Nga dr. Islam LAUKA, diplomat, pedagog
Mëngjesin e sotëm, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca goditën infrastrukturën kimike siriane, një qendër kërkimore dhe dy objekte të prodhimit të armëve kimike. Goditjet e tyre të precizionit të lartë erdhën pas sulmit kimik barbar të 7 prillit, në Douma, ku vdiqën 75 vetë, midis tyre, shumë fëmijë. Nuk është hera e parë qe diktatori Asad përdor armë kimike kundër popullit të vet, pasojë kjo edhe e lëshimeve të ish-Presidentit Obama, sidomos në vitin 2013, kur ai nuk iu përmbajt paralajmërimit për të goditur Sirinë, kur presidenti i saj shfrytëzoi armën kimike për arritjen e qëllimeve politike.
Në këtë kontekst, goditja e sotme është plotësisht legjitime. Ajo përbën një sinjal të qartë, jo vetëm për Asadin, por edhe për Putinin dhe sërën e tyre që nuk përfillin konventat ndërkombëtare.
Do ishte mirë që aksioni i sotëm të mos mbyllet me kaq, por të këmbëngulet që ata, të cilët janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për përdorimin e armëve kimike të sillen në bankën e të akuzuarve, para drejtësisë ndërkombëtare.
Frikërat e ditëve të fundit për fillimin e Luftës së Tretë Botërore, në rast të goditjes së Sirisë nga Perëndimi, gjykuar nga reagimet e para të Rusisë dhe Iranit, duket, se ishin pa bazë. Moska dhe Teherani po flasin për “pasoja rajonale”, pa shkuar më tej. Jo se ato janë regjime “shpirtmira” dhe duan ta kursejnë botën nga lufta, por është raporti aktual i forcave globale që ua dikton këtë qëndrim “paqësor”, duke ua ulur orekset luftarake.