POLITIKË E JASHTME, BAZUAR NË INSTINKTE

-Nga dr. Islam LAUKA – ish Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Organizatave Ndërkombëtare në MPJ, ish ambasadori i parë i Shqipërisë në shtetin e Kosovës –

Dje, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, pavarësisht se posti i tij kërkon vetëpërmbajtje maksimale, nuk arriti t’i përmbante nervat dhe në seancën e Kuvendit iu kthye me ujë opozitës që po hidhte miell në drejtim të Kryeministrit Rama, në shenjë proteste për fjalorin banal të këtij të fundit, si dhe për mbajtjen, padrejtësisht, në burg të 11 kuksianëve që u ngritën kundër taksimit të lartë në Rrugën e Kombit.

Nëpërmjet një statusi në facebook, Bushati u përpoq të paraqitet si i penduar, duke përdorur neologjizma, të huazuar nga punëdhënësi i tij, si “jam i keqardhur për reagimin tim instinktiv…”.

Në shqip thuhet, “shpreh keqardhjen për…” ose “më vjen keq për…”, por jo “jam i keqardhur…”. Duke ndryshuar strukturën e fjalës dhe të fjalisë, natyrisht, ndryshon edhe kuptimi i tyre.

Megjithatë, ajo që shqetëson më shumë, është pranimi, nga ana e Ministrit të Jashtëm, se ai reagon mbi bazën e instinkteve. Se çfarë politike të jashtme, të matur, të përgjegjshme, realiste dhe largpamëse mund të zhvillojë një ministër, si Bushati, i cili udhëhiqet nga instinktet, nuk do shumë koment. “Arritjet” tona në këtë fushë flasin qartë.

@