Të tjera bën, të tjera thua/ që t’më marrëç mëndjen mua.
Nga SOKOL KOLGJINI
Vazhdojnë shfaqjet e rradhës për rrugën e kombit. Pas videokonferencave, takimeve me drejtorë, tash së voni prej mediave na bahet i njohur propozimi që ministria i dërgon koncesionarit. (http://tvklan.al/kuksianet-do-te-paguajne-1-5-euro-per-rrugen-e-kombit/)
Le ta analizojmë këtë propozim, në nënvizimet që kemi ba në foton ma sipër:
• Propozohet për “amendimin e disa neneve”. Pyetja që lind: A asht cilësue kjo kontratë si e ligjshme prej protestuesve që ne mund të amendojmë disa nene dhe, u zgjidh problemi? JO. Protestuesit, banorë të Kukësit, Hasit e Tropojës thanë se kjo kontratë asht antiligjore dhe e pamoralshme, e, si e tillë duhet të anullohet dhe jo të amendohet. Veç protestuesve, edhe ekspertë të fushës, nëpër media po pranojnë se kontrata ka shkelje ligjore që nga termat Taksë-Tarifë e deri te parashikimi i punimeve në det, që nga mikstura që nuk asht as kontrate PPP e as koncesion, që nga fakti se nuk ka ratifikim në parlament por asht vetëm me VKM.
• Së dyti thuhet: “pas bisedimeve me banorët Kukës, Has, Tropojë…”.
Banorët e Kukësit, Hasit e Tropojës nuk jetojnë as në television e as në videokonferenca. Askush nuk i ka takue e as i ka pytë këta banorë, e kur merr vendime për ta, pa i pyetë, ata dalin vetë e të tregojnë se çka duen, siç e kanë ba gjithmonë. Banorët e kanë tregue se çka kërkojnë me 31 Mars 2018. Nuk asht rastësi që kanë prishë vetëm kioskat dhe traun, elementin që ata nuk e duen. Asht e domosdoshme me e lexue mirë kërkesën e tyne e jo me krijue konfuzion me mashtrime të njëmasnjëshme.
• Së treti, po ofrohet shuma prej 3 eurosh për banorët. Po nëse banorët thanë se kjo asht e padrejtë, atëherë lëvizja nga 10 euro në 3 euro nuk asht gja tjetër veçse zëvëndësimi i padrejtesisë ma të madhe në padrejtësi ma të vogël . E atëherë a mendohet se banorët do ta pranojnë të pa drejtën, veçse u zvoglue? JO. Në mënyrën e vet, ofruesi me ligësi po përpiqet me minimizue sensibilitetin popullor, me shpresën se një pjesë e tij do mashtrohet. Nuk janë aq naiv banorët saqë të mos kuptojnë lojën bajate të ofruesve që koncesionari asht kompani private dhe si e tille kurdo mund t’i lëvizë (rrisë) tarifat me arsyetime teknike të indeksit të çmimeve, mospërballimit të kostove apo diçka tjetër të ngjashme. Banorëve duhet me ju ofrue zgjidhje të drejtë se kjo i paqton situatat, e zgjidhja e drejtë asht anullimi i kontratës knocesionare me Nr.249 e vitit 2016. E drejta flen e qetë vetëm në shtratin e vet e askund tjetër.
• Së katërti, ofrohet që “transporti urban do përjashtohet…” e këtu na bindin se si në rastin e kësaj kontrate koncesionare, ofruesit prapë nuk janë seriozë në atë që thonë. Duke përdorë fjalën “urban” ata as që e dinë se trau e pagesa nuk prekin transportin urban por atë interurban (urban = qytetës, interurban = nderqytetës). Si qytete të vogla që janë, nuk kanë shërbim urban as Kukësi as Hasi e as Tropoja, por zyrtarët e mykun të institucioneve te Tiranës, ngaterrojne termat dhe funksionet e tyne.
Sidoqoftë, duke mendue se asht gabim teknik dhe e kanë fjalën për transport interurban, atëherë po pyesim: a klasifikohen si interurban mjetet që vijnë prej Zhuri, Prizreni, Gjakove etj? Apo kanë euro keta “kosovarët”, se ne fakt, për ata asht vendos kjo këtë taksë ?!
Po mbulimi i kostove prej 120 mijë eurosh si u llogarit?, pse janë 120 mijë e jo 119 ose 121 mijë?
Si do të shpërndahet? Kush dhe si do jetë përfitues? Apo thjeshtë do pajtohet dikush për te cilin ofruesi ka nevoje?
Të gjitha këto na bajnë me besue se kjo asht nji ofertë e padrejtë dhe jo serioze e për pasojë, nuk mund të konsiderohet nga ata që e kërkuen të drejtën qysh para dy viteve e vazhdojnë ta kërkojnë edhe sot.
• Së pesti: ofrohen “pullat e përhershme… me çmime të reduktuara” të cilat (shënim i yni) do të jepen në bazë të disa kritereve, e nëse nuk i ploteson, do jepen në bazë të farefisit, e nëse nuk i ploteson do jepen me pagesa nën dorë, e nëse nuk i plotëson do të jepen për vota e nëse asnjëna prej këtyne… mbetesh me gisht në gojë, pa pullë!
• Së fundi, për me u’a kujtue gjithë bashkëqytetarëve tanë si edhe shqiptarëve në përgjithësi, ky tra e kjo taksë nuk asht thjesht nji grabitje ma shumë për ne por asht një “mur Berlini” në rrugën e kombit, të cilin nëse e lejojmë, do ta vuejmë përgjithmonë. Ky tra do të jetë precedent për shumë trarë të tjerë në gjithë Shqipninë e do të na përpjestojë krahinë për krahinë e qytet për qytet duke falimentue shumë biznese, veçmas ato te fermerëve në jug-përendim të vendit e për ma shumë, do të favorizojë portin e Selanikut, përkundrejt portit të Durrësit. Në kahun tjetër nga niveli ma i naltë i pushtetit bahet propagandë për fatin e përbashkët, deri edhe për “President të përbashkët” por çuditënisht me rrugë të ndame. Kanga e jugut e ban karakterizimin ma të saktë në kët rast: “të tjera bën, të tjera thua/ që t’më marrëç mëndjen mua”.
• Do të ishte ma mirë që ofruesit ta mendojnë zgjidhjen me ndryshimin e sistemit të taksimit për mirmbajtjen e rrugëve duke marrë modele të mira si ai i Sllovenisë, Austrisë, Hungarisë, Gjermanisë apo plot shembuj të ngjashëm, e të mos jenë kokëfortë në realizimin e një keshe-sistemi që asht kryekëput improvizim allashqip, duke aplikue tre forma pagesash per të njejtin sherbim. Ofruesit ma mirë duhet me u ule me qeverinë e Kosovës e bashkarisht ta studjojnë e mandej ta vendosin nji system të përshtatshem (p.sh, sistemi me vinjeta), të vlefshëm për Shqipni e Kosovë (siç janë aktualisht siguracionet), e të heqin dorë prej mashtrimeve.