Kandidati i DPS-së për president të Malit të Zi, Milo Djukanovic, përmbylli sot fushatën me konvetën e zhvilluar në Podgoricë.
Në këtë tubim të pranishëm, për t’i dhënë përkrahje ishin edhe kryetarë e funksionarë të partive shqiptare, gjegjësisht Mehmet Zenka nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Nazif Cungu nga Forca, Fatmir Gjeka nga Partia Demokratike dhe Gjergj Camaj nga Alternativa Shqiptare.
Gjatë konventës përmbyllëse, në foltore dolën edhe Mehmet Zenka dhe Gjergj Camaj.
Kryetari i ASH-së Gjergj Camaj në mes tjerash tha se Djukanovic gëzon përkrahjen absolute të shqiptarëve, sepse, sipas tij, ai ka realizuar të gjitha marrëveshjet.
Camaj tha se Mali i Zi respekton pakicat dhe vlerat evropiane.
Nga të gjitha partitë shqiptare të cilat janë deklaruar rreth zgjedhjeve presidenciale, vetëm Lidhja Demokratike Shqiptare nuk i ka dhënë përkrahje Djukanovic-it.
Në anën tjetër, në fushatat parazgjedhore lokale dhe qendrore, partitë shqiptare garojnë si kundërkanditat të DPS-së dhe e fajësojnë atë për politikat jo të favorshme dhe gjendjen e shqiptarëve, por që zakonisht pas zgjedhjeve i japin përkrahje. /MALESIA.ORG/