime të mëdha. Këto prirje negative ndërkombëtare mund të minojnë pozitat e shqiptarëve dhe të shkaktojnë një përkeqësim në ecurinë e tyre politike dhe ekonomike.
Sot nuk flitet me për një dinamizëm ose ritëm të sigurt reformash në trevat shqiptare. Përkundrazi, ndihet një ngecje, zvarritje, rënie e përgjithshme, humbje shprese, dhe polarizim i skajshëm politik, që mund të kenë pasoja të rrezikshme për të ardhmen.

Në qoftë se nuk ndryshohen së shpejti, këto prirje negative do të vështirësojnë përpjekjet e shqiptarëve për t’u ankoruar qartësisht në familjen e vendeve dhe shoqërive demokratike perëndimore.

Që të ndërpritet kjo rënie e përgjithshme, shqiptarët duhet të ndërmarrin ndryshime radikale, që do të rezultonin jo vetëm në një kurs të ri drejtimi por do të transformonin rrjenjësisht shoqërinë shqiptare.

Për të arritur këto objektiva, është e domosdoshme që,

• Stili i tanishëm i qeverisjes të ndryshojë me themel dhe të përqendrohet tek interesat themelore kombëtare e jo tek ato partiake ose tek objektivat politike afat-shkurtëra.

• Forcat kryesore politike të bien në ujdi mbi vizionin për të ardhmen e vendit dhe mbi përpilimin dhe zbatimin e politikave madhore që do të çonin në realizimin e këtij vizioni.

• Të krijohen dhe të fuqizohen institucione me të vërtetë të pavarura dhe të afëta për vendosjen e shtetit ligjor dhe çrrenjosjen e korrupsionit.

• Media të çlirohet nga trysnia dhe interesat politike dhe financiare.

• Procesi i vendimmarrjes për çështje të rëndësishme të jetë gjithëpërfshirës, me pjesemarrjen e aktorëve kryesorë, grupeve të interesit, të shoqërisë civile, dhe ekspertëve.

• Dhe së fundi, e gjithë shoqëria duhet të ndryshojë thellësisht – mënyra si mendon dhe si vepron ajo. Shqiptarët duhet të jenë më kërkues dhe ndëshkues ndaj politikaneve të tyre dhe të kërkojnë llogaridhënie, transparencë dhe përgjegjshmëri më të madhe.

Këto janë objektiva shumë të vështira dhe duhet vullnet politik dhe kohë që ato të arrihen.

Por shqiptarët në përgjithësi, e jo vetëm udhëheqësit dhe politikanët e tyre, ndodhen para një prove historike: të pajtohen me gjendjen e tanishme ose të zgjohen nga amullia, të kapin momentin dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të realizuar potencialin e tyre të plotë demokratik. Siç thekson Frank Shkreli: “Demokracia nuk prêt”!

VATRA, New York.
21 prill 2018