NË NJË DITË, SYNI ME LOTË DHIMBJEJE E GËZIMI

Bajram Prelvukajt të Martinajve

1.
Ishte i përflakuri Viti ’81 i Kosovës.
Fektoi e zeza ditë e 9 Nëntorit.
Jetën e re e humbi Bajram Prelvukaj
Në atë autobus tragjedi,
Në ato lartësi të mocme të Çakorrit.

Ai ndër kohëra me furtuna e kufi…
Mbeti udhtar i ri dhe i vjetër,
Një udhtar i përjetshëm.
Ai ende ndan andrra, hapa, ideale…
Këndej Martinajve, matanë Pejës.

2.
Ai nga koma e vdekjes në spital
Hapi sy, qeshi me duar e ballë,
I veguen Martinajt me vrri e bjeshkë,
Me kulla e me varre, me djepa e libra,
Malet me borë, i kaltri liqen n’Plavë.
Ato ishin “Ora” e tij.
Këto e mbajnë ende gjallë.

Nusja e çikat iu banë zana, i dhanë fuqi.
U ringrit si kreshnikët në legjenda e histori.
E dhá një amanet, i lëshoi veç dy fjalë:
“Unë po iki. Po më vjen një djalë.
Mua e kullen i përtri me emrin:
Alban”.

Dimni nuk po don me ardhë
Nuk don me e marrë Bajramin…!
Vjeshta nuk po don për me ikë.
Po dooon me e prit Albanin…!

3.
Në synin e djathtë lotët kanë gëzim.
Në synin e majtë lotët kanë dhimbje.
Në kullën Prelvukaj të Martinaje.
Hana prêt një vdekje…
Dielli prêt një lindje.

4.
Bajram Prelvukaj i mbylli sytë.
Tuj i dhanë trupit me u ngrit n’kamë.
Alpet e ndjenë dhimbjen me gjamë.
E shpalli një Ditë Zi.
Kuvendi i Burrave në Plavë-Guci.
Vendlindja e vet po e merrte në gji.

5.
Alfabeti i geneve të ti,
Abetare me krenari,
Arbëresha, Albana e Albani i ri,
Nusja e ti, e fismja Hajri.

A.A.A.-H…AAAH…

Të katër lëshojnë dhimbjen gjithkah…
Toka e qielli dhimbjen e tyre ende e ká…!

6.
Nusja Hajri me një dorë tek arkivoli
Nana Hajri me dorën tjetër tek djepi…
Nata e bani njerkë.
Gjyshe e bani mëngjesi…

Kjo çikë e Dedushajve të Vuthaje,
Çika e Salihit, mbesa e martirit – Çung Tahirit,
Mori traditë kulle, bese, nane…zane,
Bashkë me ujët e rrezet e diellit.

Ata të dy duheshin shumë në rini,
Ata ishin ma shumë se Muja me Ajkunë.
Bajrami mbeti gjithmnonë
Gjeto Basho Muja për kullën e fëmijët e ti.
Hajria mbeti ma mirë se një Ajkunë
I rriti tre fëmijët me dashuri, në lumturi…

7.
Atë ditë në Plavë-Guci,
Dy herë jehuan pushkë.

E kanë zakonet Malet shqiptare
Tokë e breza e kanë një fjalë të urtë:
Burrat priten e përcillen me pushkë!

RAMIZ LUSHAJ